Akuzat e Enverit në Byro: Kadri Hazbiu me Feçorin, kishin vënë informatorë edhe në Komitetet Ekzekutive, kishin vënë Sigurimin mbi Partinë

29 Dhjetor 2022, 07:47| Përditesimi: 29 Dhjetor 2022, 12:31

  • Share

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbledhje të cilat janë kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, ku kanë asistuar: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rita Marko, Pali Miska, Hajredin Çeliku, Haki Toska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çerrava, etj., si tema kryesore janë analizat rreth “veprimtarisë armiqësore” të Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj.

Në dosjen që disponon Memorie.al, përveç analizës së “veprimtarisë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Beqir Balluku te Kadri Hazbiu”, në mbledhjet e Byrosë Politike dhe takimet ditore të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë marrë në analizë edhe veprimtaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, me agjenturën e bashkëpunëtorët e saj, brenda e jashtë vendit, raportet e marrëdhëniet e shtetit shqiptar me vende të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, Gjermania Perëndimore, Anglia, Spanja, Italia, si dhe ato me fqinjët, si Greqia e Jugosllavia e demonstratat në Kosovë, si e paraqiste shtypi botëror Shqipërinë Socialiste, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore për pagesat e reparacioneve të Luftës, takimet e bisedat me kryetarët e partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, si Ernst Aust, Zhoao Amazonas, Fosko Dinuçi, etj., lidhur me “vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, problemet e emigracionit politik shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, e ndryshimin e kursit të shkëmbimit të dollarit në dërgesat, që ata bënin për të afërmit e tyre në Shqipëri e deri te probleme të shumta ekonomike, që nga industria e rëndë, hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, importi dhe eksporti i energjisë, etj., etj.   

Dokumenti “Tepër sekret” me proces-verbalin e takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 10 shtator 1983, ku diskutua: “Mbi përfundimin e gjyqit të elementëve armiq të mbetur nga kasta e Beqir Ballukut dhe mbi domosdoshmërinë e përtëritjes së kuadrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të organeve që varen prej saj”.

TAKIM DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË MË 10 SHTATOR 1983

Tepër Sekret

Në këtë takim, në të cilin morri pjesë edhe shoku Hekuran Isai, u diskutua fillimisht mbi përfundimin e gjyqit të elementëve armiq të mbetur nga kasta e Beqir Ballukut dhe mbi domosdoshmërinë e përtëritjes së kuadrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të organeve që varen prej saj, për edukimin e tyre me frymë të shëndoshë partie, për nevojën e gjithashtu të gërshetimit me kujdes të kuadrove të vjetra me të reja edhe në organe të tjera, mbi domosdoshmërinë e vendosjes së një pune të partishme në organet e Punëve të Brendshme dhe mbi kujdesin që duhet të bëhet për të dalluar vërejtjet e drejta nga prirjet me qëllime armiqësore, për kujdesin e një pune parandaluese e shëruese me njerëzit në frymë partie, mbi sigurimin e udhëheqjes së Partisë në organet e Punëve të Brendshme, si dhe për strukturën dhe kompetencat në organet e Sigurimit.

SHOKU ENVER HOXHA: Të tërë këtë elementë hajdutë, mbanin armë dhe hiqeshin si “miq të Sigurimit” që është arma e Partisë. Mos flisni, – u thonin këta njerëzve dhe vidhnin për vete, bile vjedhjet kishin arritur deri të ministri i Tregtisë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Atje ishin vjedhur mallra e para deri në një milion lekë vlerë. E drejta është ajo që thoni ju shoku Enver, është një problem shumë i madh ky që duhet parë me kujdes nga ana jonë.

SHOKU ENVER HOXHA: Janë çështje të mëdha këto Hekuran, prandaj hapi këto probleme kyçe dhe ndiqi.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ne po i diskutojmë, shoku Enver, puna është që tani t’i zgjidhim gradualisht. Ne do t’i kapim si probleme në bazë të vërejtjeve që po na bëni ju shoku Enver, dhe do të përpiqemi që t’i vëmë sa më shpejt në rrugën e zgjidhjes.

SHOKU ENVER HOXHA: Të kemi parasysh një gjë, që Partia duhet t’u mësojë organeve të Punëve të Brendshme të ecin në rrugë të drejtë, ndryshe nuk do të merren masa efikase në luftën kundër armiqve. Mund të kapet një element që ka kryer krimin, po me kaq nuk do të jetë shëruar plaga.

