Kultura

Akademia e Shkencave zgjeron hartën e bashkëpunimeve shkencore në rajon

23 Shtator 2022, 17:10| Përditesimi: 23 Shtator 2022, 22:37

  • Share

Zgjerimi I kufijve të bashkëpunimit me institucionet dhe shkencëtarët e rajonit dhe diasporat shqiptare jashtë kufijve ka qenë një nga arritjet e reformës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Bashkëpunimi mes institucionevve shkencore dhe kërkuesve shkencorë tashmë po forcohet me nënshkrimin e marrëveshjeve zyrtare me insticionet arsimore shkencore dhe akademike.  Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi dhe anëtarë të kësaj akademie  kanë nisur një vizitë triditore pune.

Vizitën e parë të punës e patën në Universitetin e Tetovës, më 21 shtator. Ata u pritën nga Rektori Universitetit të Tetovës, prof. dr. Vullnet Ameti dhe drejtues të tjerë të Universitetit. Në këtë takim u nënshkrua memorandum i bashkëpunimit mes Universitetit të Tetovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.  

Dy kryetarët vlerësuan traditën e bashkëpunimit që prej fillimeve të UT, kur ai ishte ende pa status ligjor dhe profesorati i instituteve të rrjetit të ASHSH dhe i Universitetit të Tiranës luajti rol themelor, jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në konceptimin e programeve, lëndëve dhe specialiteteve.

Akad. Skënder Gjinushi theksoi se me miratimin e ligjit të ri për Akademinë e Shkencave janë krijuar hapësira të mëdha juridike për pjesëmarrjen e studiuesve të suksesshëm shqiptarë kudo që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në struktura të ngritura pranë Akademisë.

Akad. Gjinushi paraqiti rëndësinë e tri projekteve të mëdha shkencore kombëtare: "Fjalori i madh i gjuhës shqipe", "Historia e shqiptarëve" dhe "Enciklopedia shqiptare", për realizimin e të cilëve është e domosdoshme përfaqësimi dhe kontributi i studiuesve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

I njoftuar për një paraprojekt të historianëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për një histori të shqiptarëve që jetojnë atje, kryetari Gjinushi propozoi që të vendoset një bashkëpunim i drejtpërdrejtë me realizuesit e projektit akademik "Historia e shqiptarëve", sepse kjo histori, sa u takon çështjeve të tilla si etnogjeneza, vendi dhe koha e formimit, vazhdimësia historike, etj. është e njëjta, kurse ngjarjet dhe zhvillimet lokale plotësojnë këtë histori, prandaj marrëveshja mund të shërbejë që Akademia të ofrojë ndihmë shkencore.

Do të bashkëpunohet edhe për shkencat bashkëkohore, si nanoteknologjia e bioshkenca, për të cilat Akademia e Shkencave pretendon të ketë edhe një rol rajonal.

Bashkëpunimi do të vijojë me  zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, si: kuvende, kongrese, konferenca, forume, simpoziume etj dhe me kryerjen e studimeve të përbashkëta, si dhe aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta shkencore vendore, rajonale dhe evropiane.

Pas kësaj marrëeshjeje, më 21 shtator Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi pati edhe një darkë pune me Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut akad. Ljupčo Kocarev, ku ishin të pranishëm dy zëvendëskryetarët Živko Popov e Gazanfer Bayram. I pranishëm gjithashtu ishte akad. korresp. Izet Zeqiri, sekretar shkencor i MANU (Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut). Dy kryetarët akad. Skënder Gjinushi (Akademia e Shkencave e Shqipërisë) dhe akad. Ljupčo Kocarev (Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut) paraqitën strukturën, organizimin, statusin ligjor, zhvillimet reformuese dhe rezultatet kryesore të institucioneve që drejtojnë.

U diskutua për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re bashkëpunimi, koncepti i së cilës është pranuar nga të dyja palët prej dy vjetësh. Kryetari Kocarev do të marrë pjesë në festimet e 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe ky do të jetë një rast për të hedhur një hap të ri për zgjerimin e bashkëpunimit ndërakademik. Kryetari Skënder Gjinushi theksoi se statusi i bashkëpunëtorit të jashtëm ka lehtësuar shumë bashkëpunimin me personalitete të dijes në shkallë rajonale e europiane. Vizita e Kryetarit të Akdemisë së Shkenacve të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut ka vijuar me takime dhe bisedime për bashkëpunim me z. Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Në takim morën pjesë edhe dr. Ylber Sela, drejtor i Agjencisë së Dygjuhësisë në Maqedoninë e Veriut, si dhe akad. Anastas Angjeli e akad. asoc. Adrian Civici. U theksua nevoja që dy institucionet të luajnë rolin e tyre për të koordinuar ndërveprimin e institucioneve në vendet përkatëse, me qëllim që të shmangen nismat paralele dhe shpërdorimi i energjive intelektuale, që mund të çojë edhe në fragmentarizim të dijes. Akad. Skënder Gjinushi kërkoi nga ministri Shaqiri që institucioni që ai drejton këtë rol ta luajë edhe për tre projektet shkencore akademike, duke përfshirë nënprojektet, siç mund të ishte "Historia e shqiptarëve” në Maqedoninë e Veriut".

U ra dakord që bashkëpunimi i mëtejshëm të rregullohet me marrëveshje, protokolle e projekte të përbashkëta. Ditën e dytë më 22 shtator delegacioni i kryesuar nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi bëri takime pune në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup. Kryetari i AShSh akad. Skënder Gjinushi dhe prof. dr. Izet Zeqiri nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetit “Nënë Tereza”. Marrëveshja ka për qëllim rregullimin e bashkëpunimit ndërinstitucional midis palëve, si dhe midis strukturave përbërëse të tyre; përcaktimin e prioriteteve themelore të bashkëpunimit dhe mënyrën e zbatimit të tyre, mbështetur në legjislacionin në fuqi e në parime të gjithëpranuara dhe në interesa të përbashkëta.

Me këtë rast u dhuruan rreth 700 botime shkencore nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë Rektori Zeqiri paraqiti për Kryetarin akad. Skënder Gjinushi zhvillimet në UNT dhe falënderoi për 700 botimet shkencore që dhuroi Akademia e Shkencave e Shqipërisë për pasurimin e bibliotekës universitare. Rektori i Universitetit "Nënë Tereza" i dorëzoi akad. Skënder Gjinushit Diiplomën e Mirënjohjes dhe vlerësoi kontributin e dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për thellimin e raporteve dhe bashkëpunimit në fushat dhe shkencat e interesit të përbashkët.

 Akademik Skënder Gjinushi falënderoi Rektorin Zeqiri për bashkëpunimin e ndërsjelltë dhe shprehu dëshirën që nënshkrimet e vendosura t’i realizojnë sa më parë. Dita e tretë e vizitës së punës mbyllet me një marrëveshje  bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.Bashkëpunimi midis palëve shtrihet në gjithë fushat e dijes, me përparësi shkencat me më shumë interes të përbashkët, si gjuhësia, letërsia, historia, arkeologjia, antropologjia, shkencat sociale, shkencat juridike/ekonomike, fushat artistike, trashëgimia kulturore, shkencat natyrore, shkencat inxhinierike, shkencat mjekësore. Palët do të bashkëpunojnë për aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta shkencore vendore, rajonale dhe europiane dhe nxitjen e promovimin e studiuesve të rinj.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?