Lulzim Basha

Ajazi: Për 'partiotizmin' e Lulzimit, dhe të tjerëve

22 Dhjetor 2019, 17:36| Përditesimi: 22 Dhjetor 2019, 17:37

  • Share

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar  me nota “patriotizmi” pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Samitin e Shengenit Ballkanit. Reagimi në fakt  ka ardhur nga Lulzimi për  liderët e Kosovës, duke e cilësuar deklaratën e Ramës si “sulm kundër liderëve politikë të Kosovës, që është shtet i pavarur, ndaj  Shqipëria ka detyrimin të promovojë dhe respektojë pavarësinë e saj”.

Gjithashtu Lulzimi  ka shtuar se “koha e vasalitetit të Tiranës ndaj armiqve e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës do të marrë fund shumë shpejt”. Dhe në fakt, në Twtter Lulzimi belbëzon më shkoqur se para kamerave, madje shprehet më lirshëm mbi “qëndrimet” e tij mbi “patriotizmin, nacionalizmin” apo dhe qëndrimet politike sidomos ndaj Kosovës. Lulzim Basha është kryetar i një partie e cila dihet botërisht sa “partiotike dhe mbrojtëse” ka qenë me çështjen dhe problemet e tjera që lidheshin dikur me pavarësinë e Kosovës, apo duke mos harruar qëndrimin e ish-qeverisjes së partisë tij, në kohën kur gjithë bota i bënte embargo Millosheviçit, dhe furnizimin me “arin e zi” e merrte pikërisht nga Shqipëria.

E vërteta  është e hidhur, aq sa  ka qenë dhe është hileqare dhe e pabesueshme , në çdo  rast qëndrimi  i Partisë Demokratike  lidhur me Kosovën. Gjithmonë kur faktori  ndërkombëtar ka qenë solidar  dhe mbështetës për fatet e Kosovës, nga PD  kanë ardhur vazhdimisht qëndrime dyshuese, madje  dhe penguese. Të mos harrojmë  Rambujenë, apo ngjarjet e tjera që pasuan, ku nga selia e PD dilnin qëndrime  që kërkonin medoemos  zgjatjen e agonisë, pengimin e procesit të shpalljes  së pavarësisë.

Në partinë  e Lulzimit, “patriotizmi” shfaqet gjithmonë kur Edi Rama është në qendër të takimeve dhe diskutimeve me liderët e Ballkanit Perëndimor  apo dhe liderë të Kosovës. Asnjëherë më parë por edhe sot, në PD nuk  ka patur një projekt  afatgjatë dhe largpamës  lidhur me  ç’ka mund  të ndodhë  me Kosovën, asnjëherë  nuk është rekomanduar  qasje pozitive  për  bisedimet me Serbinë, por thjesht partia e Doktorit  ka qenë “komode” në qëndrime  neutrale. Ata që  sot i sulen  Edi Ramës për “afrimitet me Serbinë” dikur  takoheshin skutave  përtej kufirit me Sllobon apo vrasësit e kosovarëve, ata që  sot bëjnë “patriotin” duke deklaruar se “minishengeni  mënjanon Kosovën” dikur punonin  kundër saj  me të gjitha mënyrat.

Si mund  ti besosh deklaratave të ish -opozitës së vjetër, që vijnë nga sulltanët e saj, kur  partia e tyre ka  mbi  çerekshekulli, që jo vetëm nuk e ka përkrahur  çështjen  e Kosovës, por emra të veçantë  të saj, kanë punuar  hapur kundër. Duke përdorur  “patriotizmin”, si  karta  e fundit e mbijetesës së tyre në politikë, hijet e  së shkuarës  dhe të sotmes në Partinë Demokratike , po çukisin  gjithçka munden për të prishur qetësinë në Rajon, madje  duke  lëshuar thirrje  të hapura  nga rrjetet  sociale për “ngritjen e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, në mbrojtje  të  interesave kombëtare”. Ata  që duan ta rikthejnë  Ballkanin  në shekullin  e kaluar, gjenden pikërisht  në SHQUP, dhe  janë betuar të mos e lënë të qetë  vendin dhe Rajonin.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?