Gjykata e Apelit i ka dhënë një goditje të fortë Sali Berishës, me vendimin që mori pas pesë orë shqyrtimi me themel të të gjitha dokumenteve të kuvendit të “Rithemelimit”, bazuar në ankesën e kreut të deleguar të PD zyrtare, Enkelejd Alibeaj.
Apeli e ka kthyer në gjykatën e Shkallës së Parë çështjen për vulën e PD, duke pranuar në këtë mënyrë kërkesën e Alibeajt, i cili kërkonte zhbërjen e vendimit të mëhershëm të gjyqtarit të kësaj shkalle, Zhukri që i jepte të drejtën e përfaqësimit të vulës dhe logos së PD, Sali Berishës.
Një vendim i tillë ishte i pritshëm, duke parë dhe mënyrën se si u thirr Kuvendi i Berishës në dhjetorin e vitit 2021, si u firmosën dhe vulosën të gjitha dokumentet që u dërguan për regjistrim në gjykatën e Faktit, teksa vulën e PD zyrtare e mbante Lulzim Basha dhe më vonë Enkelejd Alibeaj, ndërsa financat e partisë i mbante Gazment Bardhi. I cili kishte dhe numrin e llogarisë ku janë derdhur dhe do të derdhen paratë e fushatës dhe paratë që shteti financon për partitë.
Ndërkohë që një vendim të tillë e ka pritur dhe Sali Berisha vetë, i cili kishte shtuar ‘dozën’ e sulmeve dhe të presionit ndaj drejtësisë, gjykatës së Apelit, por dhe ‘dozën’ e sulmeve ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim.
Këta të fundit i akuzonte se kërkojnë të zhbëjnë opozitën duke zgjedhur ata kryetarin e PD dhe të opozitës, pasi sipas Berishës kanë ndikuar ndaj gjykatës së Apelit për t’i dhënë vulën dhe logon e PD grupit të Alibeajt dhe Bashës.
Madje në formë presioni ndaj drejtësisë por dhe ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë, me ‘tezën’ e destabilizimit të vendit, Berisha organizoi sot një protestë “revolucion” para kryeministrisë, ndërkohë që gjysmën e mbështetësve e kishte lënë rrotull Gjykatës së Apelit.
Përtej vendimit të Apelit që e ktheu çështjen në gjykatën e Faktit në Tiranë, duke zhbërë vendimin e Zhukrit, dhe kërkuar që çështja të shqyrtohet me themel, gjë që merr kohën e vet, duke shtuar këtu dhe ndonjë grip apo sëmundje që do të ‘zërë’ gjyqtarët në vijim që parashikon zgjatje dhe mbi një vit të procesit, ajo që mbetet të diskutohet tani është se ku do t’i çojë Berisha tani kandidatët e “Rithemelimit” për garën e zgjedhjeve për pushtetin vendor më 14 maj, të zgjedhur prej tij përmes “primareve”.
Janë disa, madje dhe deputetë, si ai i Tiranës Belind Këlliçi, i Elbasanit Luçiano Boçi, i Vaut të Dejës Zef Hila, por dhe kandidati për bashkinë e Durrësit Igli Cara si dhe shumë të tjerë, të cilët kanë mbi një muaj që e kanë filluar fushatën, ndërkohë që tashmë nuk dinë me cilën sigël partie apo koalicionin do të hyjnë në zgjedhje.
E themi këtë sepse aleati kryesor i Berishës, me të cilin ka nënshkruar koalicionin, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta një ditë më parë ka regjistruar partinë që drejton për zgjedhjet e 14 majit për pushtetin vendor.
Nuk i dimë se cilat kanë qënë kalkulimet e Metës, vendim që erdhi vetëm një ditë pas bisedës kokë më kokë në zyrën e Berishës, por ajo që mund të themi është se kjo e lë liderin e “Rithemelimit” jashtë dyerve të KQZ dhe për pasojë dhe jashtë 14 majit, pasi nuk mund të përsëritet skema e 6 marsit të dy viteve më parë, ku Rithemelimi dhe LSI hynë me koalicionin “Shtëpia e Lirisë” në zgjedhjet e pjesëshme në 6 bashkitë pa kryetar, dhe u votua për kandidatët e Berishës. Pra gjeti “strehë” te Meta.
Në rastin e zgjedhjeve të 14 majit, Berisha nuk mund të jetë të regjistrojë kandidatët për kryetar bashkie dhe as mund të votohet si parti e koalicionit me Metën, pasi Partia e Lirisë është regjistruar tashmë si parti në zgjedhje, ndërsa “Rithemelimi” nuk ka vulë, është në të “zezë”.
E vetmja mënyrë për të regjistruar kadidatët për kryetarë bashkie në ‘përqasje’ me koalicionin me PL të nënshkruar më parë është që të hyjë me siglën e Partisë së Metës. Pra i bie që Berisha dhe mbështetësit e tij të “Rithemelimit” të “anëtarësohen” në PL.
Kjo është një kosto me të vërtetë të madhe, duke ditur se Ilir Meta ia ‘mat kokën me spango’ kujtdo aleati të madh në një koalicion normal, jo tashmë që Berisha do të jetë një ‘numëror’ në partinë e tij. Pra vartës. Ndërkohë që Meta praktikisht bëhet kryetar i opozitës.
Nëse Berisha nuk e pranon këtë skenar, atëherë do të duhet të gjejë gjuhën me kreun e PR Fatmir Mediu ose dhe me kreun demokristian Nard Ndoka, që të formojnë një kolicion shpejt e shpejt, t’i vërë dhe një emër dhe të hyjë në zgjedhje me këtë sigël koalicioni. Gjë që ka dhe vështirësitë e veta. Pasi koha në dizpozicion, deri në përfundimin e 7 marsit sipas kushtit të KQZ, është shumë e pakët.
Ajo që mund të themi është se Berisha ka marrë atë që ka kërkuar: shuarjen e grupimit më të madh në PD. Nuk përjashtohet që një pjesë e tij të “rikthehet” tek PD zyrtare, për të mos qënë jashtë veprimit opozitar dhe për të mos shkuar dëm votën më 14 maj, duke mbështetur PD e Alibeajt, në pritje të ditëve më të mira për opozitën.
Gjithsesi, opozita është frymë, dhe kjo frymë shumëfushon votat mbi anëtarësinë. Kjo frymë mungon te opozita, dhe gjasat janë që opozita të mos fitojë asnjë bashki në vend. Sepse dhe grupimi i Alibeajt është me vulë dhe logo të PD, por ka pak anëtarësi dhe nuk mund të thyejë ngjyrimin “rozë’ të bashkive në rang vendi.
I vetmi që mund të përfitojë është Ilir Meta, që të paktën ruan afërsisht mbështetjen e viteve të fundit, dhe grupimet e reja opozitare të Patozi-Shehi, apo dhe PDIU e Shpëtim Idrizit. Pasi të djathtët dhe opozitarët, ata të thekurit, do të hedhin votën diku. Pa përjashtuar që pjesa më e madhe do qëndrojë në shtëpi më 14 maj.
Gjithsesi Berisha më në fund ia doli, arriti që për hallin e tij personal të shkatërrojë partinë më të madhe opozitare në vend, dhe partinë e parë që shembi komunizmin në Shqipëri. Shqetësimi përbën faktin nëse do të kthjellohen ata që ndjekin pas Berishën “non grata”.