Qeveria ka vendosur të ashpërsojë ligjet për cënimin e sigurisë ushqimore, duke parashikuar edhe denimin me burg, me shpresën se do të ndalojë abuzimet në këtë fushë.
Ashpërsimi i ligjit, në fakt, shikohet si zgjidhje sa herë institucionet nuk funksionojnë.
Dhe kontrolli i sigurisë ushqimore është një nga ata më tipikët e mosfunksionimit apo të keqfunksionimit.
Unë kam një pyetje të thjeshtë: Përse është kaq e vështirë të kontrollosh dhe të ndëshkosh atë që abuzon?
Përgjigja e parë që do të të vijë, është se s’ka laboratorë të specializuar.
Po përse nuk i ndërtojmë, kur kemi kaq shumë nevojë për të ofruar sigurinë tek konsumtori vendas dhe të krijojmë besimin tek tregu i huaj, që na ka futur në karantinë duke mos na lejuar asnjë lloj eksporti blegtoral.
Sa për dijeni, Maqedonia fqinje eksporton mish në çdo vend të BE-së.
Në këto kushte, kur nuk kryen dot funksionin për të cilin është krijuar, AKU është përdorur sistematikisht si një bandë gjobëvënësish.
Gjoba ndaj atyre që nuk ka qenë në listën e financuesve të partisë e gjoba ndaj atyre që nuk lubrifikojnë rrotën e korrupsionit brenda institucionit.
Sot AKU po kërkon ta gjejë shpëtimin tek burgu.
Po si do të futen abuzuesit në burg, kur nuk bëhet dot analizat e produktit?
Apo burgu do të jetë “Gogoli”, që do të trembë sërish ata që nuk paguajnë?
Në fakt problemi nuk është as burgu e as dënimi me vdekje.
Problemi ka qenë dhe është vetë AKU, e cila është drejtuar nga cdo lloj personi i mundëshëm, vetëm nga specialistë të fushës jo.
Ky i fundit është më tipiku i paduhuri në atë vend!