LEZHË- Rrugët që përshkojnë qarkun e Lezhës vijojnë të mbeten problematika përsa i përket aksidenteve rrugore, ku vetëm në harkun kohor të 1 jave janë regjistruar 9 të tilla me një bilanc 2 të vdekur dhe 13 persona të plagosur.
Mëngjesin e të shtunës së 16 shtatorit, një punonjës policie në Mirditë humbi jetën dhe një person tjetër mbeti i plagosur, pas përplasjes së dy automjeteve në Rrugën e Kombit.
Ndërsa mëngjesin e së mërkurës një mësuese nga Kurbini gjeti vdekjen, pasi humbi kontrollin e automjetit që drejtonte dhe u përmbys në një kanal.
Një tjetër aksident ndodhi në orët e pasdites të së mërkurës në aksin rrugor Lezhë-Shëngjin, ku përplasja e dy automjeteve solli plagosjen e 4 personave dy prej të cilëve në gjendje të rëndë. Në orët e vona po të kësaj mbrëmje një tjetër aksident ndodhi në lagjen "Varosh" të qytetit të Lezhës, teksa një person humbi kontrollin e motoçikletës që po drejtonte dhe u rrëzua, duke mbetur i plagosur rëndë.
Rekordin e numrit të aksidenteve në rrugët e Lezhës e mban dita e enjte me 5 të tillë dhe 8 persona të plagosur. Aksidenti i fundit ndodhi në orët e pasdites në aksin e vjetër rrugor Pllanë-Rubik, ku një kamion i ngarkuar me inerte u përmbys e për pasoje mbeti i plagosur drejtuesi i automjetit, i cili u dërgua për ndihmë mjekësore në spitalin e Laçit.
Eksperti rrugor Rrok Lelcaj tha në intervistë për Report TV se shoferët ecin shpejt dhe me telefona në dorë.
“Ka disa faktorë, që ndodhin aksidentet, duhet respektuar çdo sinjal. Duhen edhe tabela paralajmëruese si në të gjithë botën. Edhe telefoni duhet të hiqet. Unë po të kisha diçka në dorë, do dënoja më parë ata që mbajnë telefon sesa ata që s’mbajnë rripin. Vajzat i respektojnë më shumë rregullat e qarkullimit se meshkujt, ecin me shpejtësi skëterrë. Edhe dritat natën rrallë ka.”- tha ai.
Përpos gabimit njerëzor shkak për aksidentet janë dhe rrugët pa standarde. E tillë është rruga nacionale Milot-Lezhë. Me dy korsi të ngushta dhe me shumë hyrje dalje, ky segment i ndërtuar 50 vite më parë nuk e përballon fluksin e lartë të lëvizjes së automjeteve në drejtim të Lezhës, Shkodrës dhe doganës së Malit të Zi.
“Duhen dy korsi të paktën, kështu mendoj.”- tha Rrok Lelcaj ekspert rrugor
Gjatë kësaj jave u regjistruar 9 aksidente në gjithë qarkun e Lezhës. Në segmentin Rrëshen-Rubik humbi jetën punonjësi i policisë nga përplasja e dy makinave, shkak dyshohet parakalimi. Ndërsa mëngjesin e së mërkures vdiq mësuesja nga Kurbini. Një tjeter aksident u shënua në Lezhë-Shëngjin me 4 të plagosur rëndë. Rekordin e numrit të aksidenteve në rruget e Lezhës e mban dita e enjte me 5 të tillë dhe 8 përsona të plagosur.
Rrugët pa standarde dhe mos respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve mbetet shkaku kryesor i aksidenteve në Lezhë, me një bilanc të frikshëm viktimash dhe të plagosurish.