Albin Kurti dhe Edi Rama

Ylli Pata: Albin Kurti ja mësyn Tiranës për herë të dytë! Çfarë sjell beteja e re me Edi Ramën?

12 Tetor 2023, 18:55| Përditesimi: 12 Tetor 2023, 19:00

  • Share

Fjalimi i Edi Ramës sot në Parlament për Kosovën, ku foli gjatë në lidhje me sulmet ndaj tij, pas sulmit terrorist të Banjskës, dha të kuptojë me gjerësisht qëndrimin e tij dhe të qeverisë shqiptare për Kosovën, por edhe të shqiptarëve në rajon.

Fjala në Parlament, është krejt ndryshe nga konferenca për shtyp apo cicërrimat në rrjetet sociale, a polemikat në panele.

Për herë të parë, realisht sot pas fjalës së Ramës, pati mjaft qasje në përmbajtje, kryesisht nga deputetët e opozitës. Gazment Bardhi, në fjalën e tij tha se Rama nuk duhet të miratojë vetë qëndrimet për Kosovën, por duhet që të jetë Parlamenti që duhet të miratojë strategjinë kombëtare.

Agron Gjekmarkaj, dha propozime për lobimin që mund të bëjë Tirana zyrtare për të rritur njohjet e Kosovës, ndërkohë që Kreshnik Çollaku dhe Flutura Açka nga PD-ja e Bashës, ishim më të ashpër, ku akuzuan fort Edi Ramën për marrëdhëniet me Beogradin dhe Serbinë.

Përveç ekseseve, kjo është një nga seancat e pakta kur në Kuvendin shqiptar u fol mbi përmbajtjen e një çështjeje në brendësi. Përjashto akuzat e sulmet e ndërsjellta që nuk se mund të pushojnë ndonjëherë, lënda e diskutuar, mund të krijojë një zhvillim politik normal në vend.

Ku të ketë një qëndrim thuajse të uniformuar për çështje të nivelit kombëtar. S’ka përse të shkojmë në Izrael se si u bënë bashkë menjëherë e gjithë politika pas makabriteteve të 7 tetorit të Hamasit, por mjafton të shikohen dy kryeqytete problematike të Tiranës; Beogradi dhe Athina.

Politika serbe është mjaft e zhurmshme dhe ka përplasje e ndarje pa fund, por për Kosovën, të gjitha partitë janë në një qëndrim. i vetmi që përkrah pavarësinë e Kosovës, Çedomir Jovanoviç i Partisë Liberaldemokrate, konsiderohet si dele e zezë. Por nuk është vetëm politika në Beograd, por e gjithë politika serbe në rajon: Beograd, Banja LLuka e Podgoricë, kanë një gjuhë politike për çështjet që ata shtrojnë.

Ndërkaq, në Athinë, mjafton të shikohet çështja Beleri, sesi të gjitha palët flasin me një gjuhë, me një logjikë, natyrisht secili ka nuancat e veta, por me ndërkombëtarët flasin njësoj. Madje, më shumë se kaq, Greqia ka një vend partner të ngushtë anëtar i BE-së me të cilin janë shtete vëllezër-Qipro. Si Athina e Nikozia janë me një gojë për çështjet e “minoritetit në Himarë” apo gjëra të ngjashme në Parlamentin Europian, në Komision, në Këshillin e Europës etj etj.

Ndërkaq shqiptarët për herë të parë po përjetojnë një rol të shtuar politik e diplomatik, ku është rritur në mënyrë sasiore prezenca e tyre në përfaqësimin e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi. Të paktën tre kryeministra e një zv.kryeministër në 6 vende të Ballkanit Perëndimor janë Shqiptar. Një cak i rëndësishëm që nuk ka pasur realisht atë fuqi potenciale e cilësore, ç’ka e jep prezenca dhe protokolli. 

Kjo falë përpasjes së fortë të Albin Kurtit me qeverinë e Shqipërisë. Kjo përplasje, më shumë sesa në përmbajtje, është një garë politike. Të cilët realisht po kërkon ta ushqejë Albin Kurti, pasi pikërisht ky konflikt e ka sjellë në pushtet në Prishtinë, e shpreson se ky konflikt do ta mbajë, duke krijuar edhe krahun politik të Tiranës.