Partia duhet të ketë kurdoherë parasysh se një “plagë” e hapur, është domosdoshmëri që të shërohet, ndryshe plaga kthehet në gangrenë dhe rrezikon jetën, prandaj ka rëndësi puna parandaluese dhe edukative me njerëzit dhe jo të shkohet drejtpërdrejt e në arrestim të një njeriu.

Do të shkohet në arrestim, pasi të kemi sqaruar e rregulluar të gjithë situatën në një mjedis, ku të kemi në dorë fakte konkrete dhe t’i vëmë gishtin, që këtë apo atë situatë ka shkaktuar ky, atëhere këtë e kapim dhe e çojmë në gjyq. Kur e bënë mirë këtë punë Partia, kjo do të thotë se ka vigjilencë nga ana e saj. Kjo çështje duhet të kuptohet drejt.

Puna e Partisë nuk mund të zhvillohet në mënyrë të ç’thurur, të çlirët, apo të shkohet me mendjelehtësi në pikëpamjen: “ja ndodhi kjo tani, s’kemi se ç’bëjmë”. Mirë u bë, por në rrugë partie duhet të shohim pse u bë, pse u ulën rendimentet pse nuk u prashit apo ujit në kohë gruri? Cilat janë arsyet, të cilat mund të jenë subjektive.

Shpesh për të zbutur gjendjen, vëmë në dukje vetëm arsyet objektive, nuk vëmë edhe ato subjektive. Kur fajin e ka për këtë që ngjau, kryetari i kooperativës dhe jo ndonjë nga anëtarët e tjerë të kryesisë, në rrugë partie, duhet t’ja vëmë këmbët në një këpucë kryetarit, po nuk veprohet kështu. Po pse?

Se puna e Partisë nuk është e thellë, e gjerë dhe objektive, që të shoqërojë të gjitha masat që duhen marrë me një punë politike të menduar mirë, e cila do të nxjerr pastaj me siguri në dukje “barin e egër”, i ligu do të dalë qartë kush është, se do të fillojnë të flasin të tjerët, që ky na ka bërë shumë gjëra, na ka çuar në një rrugë të gabuar, se ne vetë kemi qenë të fjetur etj.

Në këtë kuptim duhet të punojë edhe Sigurimi, gjë që nuk bëhet tani. Në një mbledhje partie mund të vihet re që diçka nuk ecën mirë në një qendër pune. Në këtë rast, sekretari i partisë ngarkon menjëherë shefin e degës së Punëve të Brendshme, ose Punëtorin Operativ që ta shikojë gjendjen atje. Të veprohet kështu, s’është aspak rrugë e drejtë. Po pse?

Po sepse nuk është në gjendje organizata e Partisë që ta shikojë se ç’bëhet, si mund ta shikojë kaq gjerë veten një person, i dërguari i Sigurimit, i cili mund të mos ketë fare informator në atë kolektiv dhe në këtë rast do të detyrohet që të dërgoj informator për të parë gjendjen nga një vend tjetër?

Çfarë ka ngjarë te ne që na erdhi ky njeri?, do të pyesin atje. Nuk ka rëndësi vetëm çështja që çdo gjë do të vihet në rrugë të drejtë partie nga ana e Sigurimit, por kjo duhet të kuptohet mirë edhe nga vetë Partia. Komiteti i Partisë duhet të ngarkojë Sigurimin me çështje që i interesojnë që të shikojë ky, të tjerat ky do t’i ndreqë vetë dhe është i detyruar që t’i ndreqë vetë.

Duke i ndrequr vetë Partia, do të jetë në gjendje që t’i japë edhe Sigurimit orientime më të sakta pse çështjet i ka verifikuar në rrugë partie, prandaj është e bindur për këtë. Nga Partia, mund t’i jepen në këtë rast Sigurimit, bashkë me disa orientime se në ç’drejtim duhet të ketë ky vëmendjen, në radhë të parë atje ku ka rezistencë për moszbatimin e detyrave dhe punë armiqësore.

Atëherë punëtori i Sigurimit të Shtetit, pasi të jetë informuar duhet të shkojë e të shikojë. Ka mundësi që një rezident, në një kooperativë të bashkuar, për të gjithë fshatrat që e përbëjnë atë, me informatorët që ka rreth vetes, mund t’i tërheqë vëmendjen diçka me rëndësi, fjala vjen pse nuk u realizua atje plani i grurit.

Ai mund të analizojë që mosrealizimi, ka ardhur për arsye objektive, ta zëmë të breshrit, apo mund të ketë ardhur për arsye subjektive që, duhen zbuluar dhe analizuar. Po, a mund ta bëjë ky, një njeri i vetëm, një gjë të tillë?!

