Një aksident ka ndodhur në Shkodër mbrëmjen e sotme ku dy persona janë plagosur rëndë. Aksidenti ndodhi në aksin Shkodër – Hani i Hotit në afërsi të fshatit Shtoj. Dy makina janë përplasur me njëra tjetrën duke sjellë plagosjen rëndë të dy personave të cilët janë transportuar më pas në spitalin rajonal të Shkodrës.
Sipas të dhënave, automjeti Wolswagen me targa AA563 MK ka qenë duke lëvizur jashtë normave të shpejtësisë, duke humbur kontrollin, gjë që ka bërë që më pas të ndeshë mjetin Benz në anën tjetër të rrugës e në përfundim është përplasur në portën hyrëse të një biznesi.
Policia njofton se ngjarja ndodhi në afërsi të një karburanti, ku mjeti me drejtues shtetasin Gentian Dedej, i cili është oficer Policie, është përplasur me mjetin me drejtues shtetasin K. Gj. 20 vjeç.
Si pasojë është dëmtuar shtetasi K.Gj, dhe janë lënduar lehtë dy pasagjerët që ndodheshin në mjetin e tij, shtetasit Xh. V. dhe S. G, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjekësorë.
Veprimet e para hetimore në vendngjarje për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit, po kryhen nga oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Grupi Hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.