Futja në burg në mënyrë të rrufeshme e udhëheqësve kryesore të UÇK-së, i dha Albin Kurtit në vitin 2021, fitoren e madhe të 14 shkurtit. Sipas të gjitha gjasave, fitorja e tij do të ishte në shifra krejt të tjera, së bashku me fuqinë e tij potenciale në numrat e Kuvendit.

E prekja e plagës që i bën Edi Rama, me hapjen e çështjes së komandatëve të UÇK-së, përveç të tjerave, edhe pse s’duket është një sfidë politike me të gjithë politikën në Kosovë, që UÇK-në dhe komandantët i ka kundër. Është një betejë politike, që duket do të vijë e të forcohet më shumë në të ardhmen, e ka shumë gjasa që forca e përpasjes në distancë të jetë gjithnjë e më e lartë.

Kurti, me qasjen e njohur duke i fryrë akuzave të afrimit me Vuçiçin, kurse Rama duke folur e hapur çështjen e procesit në Hagë ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve.

Rasti i Dritan Goxhajt nxorri një bombë të vërtetë në skenë. Ish-oficeri i UÇK-së, u burgos me kërkesë të Prokurorisë Speciale, pasi nxorrri emrin e një dëshmitareje në procesin e Hagës ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtaret ë Kosovës. Dëshmitarja, ishte as më shumë e as më pak, por këshilltare e ministres së drejtësisë në qeverinë e Albin Kurtit, Në intervistën për Sokol Ballën, pas lirimit nga burgu, Dritan Goxhaj, hapi edhe më librin e fortë të akuzave, ku ceku rolin e Kurtit e Vetëvendosjes në lidhje me procesin ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë. 

Goxhaj tha se dëshmitarët që po merren ndaj ish-udhëheqësve të Kosovës, janë anonimë, të fshehtë, e në shumicën e tyre ata nuk kanë qenë në vendngjarje për të cilat flasin. Pra janë të rremë. Ai shtoi se nuk ka asnjë vend në botë që të ketë dëshmitarë, identitetin e të cilëve nuk e di askush, ndërkohë që dëshmitarët e mbrojtur kanë emër mbiemër, por thjesht mbrohen nga shteti që të mos kërcënohen nga të akuzuarit. 

Goxhaj, tha gjithashtu, se Parlamenti i Kosovës, duhet ta amendojë ligjin për Gjykatën Speciale, duke ndaluar përdorimin e dëshmitarëve të fshehur. Por a do ta përkrahë këtë Albin Kurti ?

Ndërkaq, Edi Rama, pasi e ka ngritur në Këshillin e Europës, në Bruksel, apo edhe në Kuvendin e Shqipërisë, me dokumente zyrtare të Tiranës zyrtare, ka gjasa të vijojë edhe më tej këtë betejë.

Kurti, natyrisht që e ka nuhatur, e për këtë i është përgjigjur flakë për flakë : ka postuar një foto me djalin e Adem Jasharit, duke ardhur në Tiranë për ndeshjen e Kombëtares, ku bën tifo për Shqipërinë.

Dueli politik, sapo ka filluar për herë të dytë. E për një kohë, TemA e betejës politike nga panelet në Parlament, por edhe në Tiranë e Prishtinë do të jetë pikërisht dueli Rama-Kurti.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Linda: 13/10/2023 07:57

    Ndeshja ishte shume e bukur po me beri pershtypje se biletat ishin blere nga gjithe kosovaret se per shqiptaret ishte shume e veshtire te gjenin bileta ta shifnin ndeshjen nga afer ne stadium.Me ben shume pershtypje me zotin Albin Kurti se sa here vjen ne Shqiperi nuk pershtatet shume me thjeshtesin mikpritjen dhe bujarin shqiptare po si gjithmon tregon mendjemadhesin e vet!Familjet shqiptare hapen shtepit e tyre gjate luftes ne Kosov dhe strehuan grat dhe femijet e atyre kosovareve qe ishin ne Suedi,Gjermani ,,Zvicer etj tja kujtojm pak zotit Kurti vuajtjet dhe pasojat qe shkakton nje luft para se te vazhdoj betejat e tij absurde politike me politiken shqiptare!Nuk e zgjedh po eshte i detyruar te respektoj popullin dhe politiken shqiptare se tokat e Shqiperis jane e gjithe Shqiperis.

    Përgjigju
  • Gidi: 13/10/2023 00:38

    Albin, shkurt patatekukësi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?