TË GJITHË: Jo, s’ka mundësi.

SHOKU ENVER HOXHA: Sigurisht që nuk ka mundësi. Po kush mund ta bëjë atëherë?! Partia dhe Pushteti. Këta po, pasi kanë mundësi që ta sqarojnë një situatë të vështirë që krijohet dhe bashkë me sqarimin e çështjes, të nxjerri dhe përgjegjësitë, përgjegjësi partie dhe përgjegjësi penale.

Pasi të bëhet ky sqarim, atëherë Partia, mund të thërrasë përgjegjësin e Sigurimit në këtë sektor, ta vejë në dijeni për situatën e krijuar, dhe t’i japë orientime se çfarë duhet të bëjë. Kështu veprimet e tij në bazë të udhëzimeve që jep Partia, do të kryhen jo sipas mendimeve të rezidentit dhe Degës së Brendshme të rrethit, por të Partisë. E kam të drejtë apo nuk e kam të drejtë?!

SHOKU HEKURAN ISAI: Shumë drejt e shtroni çështjen shoku Enver, ky është një problem i madh që duhet zgjidhur.

SHOKU RAMIZ ALIA: Nëse do t’i shikojmë mirë këto çështje, del se në kundërshtim me vijën e Partisë armiqtë, kanë kundërvepruar në kuptimin që Sigurimin e Shtetit, në vend që ta kishte një armë të fortë në duart e Partisë, për të goditur armikun, kanë abuzuar duke e kthyer atë, në një armë të frikshme për t’ju shërbyer interesave të tyre.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu është, e kishin kthyer në një mjet të frikshëm, për realizimin e qëllimeve të tyre armiqësore.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pra organet e punëve të brendshme, në vend që të godisnin armikun, përkundrazi kanë shkaktuar frikë, pakënaqësi, dhe pasiguri në masat, sidomos për akuzën e agjitacionit dhe propagandës, e të tjera të këtij lloji.

Në vend që bashkëpunëtorët e Sigurimit, të shoqëroheshin me njerëz të ndershëm, të pastër, dhe të dashur nga populli, kanë përdorur elementë të ligj, siç tha dhe Lenka, derisa kjo i ka rënë popullit në sy për keq.

SHOKU ENVER HOXHA: Duhet të kemi kujdes që elementi i shëndoshë pa parti, kur është përpara një shfaqjeje që bie në sy për keq, s’është e domosdoshme që t’i drejtohet organeve të Sigurimit të Shtetit, por të informojë në radhë të parë Sekretarin e Organizatës së Partisë, në sektorin ku punon, apo Komitetin e Partisë.

Por nëse ai shef që edhe Sekretari i Partisë, nuk është i prirur ta dëgjojë, atëherë ka të drejtë që të mendojë se këtu diçka nuk shkon, dhe duhet të drejtohet edhe më lart, sërish në rrugë partie.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ai tani, shkon edhe në Sigurim.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, në një rast të tillë ai duhet të shkojë më lart, në instancat e Partisë, përse të shkojë në Sigurimin e Shtetit?! “Po mirë mo shoku Enver, – mund të thotë dikush, – duke ndjekur këtë rrugë, Sigurimi i Shtetit, mund të mbetet si peshku pa ujë”.

Jo, nuk mbetet aspak si peshku pa ujë. Duhet mbajtur parasysh që Sigurimi, duhet të veprojë krahas Partisë dhe ta sinjalizojë këtë me të dhëna të sakta e të verifikuara.

Partia do ta udhëzojë pastaj dhe do ta orientojë se në ç’drejtim duhet të veprojë për të zbuluar një veprimtari armiqësore apo keqbërëse, për të cilën ka sinjalizime në atë sektor, ku vëren se nuk ecën puna, dhe ku dyshon se ka punë armiqësore. Kur Partia, ta sinjalizojë Sigurimin se diku ka punë armiqësore, do t’i japë me aq sa mundet të dhënat që ka.

Në këtë rast, shefi i Degës së Punëve të Brendshme, duhet ta përpunojë në kokën e vet, planin dhe metodat se si dhe ku, duhet të futet për të diktuar situatën jo të mirë, që nuk ka arritur ta sqarojë dot Partia. Por edhe shefi i Degës së Punëve të Brendshme, nuk do të jetë në gjendje të zbulojë dot gjë pa bërë më parë një plan të menduar mirë, në bazë të të cilit do të ndjek çështjen.

