Opinion

Aleancë me antishqiptarë!

10 Nëntor 2021, 15:17| Përditesimi: 10 Nëntor 2021, 15:34

  • Share

Si është e mundur që një parti në Maqedoni që e mban emrin Aleanca për Shqiptaret të lidhë koalicion me antishqiptarët?

Vetëm naivët dhe dashakeqësit e shqiptarëve tani mund të bëjnë koalicion me VMRO-në, e cila që nga ikja e Nikolla Gruevskit në Hungari dhe rënia nga pushteti e partisë së tij, nuk është reformuar fare, por vazhdon të “kultivojë” retorikë antishqiptare, të jetë filial i politikave pro-ruse dhe anti-perëndimore.

Është legjitime të luftohet BDI si gjoja parti e establishmentit dhe me siguri edhe kjo parti në mesin e saj ka zyrtarë të dyshuar për korrupsion.

Por legjitimiteti i betejës politike e humb kuptimin kur pa asnjë kusht i hidhesh në përqafim VMRO-së.

Si shkojnë bashke këto dy skena: Zijadin Sela me Albin Kurtin në Lezhë duke marshuar me poza skënderbegiane në kujtim të Lidhjes së Lezhës dhe Zijadin Sela partner i VMRO-se dhe i një partie kinse ultramajtiste maqedonase, e cila model biznesi ka urrejtjen raciste ndaj shqiptarëve.

Në politikë jo çdo qëllim i arsyeton mjetet. Sidomos jo sot, në një situatë tepër delikate gjeopolitike dhe me rreziqe të shtuara ndaj shqiptarëve.

Ndokush mund të thotë: Po mirë, edhe BDI ka bashkëqeverisur me VMRO-në. E vërtete dhe sidomos në fazën e fundit ky ka qenë koalicion joparimor.

Por a duhet tash që partitë “opozitare” shqiptare të përsërisin gabimin e BDI-së dhe të përqafojnë VMRO-në?

Pastaj shtrohet pyetja: Sa janë të përfaqësuara në mënyre legjitime interesat e shqiptarëve në Maqedoni nëse nga pushteti përjashtohet partia e pare e shqiptareve me rreth 50 për qind të votave të trupit elektoral shqiptar?

Ali Ahmeti mund të kritikohet për rastet e keqqeverisjes nga partia e tij, por për një gjë nuk mund ta akuzoje askush: Për parulla patriotike të recituara rrugëve të Lezhës dhe për servilosje ndaj atyre fuqive rajonale që synojnë fetarizimin e politikës!

Edhe në Mal të Zi, Dritan Abazoviçi në emër të luftës për heqje nga pushteti të partisë së Millo Gjukanoviçit bëri koalicion me forcat pro-ruse dhe pro-serbe.

Çka u arrit deri me tani? Një qeveri aq jostabile, saqë gati çdo dite flet për zgjedhje të reja.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?