Akuza Metës dhe KLGJ-së, Dvorani pranon largimin, letër Vitore Tushës: Vijoni punën në KED

23 Qershor 2020, 11:37| Përditesimi: 23 Qershor 2020, 12:32

  • Share

TIRANE-12 ditë pas vendimit të KED-së që vendosi mbarimin e mandatit të tij si anëtar i Gjykatës së Lartë, rrjedhimisht edhe si kryetar i KED-së, Ardian Dvorani pranon largimin nga posti, pavarësisht akuzave drejtuar Presidentit Ilir Meta dhe KLGJ-së. Report Tv ka siguruar një letër që kreu i KED-së, Dvorani i ka dërguar zv/ kryetares së KED-së, Vitore Tusha, së cilës i kërkon që të vazhdojë punën për kandidatët për Gjykatën e Kushtetuese. 

"Do të kërkoja nga zëvendëskryetarja e KED 2020,  Vitore Tusha, si edhe nga anëtarët e tjerë të Këshillit të vlerësojnë menjëherë të gjitha këto rrethana, të marrin nismat përkatëse dhe të kryejnë veprimet e nevojshme paraprake për njoftimin e kandidatëve lidhur me relacionet e përgatitura për gjetjet në procedurat e verifikimit të kandidaturave të tyre, si edhe për të përcaktuar menjëherë thirrjen e mbledhjes së KED me rend dite shqyrtimin e gjetjeve në procedurat e verifikimit të kandidaturave për një vend vakant, vakancë e parakohshme, të shpallura nga secili organ emërtese, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës" thotë Dvorani. 

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në 11 qershor 2020 vendosi të shkarkonte Ardian Dvoranin si anëtar i Gjykatës së Lartë, duke mbështetur kërkesën e presidentit Ilir Meta, për deklarimin e mbarimit të mandatit. Pasi e shkarkoi (lexo ketu se cfarë ndodhi në mbledhjen e KED-së) njëherazi dhe kreu i gjykatës së lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor i kërkoi Ardian Dvoranit të paraqesë kërkesë nëse dëshiron të jetë gjyqtar Apelit.

Letra e plote e Ardian Dvoranit
PËR DOMOSDOSHMËRINË E TEJKALIMIT TË PENGESAVE DHE VONESAVE TË MËTEJSHME NË VEPRIMTARINË E KED 2020

Drejtuar: Zëvendëskryetaressë KED 2020, znj. VitoreTusha

Anëtarëvetë KED 2020

Të nderuar kolegë,

pas mbledhjes së katërt dhe më të fundit të KED, të realizuar në fillim të muajit Shkurt 2020, me të cilin u miratuar disa ndryshime në aktet nënligjore të KED, relatorët e tre vendeve vakante në Gjykatën Kushtetutese në proces shqyrtimi, kanë kryer dhe drejtuar një punë të lavdërueshme për të verifikuar plotësimin e kushteve ligjore të kandidimit dhe për të përgatitur shqyrtimin e kandidaturave përkatëse në mbledhjen e Këshillit.

Ndërkohë që në fillim të muajit Mars ishin kryer përgatitjet për shqyrtimin e gjetjeve në procedurën e verifikimit të të gjithë kandidatëve për dy nga vendet vakante me organ emërtese Kuvendin dhe Presidentin, duke mbetur vetëm veprimi formal fundor i njoftimit të relacioneve përkatëse kandidatëve njëkohësisht me atë për thirrjen e mbledhjessë KED, vendosja e menjëhershme e masave kufizuese parandaluese ndaj Covid19 pengoi thirrjen e mbledhjes.

Në gjysmën e dytë të muajit Mars, sipas akteve normative të miratuara nga qeveria, u krijuan mundësitë që mbledhjet e organeve kolegjiale mund të zhvilloheshin edhe nëpërmjet mjeteve elektronike. Bashkërisht me anëtarë të KED dhe me personelin mbështetës kemi punuar për të përgatitur kushtet dhe krijuar mundësitë e zhvillimit të mbledhjes online.

Meqenëse mbledhja e radhës së KED do të kishte në rend dite shqyrtimin e kandidaturave, proces i cili nuk mund të realizohet pa dhënien e mundësive të njohjes së secilit anëtar me informacionet dhe procesin e verifikimit të zhvilluar nga relatorët, më tepër se sa me teknologjinë, përgatitjet komplekse kanë pasur të bëjnë edhe me gjetjen e kohës së duhur dhe mënyrave më të përshtatshme që të gjithë anëtarët e Këshillit të kishin mundësitë dhe të njiheshin me materialet e dosjeve të secilit kandidat.

Por, sikurse jeni në dijeni, në datën 10 Prill 2020, Presidenti i Republikës i është drejtuar KLGJ-së me një kërkesë, e cila i bëhet me dije edhe KED-së, me anë të së cilës kërkonte që KLGJ të vendoste/konstatonte mbarimin e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani, me efekt nga data 13 Mars 2020.

