Ndërtesa e Teatrit Kombëtar

Aktorët, PD-ja dhe qeveria/Tre paradokset në debatin për Teatrin

14 Qershor 2018, 20:12| Përditesimi: 14 Qershor 2018, 20:19

  • Share

Rikthimi i debatit për Teatrin e ri Kombëtar ka krijuar tre paradokse. E para, që aktorët flasin për ndërtesa dhe ndërtuesit për aktrim. E dyta, që PD në vend të sulmojë P.P.P-të si aksion politik, përdor aktorët në emër të mbrojtjes së vlerave të realizmit socialist. Dhe e treta, duke qenë betejë politike, në vend të fokusohet tek Qeveria, fokusohet tek Bashkia.

Paradoksi i parë është që një pjesë e aktorëve që janë kundër Teatrit, debatojnë për ndërtimet e reja, kurse politikanët dhe ndërtuesit që mbrojnë Teatrin e ri, flasin për nivelin artistik të aktorëve. Ky paradoks ku askush nuk flet për punën e tij, vjen nga fakti se palët kanë hyrë në këtë konflikt për shkak të përkatësisë politike, dhe jo për dobësitë e tyre për Teatrin. Aktorët që janë kundër ndërtimit të një Teatri të ri, kanë bashkuar kauzën e tyre me atë të PD, kundër formës së P.P.P-së, me të cilën do të ndërtohet Teatri.

Kjo është kauzë e vërtetë politike dhe ja vlen të bëhet. Kundër Partneritetit Publik- Privat mund të jesh dhe si aktor, dhe si gazetar, edhe si inxhinier, edhe si i papunë, dhe si militant partie. Dhe është kauzë që ka kuptim. Por ajo pjesë e aktorëve që i kanë hyrë kësaj beteje, nuk janë as qartazi në kauzën kundër P.P.P-së, as qartazi në kauzën e tyre emocionale për trashëgiminë kulturore që mbart ajo godinë. Dhe si të tillë, ata duken më shumë mercenarë në një betejë politike, se sa gjeneralë skene, siç është dikush prej tyre.

Ata kanë të drejtën e tyre të jenë kundër formës së ngritjes së Teatrit, por si qytetarë, jo si aktorë. Si qytetarë, ata kanë të drejtë të përfshihen në një betejë politike apo lëvizje qytetare kundër  P.P.P-vë dhe t’i qëndrojnë asaj deri në fund, jo vetëm për Teatrin, por kudo që aplikohet. Si të tillë, ata do të jenë qytetarë të respektuar. Por të futur në këtë spirale si aktorë të një regjisori të dështuar politik, që kërkon t’i përdorë si aktorë të PD-së, u bën dëm.

Paradoksi i dytë është se në këtë debat, për çdo detaj ka dy palë. Brenda Teatrit ka dy grupe, një pro prishjes, një kundër. Në opinion publik ka dy grupe, një pro prishjes, një kundër. Dhe të gjithë bëjnë sikur e kanë mendjen tek Teatri, por e kanë tek hallet e tyre.

Aktorët që janë pro prishjes, duan një godinë më të mirë, më komode, më moderne, por ata sulmohen nga aktivistë të PD-së, që i quajnë servilë të pushtetit. Dhe fjala vjen, për ta, regjisori Çipi, militant i PD-së, është artist i madh dhe jo servil, kurse Luftar Paja apo Reshat Arbana, janë servilë, ose të përdorur nga pushteti. Hajde tani gjeje kush është ky Çipi.

Pala tjetër e artistëve që janë kundër prishjes, shmangin debatin për kushtet në Teatër, por flasin për P.P.P-të dhe histori të mureve të Teatrit, a thua se po ikën ato mure dhe u bënë mure të reja, Partia Demokratike, si partia antikomuniste e Shqipërisë, është e alarmuar, pasi sipas saj, nuk do mbahet mend as komedia “Prefekti”, as “Zonja nga Qyteti” dhe as “Pallati 176”, që janë aq të arrira artistikisht dhe luajtur aq bukur, sa vërtet kemi besuar që Qazim Mulleti ishte injorant, që kuadrot iknin me dëshirë në fshat dhe që komunizmi e luftonte burokracinë.

Të më ndjeni që s’mbaj mend ndonjë pjesë të këtyre regjisorëve të rinj që merren me organizimin e protestës, por mund t’ua quaj vlerë betejën në emër të PD-së, për të ruajtur vlerat e realizmit socialist, të cilat në fakt nuk janë të rrezikuara. Paradoks më të madh se ky s’mund të gjej. Vetëm Edi Rama ka talentin që manirat e tij, t’i realizojë me dorë të Lulit.

Paradoski i tretë është fokusimi i betejës tek Erion Veliaj. Beteja kundër P.P.P-vë është betejë kundër qeverisë, pasi bëhet me ligj nga qeveria dhe është praktië e shpallur e saj, si prioritet zhvillimi. Qeveria Rama e ka atë kalë beteje të këtij mandati. Me atë formë po bën rrugë, spitale, shkolla, teatër etj. Atë nuk e ka shpikur Bashkia e Tiranës. Bile librin më të mirë për koncesione dhe P.P.P-të në Universitet, e ka bërë Argita Berisha, se ajo është pionierja  e tyre.

Fokusimi tek Erion Veliaj dhe përfshirja e PD në një betejë diversioni mes tij dhe Edi Ramës, vetëm sa i ngre profilin Erionit dhe e kthen atë në një “aktor” të shkëlqyer politik, edhe pse shumica e thonë me ironi këtë. Pas disa vitesh Tiranës i mbetet një teatër i ri modern, i ndërtuar në kohë të tij, një park lodrash fëmijësh i ndërtuar në kohë të tij, një park liqeni i transformuar tërësisht në nivelin më të lartë, në kohë të tij, një shesh mbreslënës i ndërtuar në kohë të tij dhe dhjetëra beteja donkisheske “dumbabiste” kundër tij.

Realisht kjo duhet të ishte një betejë politike e PD-së kundër qeverisë, ku mund të merrnin pjesë dhe aktorët si qytetarë, pasi shumica e tyre kanë qenë dhe deputetë të PD. Por Lulzim Basha ka vendosur ta shpallë betejë lokale, biles dhe demokratët gurëhedhës nuk i gjen dot në Tiranë, por i sjell nga Mamurrasi. Dhe në fund, përveçse do kemi një Teatër të ri, do kemi dhe një kryebashkiak që diti ta menaxhojë këtë krizë. Falë Lulzim Bashës që e mendon Teatrin se seksioni i parkingut të PD-së. Meqë shtrihet në fund të tij.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?