Aktruan sulmin me armë në Vlorë, ja si gënjeu policinë Romarjo Alliaj

6 Qershor 2019, 13:09| Përditesimi: 6 Qershor 2019, 13:12

  • Share

Gjykata e Vlorës ka vendosur të caktojë masën e “arrestit në burg” për biznesmenin e ndërtimit Arben Veliko dhe Romarjo Alliaj. Të dy kanë dalë para gjykatës të lidhur me pranga në duar, ndërkohë që Veliko ka shfaqur momente tensioni në sallë duke u bërë presion gazetarëve.Por në fakt Velikos që akuzohet për “Kallëzim të reme” në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municionit”, fajin më të madh ja ka bashkëpuntori i tij, Romarjo Alliaj që ka treguar gjithçka rreth planit të tij “Alla Babale”, me qëllim që të shmangnin borxhet dhe të mernin azil politik.

Por para se të zbardhej e gjithë e vërteta, Alliaj ka ngritur një dëshmi të reme para punonjësve të policisë, duke treguar një histori të trafikut të drogës. “Shqiptarja.com” zbulon sot se nga deklarimet e tij, Romarjo ndër të tjera ka shpjeguar se në vitin 2017, gjatë qëndrimit në burgun e Fierit, është njohur me një person me emrin Florenc, shkurt “Lenci”. Pas daljes nga burgu, Florenci e ka prezantuar me një shtetas me emrin Armando nga Elbasani, por që jeton në Tiranë. Armando i ka propozuar Romarjos për të “…bërë punë, ndonjë rrugë për në Turqi…”, duke nënkuptuar transport droge, për të cilën i ka afruar 10.000 euro për rrugë. Në vitin 2018, Romarjo është takuar sërish me “Lencin” dhe me të ka shkuar në Elbasan, ku ka takuar Armandon.

Gjithashtu Romarjo ka shkuar në Elbasan në datat 24-25 dhjetor 2018, ku është takuar përsëri me Armandon, ku ky i fundit i ka thënë Romarjos për të çuar një makinë në Turqi në Izmir dhe për këtë gjë kanë bërë pazar për pagesën 10.000 euro. Armando i ka dhënë në dorë shumën prej 1.800 euro. Në datën 28 dhjetor 2018, Romarjo ka takuar “Lencin” në Elbasan, ku ky i fundit i ka dhënë një automjet “Land Rover Discovery” dhe Romarjo me këtë mjet ka ikur nëpërmjet PKK të Kapshticës për në Greqi dhe më pas në Izmir të Turqisë. Mjetin në Turqi ia ka dhënë një shtetasi turk dhe në datën 30 ose 31 dhjetor 2018, Romarjo është kthyer në Shqipëri.

Në Elbasan, Romarjo është takuar me Armandon, i cili i ka thënë se për një javë do të japim pjesën tjetër të pagesës për rrugën. Romarjo shpjegon se më pas Armando dhe Lorenci janë kapur dhe arrestuar në Turqi. Sipas Romarjos, këta shtetas e akuzojnë atë si spiun dhe ky mund të jetë edhe motivi i ngjarjes. Gjithashtu në deklarimin e tij Romarjo Alliaj, ka shpjeguar se në 11 maj 2019, ka komunikuar nëpërmjet telefonit të tij me një shtetas, me të cilin ka debatuar dhe është ofenduar në lidhje me rrethanat për pagesën e pjesës tjetër të shumës që duhet të merrte për transportin që kishte kryer në Turqi, ku nga ana e personit tjetër, Romarjo është akuzuar se ky i fundit ka spiunuar dhe shokët e tij ndodheshin momentalisht në burg.

Telefoni i Romarjo Alliaj është sekuestruar me cilësinë e provës, është këqyrur, si edhe është dërguar për ekspertim kompjuterik. Por nga ana e policisë është konstatuar se ka mospërputhje dhe është urdhëruar kryerja e eksperimentit hetimor, ku u është kërkuar ekspertëve të përcaktojnë drejtimin e qitjes, këndin e qitjes, për dëmtimet e konstatuara në derën e shoferit, në papafingon, në derën e majtë të pasagjerit, të automjetit objekt ekspertimi, si edhe mundësinë e dëmtimit të drejtuesit të mjetit si pasojë e goditjes në këtë drejtim dhe kënd qitjeje. Eksperimenti është kryer në 23 maj 2019 dhe gjatë kryerjes së tij ka rezultuar paraprakisht pamundësia që drejtuesi i autoveturës të mos ishte prekur nga goditja e automjetit me armë automatike.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?