Pas gjashtë vitesh në krye të Partisë Demokratike, imazhi i Lulzim Bashës duket se ka ende problemet fillestare të marrjes së postit. Zgjedhja e tij në krye të partisë më të madhe opozitare, në mos emërim nga paraardhësi, duket se ka qenë një hap i pamenduar gjatë.
Pamundësia për të ‘ngjitur’ tek elektorati i tij si lider i ardhshëm u reflektua masivisht në zgjedhjet e 2017-ës, kur PD e Bashës mori 200 mijë vota më pak sesa ajo e Berishës.
Sot, ky është një hall aq i madh për të, saqë paralelisht me tkurrjen e protestave, zëra brenda selisë blu po hedhin dita-ditës tezën se retorika e tij po përqafohet gjithnjë e më shumë nga qytetarë.
Në fakt, i vetmi ‘program’ i ri që Basha shpalos në protestat e thirrura prej tij është ai i shtetëzimit të bizneseve. E thënë më bukur prej tij: Paratë e oligarkëve do t’u shpërndahen njerëzve të varfër. Dhe kjo fjali është kuruar dhe përdor me aq kujdes që të mos ngjajë si një akuzë, por si një premtim romantik.
Gjashtë vite pas drejtimit të opozitës, Lulzim Basha ka arritur të spastrojë partinë nga kundërshtarët, të prishë e të lidhë koalicione, t’i hajë fjalët e tij për LSI-në, por kurrsesi të fshijë të shkuarën kur ishte në pushtet. Mjafton një bilanc për të kuptuar pse nuk ngjisin akuzat e tij si rrjedhojë as ai vetë, së paku si lider i demokratëve, e jo më i gjithë shqiptarëve.
Që prej 11 Shkurtit, kreu i PD ankohet herë për mospërdorim dhunë nga policia (dhe këtë e quan provokim), e herë për përdorimin e gazit. Dhe minimalisht njerëzit kur shohin gaz lotsjellës dhe demokratë që rrihen me njëri tjetrin, kujtojnë katër protestuesit e vrarë më 21 Janar 2011. Ishte pikërisht Lulzim Basha në krye të Ministrisë së Brendshme dhe katër të vrarët nuk janë hamendësim, por njerëz me emra dhe mbiemra.
Kreu i PD e nisi me “Astirin” për të akuzuar më pas çdo projekt të mundshëm rruge si skemë grabitje. Basha është mësuar ta shohë çdo rrugë si burim të ardhurash nën mëngë. Dhe kur flet për rrugë, shqiptarëve me gjasë u fanepset ai vetë kur ishte ministër Transportesh dhe në ‘Rrugën e Kombit’ u zhdukën 230 milionë euro. Akuzë e ngritur nga KLSH-ja që drejtohej po prap nga PD.
Vëreni akuzat për përgjimet në zgjedhje. Raporti i OSBE dhe Prokuroria shprehen se në shit-blerje votash janë përfshirë thuajse të gjithë subjektet kryesore. Basha e shkëput akuzën, e lokalizon atë në Durrës dhe Shijak, si shembull i një fenomeni që anon vetëm nga socialistët. Ai i ëndërron përgjimet si një armë për ta kapur gafil kundërshtarin në momente të caktuara. Ndërsa po t’ia kujtosh kohën kur ish-ministrat e Berishës përgjonin njëri-tjetrin, nuk ka gjë për të shtuar. Aq më tepër incizimet Berisha-Ngjela apo Meta-Prifti, që ‘nuk i mban mend’.
Te përgjimet e ‘Dosjes 339’ që ia kanë dorëzuar prokurorët, Lulzim Basha ka gjetur parajsën e akuzave. Për një person të vetëm që komunikon me Vangjush Dakon, ai e lidh këtë të fundit si të lidhur me të gjithë botën e bandave. Këtu Bashës i kujtohen fotografitë në seri që nisën t’i publikohen teksa pozonte herë në rrugë, e herë në zyrën e tij, me persona të proceduar, dënuar, arratisur e të tjerë.
Te zgjedhjet, Lulzim Basha ka edhe një merak tjetër. Atë të manipulimit të rezultatit. Edhe pse Kryetari i KQZ vjen nga radhët e tij. Atij i kujtohet fitorja e tij 8 vite më parë. Mjafton të shihet shpërblimi që iu bë Ristanit pasi la detyrën në KQZ për të kuptuar borxhin që i kishte.
Në të gjitha akuzat që ngre, Lulzim Bashës i del përpara e shkuara e tij. Është materializimi i asaj thënies: Kur ia drejton gishtin dikujt, mos harro se gishtat e tjerë i ke të kthyer nga vetja!