Më 24 shkurt 2022 gjithçka ndryshoi, bota nuk ishte më ajo që kish qenë. Atë e ndryshoi njëherë e përgjithmonë pushtimi rus i Ukrainës. U dëgjua po në këtë ditë, kjo e vërtetë tronditëse, fillimisht të pohohej nga Liz Truss, atë kohë Ministre e Jashtme e Britanisë. Më pas, orë pas ore, në Europë u pa qartë nga kushdo se ata, rusët, nuk do ndalonin aty, nëse nuk do i ndalnin!
Albin Kurti nuk arriti të dëgjonte krismat e luftës dhe as të kuptonte se gjërat nuk ishin më si më parë, se po ta kuptonte nuk do merrej me targat e automjeteve, të cilat mendonte dhe mendon ende se i heqin sovranitetin?! Diplomacia europiane dhe amerikane ju përgjërua të hiqte dorë se nuk ishte koha për sipërmarrje të tilla që nxisnin konflikte e dëmtonin klimën, në mos të paqes, të qetësisë relative.
Pas agresionit imperialist të Rusisë për pushtimin e Ukrainës, gjithë Europës i hynë drithmat, por veçanërisht Moldavisë e tre vëndeve baltike, dikur ish pjesë e perandorisë. Aleatit të Putinit në Serbi, Vuçiçit, ju ngjallën shpresat se “botës serbe” i kish ardhur dita, çka linte të kutohej një Ballkan në zjarr. Ndërsa pritej rënja e Kievit dhe Zelenskit e familjes së tij Amerika i afroi strehim, ukrainasit, për habinë e të gjithëve, i vunë trimërisht gjoksin mbrojtjes së atdheut.
Kërcënimi bërthamor rus, kërcënimi i ndërprerjes së gazit rus, me të cilin Europa ngrohet e gatuan dhe kërcënimi i ndërprerjes së furnizimit me grurin ukrainas dhe rus, me të cilin ushqehet një pjesë e njerëzimit, u futi drithmat të gjithëve, por jo Kurtit!
Albin Kurti nuk i vuri re sa sipër, nuk ishin shqetësim për të, por së bashku me Osmanin donin me patjetër të bënin zgjedhje e të vendosnin sovranitetin në atë copën e tokës që nuk e kanë kontrolluar dot, si këta ashtu dhe qeveritë e mëparshme të Republikës së Kosovës. Vuçiç e priti me kënaqësi vendimin për zgjedhjet komunale në Veri, ndërkohë që udhëzoi përmes strukturave të tij të mos marrin pjesë në zgjedhje. Është tamam koha për trazira, të cilat do u japi fuqi e zë serbëve të këndojnë më me forcë këngën “Kosova është Serbi”. Ndërkombëtarët nuk mund t’i thonin Kurtit: mos i bëj zgjedhjet; ashtu siç nuk i thanë që t’i ngujoj “të zgjedhurit” brenda zyrave!
Urtësia e jetës politike kohë pas kohe ka mësuar nga historia, nga ku njerëzimi i kohërave moderne dallon dy luftërat boterore. Një e shtënë arme në Sarajevë, një aneksim tokash në Bohemi e Poloni për “botën gjermane”, e zhyten njerëzimin në lumenj gjaku e mjerim të paparë. Prej kësaj urtësie, prej këtij mësimi nga historia, Europa e di se në Ballkan mjafton një shkëndijë për të ndezur një zjarr të madh. E pikërisht, në kushtet kur Europa e ka në kufi një luftë të egër, atë të pushtimit të Ukrainës, këtë zjarrin në Ballkan e ka të tepërt, tej mase të dëmshëm dhe, për më tepër, të panevojshëm. Nuk e do Europa, por Rusia e kërkon dhe e nxit me të gjitha mjetet. Një front i dytë lufte, veç asaj në Ukrainë, i vjen për mbarë vetëm Rusisë.
Është kjo arsyeja pse ndërkombëtarët janë nervozuar me qëndrimin e Albin Kurtit për të dërguar në veri forca policore në ruajtje të kryetarëve e selive të komunave. Një përplasje mes banorëve serbë dhe policisë ose, siç u pa më pas, me trupat e KFOR-it, mund të dilte e të dalë jashtë kontrollit, që do të thotë luftë; që do të thotë futje e trupave ndërkombëtare; që do të thotë pjesëmarrje aktive e Rusisë në konfliktin për mbrojtjen e vëllazërisë sllave! Pra, prishje e paqes në rajon!
Ajo që nuk kupton Kurti dhe ndjekësit e tij është se bota nuk është më viti 1999, kur Klinton dhe Bler ishin të vendosur të mos i lejonin më tej krimet e maskrat e Serbisë, siç kishin ndodhur në Bosnje e luftrat e tjera në procesin e ndarjes së Jugosllavisë; nuk kuptojnë se fuqitë e mëdha demokratike nuk kanë më përballë një Jelcin që endet mes avujve të alkolit, por kanë një satrap i cili i ka kërcënuar e vazhdon t’i kërcënojë sëbashku me Medvedev, me luftë termbërthamore. Para se të humbasë luftën-thonë në ushtrinë amerikane- ai, Putini, nuk do ngurroj t’i përdorë armët bërthamore! Dhe vjen kështu puna, që para se të shqetësohen se çdo bëhet me sovranitetin e Kosovës, me të drejtë mendojnë veprimet së pari për mbrojtjen e popujve të tyre, të ekonomisë së tyre. Ndodh kështu se janë burra me mend në kokë, ndaj popujt e tyre i kanë në krye!
Të kuptuarit e rrethanve gjeostrategjike, do ta bënin këdo të mendonte thellësisht për veprimet që ndërmerr. Vetëm një mëndjelehtë nuk do kuptonte dot se Europës dhe SHBA-së në këtë cepin tonë të botës tani i nevojitet përpos se qetësi, qetësi, qetësi! Nëse Kurt sovranisti e kupton, por bën të mënçurin, përpos se shfaq shkallën e tij të marrëzisë!
Afërmendsh që në këto rrethana, kur Kosova nuk dëgjon të bëjë çfarë i thonë, ndërkombëtarët do ledhatojnë Serbinë. Këtë do e bëjnë jo se i besojnë, por se duan t’i marrin hë për hë premtimin se nuk do i shtyjë më tej veprimet agresore, si në rastin e rrëmbimit të tre policëve. Me gjasa e braktisin dhe Kosovën, deri sa të zejë mend!
Dje në parlament Kurti edhe njëherë përsëriti, “…Asnjë kthim prapa as nënshtrim e as ndryshim të mendjes për të respektuar kushtetutën e vlerat europianë të shtetit tonë të pavarur”.
Mëndjemadhësia vjen kaluar, por kthehet në këmbë-thotë populli.
Lëre më mirë mos shkruaj kur nuk e di se për çfarë shkruan, Kurti i bindet ligjit të shtetit të Kosovës dhe është më e mira që bën. Është udhëheqës i përsosur dhe politikan i mirë i cili mendon vetëm vendin e tij, i heq kapelën
PërgjigjuFaleminderit pèr assgjè, Bajram Peçi.
Përgjigju