Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Opinion

Alibia që i duhet djegur Lulzim Bashës

19 Qershor 2021, 14:26| Përditesimi: 19 Qershor 2021, 14:27

  • Share

Treshja e kandidatëve humbës në zgjedhjet për kryetar të PD-së, e pranoi rezultatin që prodhoi 13 qershori. Pavarësisht se u munduan ta justifikojnë këtë me parregullsi organizative, të cilat tashmë janë bërë publike, fakti që u futën në garë i zhvlerëson të gjitha pretendimet.

Pretendimi për përjashtim të anëtarësisë nga e drejta për të votuar mbeti në teori, sepse faktikisht, po të kishte pasur dyndje anëtarësh që nuk e gjenin emrin në listë, do e kishim marrë vesh. Rastet sporadike që dolën, nuk përbëjnë argument për ta mbështetur këtë tezë.

Më së shumti kemi të bëjmë me bojkot të zgjedhjeve nga anëtarësia demokrate dhe kjo duhet të përbëjë shqetësimin kryesor për kampin blu.

Për të verifikuar shkallën e këtij bojkoti, nuk ka nevojë të shkohet larg në kohë siç përmendet korriku i vitit 2017, por mjafton shtatori 2020 ku Partia Demokratike nisi procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për deputetë. Duke qenë një proces i brendshëm partiak, nuk kemi mundësi që të nxjerrim statistika të sakta se sa ka qenë në shtator 2020 numri në lista i anëtarëve të PD-së, në rang vendor dhe kombëtar, duke e ballafaquar me qershorin 2021.

Po ashtu, sa ka qenë në shtator 2020 numri i pjesëmarrësve në zgjedhje, në rang vendor e kombëtar, duke e ballafaquar me qershorin 2021. Po të bëhej ky krahasim numrash, do kuptohej lehtësisht se në qershor 2021 kemi rënie drastike si të anëtarësisë ashtu dhe të zgjedhësve që morën pjesë në votime. Këtë konkluzion e nxjerr nga prononcimi në media i zyrtarëve vendorë të PD-së.

Por tashmë ky është një kapitull i mbyllur për PD-së, sa kohë që kryetari Lulzim Basha u rikonfirmua me 81 për qind të votave. Sfidantët e tij nuk arritën dot ta cenojnë fitoren e Bashës as në bashkitë prej nga ku kanë origjinën. Kur nuk fiton dot në qytetin ku ke lindur ose ke origjinën, kur nuk fiton dot në njësinë administrative ku banon aktualisht, çfarë mund të pretendosh tjetër?! Ajo që duhet të bëjnë tre rivalët e Bashës, përfshi edhe ata që ishin dekori mbështetës deri më 13 qershor, është që duhet ta lënë Lulzim Bashën që të krijojë ekipin e tij të drejtimit politik të partisë.

Ata mund të jenë anëtarë të thjeshtë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, edhe të Këshillit Kombëtar, por jo më shumë. As në kryesinë e partisë, as në detyra ekzekutive të çdo niveli politik qofshin.

Lulzim Basha, pas fitores plebishitare, ka gjithë të drejtën për të përzgjedhur në kryesi, sekretariat dhe çdo drejtim departamenti, njerëzit e tij më të besuar. Është më se normale që ekipi i kryetarit të ketë persona që janë luajalë me të. Ata të gjithë së bashku, duhet t’i shfaqen publikut si një trupë e vetme, e cila do të përbëjë alternativën qeverisëse përballë kundërshtarëve socialistë. Nuk ka asnjë arsye që grupi kundërshtar dhe në oponencë me Lulzim Bashën, të pretendojë karrierë politike në sferat e larta pas disfatës që korrën në parti.

Ata nuk kanë pse të jenë xhelozë në këtë drejtim. Ato që kanë për të thënë le t’i shprehin në forumet ku do të zgjidhen, përfshi edhe në media. Por vetëm kaq. Në zgjedhjet vendore 2023 dhe ato parlamentare 2025, Lulzim Basha dhe ekipi i tij, duhet të shkojnë për të korrur suksesin e parë ose dështimin e radhës. Në rast fitoreje duhet të marrin meritat e të gëzojnë ofiqet e pushtetit. Në të kundërt, Lulzim Basha dhe ekipi i tij, duhet të largohen në bllok, pa të drejtë kthimi koke pas.

Nëse grupi i të mundurve, do përpiqet që të investohet politikisht për të kapur poste në PD që t’i bëjë oponencë kryetarit nga nivelet e larta, gjykoj se nuk i përgjigjet realitetit që prodhoi 13 qershori. Mandati që mori Lulzim Basha nuk i lë atij asnjë mundësi për të ndarë pushtet me rivalët në garën për kryetar dhe ata që i mbështetën. Prandaj ai duhet lënë që të ketë përgjegjësinë 100 për qind në përballjet e ardhshme elektorale. Kësisoj nuk do të ketë më asnjë alibi justifikuese po dështoi sërish.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?