Nga njëra anë,kjo lëvizje e Presidentit të Republikës ka pasur si efekt ligjor të menjëhershëm pengimin a pezullimin e veprimtarisë së KED. Meqenëse sipas Kushtetutës dhe ligjit ushtrimi i funksionit të Kryetarit të KED është i lidhur me ushtrimin e funksionit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, çdo veprim dhe procedurë e zhvilluar prej meje në cilësinë e Kryetarit të KED, aq më tepër në rrethanat kur do të shqyrtoheshin kandidaturat për vendet vakante, do të përbënte një arsye dhe motiv thelbësor që cilido kandidat të kundërshtonte në gjykatë procedurën e ndjekur dhe vendimmarrjen e KED për ndalimin eventual të kandidimit të tyre.

Njëkohësisht, nga ana tjetër,në cilësinë e Kryetarit dhe të anëtarit t KED, nuk mund të shmangesha formalisht nga këto funksione, për shkak se situata e krijuar me kërkesën e Presidentit drejtuar KLGJ-së dhe vendimi i KLGJ për ta bërë çështje të rendit të ditës, nuk bëjnë pjesë në rastet e parashikuara nga ligji ku cilësohen pengesat ligjore të pjesëmarrjes në mbledhjet dhe veprimtaritë e KED, raste në të cilat paraqitet heqje dorë dhe procedurat përkatëse mund të drejtoheshin nga Zëvendëskryetari i KED.

Për fat të keq, sipas vlerësimit tim, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, KLGJ e bëri menjëherë çështje të rendit të ditës kërkesën e Presidentit dhe të ashtuquajturat procedura që ndoqi KLGJ zgjatën përmbi 2 muaj, duke sjellë kështu efekte shumë negative penguese në ecurinë dhe ritmet e veprimtarisë së KED.

Së fundi, në datën 11 Qershor 2020, KLGJ ka dalë me një vendimmarrje për këtë kërkesë të Presidentit të Republikës. Vendimi përkatës ende nuk është zbardhur dhe e vetmja gjë e bërë publike është se KLGJ ka “vendosur” që gjyqtarit Ardian Dvorani i “ka mbaruar detyrimi të ushtrojë detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë”.

Kjo lloj vendimmarrje, e cila në vlerësimin tim është haptazi e paligjshme, pavarësisht vlerësimeve që po bëj për mundësinë e ndjekjes së kundërshtimit sipas ligjit, sjell si efekt, jo vetëm pengesën që të ushtroj funksionet e gjyqtarit dhe zëvendëskryetarit të Gjykatës së Lartë, por njëkohësisht, së paku, edhe mosqenien time në funksionin e Kryetarit të KED.

Në fakt, sipas ligjit, efekte të plota formale të këtij “vendimi” të KLGJ vijnë vetëm me njoftimin që duhet të më bëhet për vendimin e arsyetuar të KLGJ. Për të mos e shtuar më tej antikushtetueshmërinë ekzistuese të procedurës së ndjekur deri më tani dhe të vendimmarrjes, ky “vendim” i KLGJ-së duhet të jetë i arsyetuar sepse ndryshon në thelb statusin e një gjyqtari duke më ndaluar të vijoj ushtrimin e detyrës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.

Por, ndryshe nga pritshmëria ime normale, ndonëse kanë ka kaluar më shumë se 10 ditë, ende nga KLGJ nuk më njoftohet ky “vendim”i arsyetuar, sikurse është e përcaktuar sipas rregullave më elementare të çdo lloj procedure administrative, sikurse është ajo që zhvillon KLGJ.

Në këto kushte,përtej pengesës së shkaktuar veprimtarisë së KED që nga fillimi i muajit Prill nga “nisma” antikushtetuese e Presidentit për të vënë në lëvizje KLGJ-në, vlerësoj se edhe kjo vonesë dhe zvarritje e pakuptimtë nga ana e KLGJ-së, nuk duhet të vijojë të sjellë vonesa të mëtejshme në realizimin e mbledhjeve dhe kryerjen e veprimtarive të KED, ndërkohë që prej shumë e shumë javësh relatimet lidhur me kandidaturat për dy vendeve vakante janë në pritje për shqyrtim në mbledhjen e KED.

Prandaj, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në ligjin nr.115/2016 dhe në aktet nënligjore normative dhe rregullatorë të KED,  do të kërkoja nga Zëvendëskryetarja e KED 2020, znj. Vitore Tusha, si edhe nga anëtarët e tjerë të Këshillit të vlerësojnë menjëherë të gjitha këto rrethana, të marrin nismat përkatëse dhe të kryejnë veprimet e nevojshme paraprake për njoftimin e kandidatëve lidhur me relacionet e përgatitura për gjetjet në procedurat e verifikimit të kandidaturave të tyre, si edhe për të përcaktuar menjëherë thirrjen e mbledhjes së KED me rend dite shqyrtimin e gjetjeve në procedurat e verifikimit të kandidaturave për një vend vakant, vakancë e parakohshme, të shpallura nga secili organ emërtese, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës.

ARDIAN DVORANI

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Aben: 23/06/2020 12:14

    Po ik o debil bashke me nenvizimet e tua

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?