Shiko, kjo gjendje nuk na duket mirë në këtë sektor, do t’i thotë Sekretari i Partisë, për këtë apo për atë arsye, prandaj merru ti me këtë çështje. Si urdhëron, do t’i thotë punonjësi i Sigurimit të Shtetit, dhe fillon menjëherë nga puna. Duhet pasur parasysh që, Dega e Punëve të Brendshme, ka një rrjet informatorësh, po si duhet vepruar në këtë rast?!

Këtu vjen pikërisht çështja: Cila është puna që duhet të bëjë Partia, dhe cila është puna që duhet të bëjë Sigurimi i Shtetit, që edhe ky bën një punë në bazë të direktivave të Partisë. Nëse Partia do ti japë Sigurimit, vetëm një sinjalizim të thjeshtë që në këtë apo atë sektor, punët nuk po na ecin mirë, atëherë punonjësi i Sigurimit, do të gjendet në vështirësi dhe mund të implikojë në këtë çështje, shumë njerëz, midis të cilëve dhe të pafajshëm, ose përndryshe duhet të ketë shumë informatorë.

Po, a mund të lejojë Partia, që Sigurimi i Shtetit, të ketë shumë informatorë, p.sh., në një kooperativë?! Jo, nuk mund ta lejojë. Sigurimi, e ka një njeri të vetin atje. Po ç’mund të bëjë një njeri i vetëm, kur Partia ka gjithë ata komunistë, që nuk kanë mundur ta çojnë përpara këtë çështje?!

Punonjësi i Sigurimit, nuk ka ç’të bëjë me një njeri të vetin, ndryshe do të bëjë sipas kokës së vet, duke u nisur nga mendimi që dhe ai, duhet të kapë diçka, përderisa i kërkohet. Përndryshe atij do t’i thonë: “nuk je i aftë të zbulosh gjë”, “ti s’ke dhënë fare njerëz, për t’i dënuar në këtë rast”, etj.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po, ashtu bënin përpara. Deri urdhra telegrafike jepte Kadri Hazbiu, që ju tërhiqte vëmendjen Degëve të Punëve të Brendshme nëpër rrethe, ku ju thoshte se ishin ulur arrestimet.

SHOKU ENVER HOXHA: Prandaj, duhet t’i rrisni goditjet, nxiste ai, se rritja e goditjeve, justifikon qënien e Sigurimit të Shtetit dhe krijon pikëpamjen që, Partia nuk bën dot pa Sigurimin. Armiqtë komplotistë përpiqeshin që të na jepnin përshtypjen se aty këtu, ka një punë armiqësore të madhe, po ne si organ vigjilent dhe i fortë, që bëjmë një luftë klase të jashtëzakonshme, e kemi konstatuar dhe po e sqarojmë situatën prandaj, kini besim tek ne.

Dhe nëse Partia, krijon dyshime se po teprohet dhe i tërheqë vëmendjen Sigurimit se po sjell shumë fajtorë për agjitacion e propagandë, ky tërhiqej dhe sillte më pak të dhëna.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, armiqtë punonin me përqindje në këtë drejtim.

SHOKU ENVER HOXHA: Posi, dy përqind ose pesë përqind më pak. Sidoqoftë akoma ka shumë, theksonin ata dhe me këtë rast i lironin disa armiq. Luftë klase është kjo, thoshin ata, dhe luftën e klasës e kemi në parim. Jo vetëm themi me fjalë, që kemi armiq, po ja ku janë, “i zbuluam”, prandaj kini besim tek ne, d.m.th., te elementë si Kadri Hazbiu, e Feçor Shehu, me shokë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Një çështje e madhe ngelet për ne, ndërtimi i strukturave të organeve të Sigurimit të Shtetit dhe po konsultohemi me shokët e aparatit të Komitetit Qendror që, ta zgjidhim sa në mirë këtë çështje. Na duket se, ashtu siç janë të ndërtuara këto organe, nuk është e rregullt.

Të marrim atë që thatë ju, a mund të përballohet e gjithë puna e Sigurimit, me një informator?! Pastaj unë po reflektoj tani se për ç’arsye u nevojitkan bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit në aparatin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit, sidomos pa pasur fare atje një punë armiqësore?!

SHOKU ENVER HOXHA: Përse u dashka që atje të ketë një informator, Sigurimi?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Se kështu siç është ndërtuar tani struktura e organeve të Sigurimit të Shtetit, janë vënë nën kontrollin e tyre dhe organet e Pushtetit.

SHOKU ENVER HOXHA: Është e qartë se, me këtë strukturë, është vënë nën kontroll dhe Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit. Me një fjalë është vënë nën kontroll Partia./Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?