Derisa nuk kishim SPAK nuk ishim mësuar të kishim kaq shumë të hetuar, të arrestuar apo të dënuar në nivelet më të larta politike e shtetërore. Dukej sikur gjithçka funksionte si duhet dhe sikur asgjë nuk shkon keq! Njerëzit e thjeshtë të gjithë flisnin me zë të ulët se në Shqipëri ka korrupsion në të gjitha nivelet, por për sa kohë nuk kishte prova, dukej sikur "populli" kishte lajthitur dhe "ja kishte me hile" politikës!
Në fakt për të kuptuar se gjërat në Shqipëri nuk ishin mirë, nuk kishte nevojë për ndonjë shkencë të madhe apo për ndonjë studim të madh! Mjafton të shikoheshin disa të dhëna bazike:
- Rrugë pa rrugë, që nisnin e nuk mbaronin asnjëherë edhe në rastet kur mbaronin ishin gati për t'u ribërë:
- Afate që nisin e shtyhen e shtyhen e nuk mbarojnë asnjëherë
- Varfëri e madhe tek njerëzit. Shumë diskutojnë mundësinë bazike për të jetuar me dinjitet
- Emigrimi masivë i shqiptarëve nga fillimi i viteve '90 e deri në ditët e sotme! Shqiptarët vazhdojnë të largohen, jo për luks apo për mundësi më të mira, por për nevoja bazike ekonomike që vendi i tyre edhe pse ka bërë 33 vjet nga rrëzimi i Regjimit akoma nuk ua afron!
Megjithatë, tashmë nuk kemi hamendësime, apo psherëtima të "fiksuara" të qytetarëve që flasin nëpër kafe për korrupsion, por falë strukturës Spak kemi prova konkrete që dëshmon sesa e rëndë është situata në Shqipëri!
Shpesh e kanë sulmuar politikisht Ramën për situatën në vend dhe për arrestimin e zyrtarëve! Në fakt arrestime ka nga të gjitha anët e politik, kush e ka pas pushtet dhe kush ka privilegjin t'a ketë edhe sot! Sigurisht Rama ka faje politike për përzgjedhje e besimin e dhënë, por nuk e mendoj dhe cilësoj atë si kryehadjutin e vendit!
Ndoshta ne si qytetarë duhet të bëjmë një pyetje më elementare! Faji është i Ramës apo qasja që ka pasur dhe ka politika ndaj pushteti? Nuk besoj e nuk mendoj se Rama çdo mëngjes bën një mbledhje të vartësve të tij për t'i mësuar se si duhet të korruptohen dhe po ashtu nuk mendoj as se në çdo mbrëmje bën raport mbi sukseset e të korruptuarve të tij!
Mendoj se kemi të bëjmë me një sistem politik të ndërtuar në 30 vite që korrupsion e ka metodë pune për privilegje dhe pasurim të shpejtë!
Mendoj se ka një konflikt të hershëm që në fillim të viteve '90 mes politikës dhe Shtetit si entitet! Nuk mendoj se Shteti shqiptar është në themel i korruptuar.
Madje besoj se ka nënpunës shumë të mirë korrekt, por këta janë në dhunë dhe presion të vazhdueshëm nga politika!
Politika e konsideron pothuajse armik Shtetin për qëllimet e veta! Kemi krijuar një kulturë të rëndë antishtetërore nga një politikë e babëzitur dhe e pa e përgjegjshme! Rasti i Shqipërisë nuk është unikal në Botë, por ja edhe precedent të tjerë e për t'i gjetur këto nuk duhet të shkojmë në Kinën e largët, por mjaftojnë të marrin Italinë! Kjo e fundit kishte 40 vjet që kishte krijuar një sistem politik të korruptuar që luftonte e dhunonte shtetin deri në fillim të viteve '90 që shënuan ndryshime epokale me skandalin e Tangentopoli! E kam thënë shpesh e ndoshta jam i vetmi që e them që Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në Tangentopoli e saj! Prandaj, për fat të keq lajme të arrestimeve të bujshme të niveleve të larta në vazhdim do të keni më shumicë!