Altin Dumani

Mero Baze: Altin Dumani nuk duket i frikësuar dhe ky është lajm i mirë

28 Shtator 2023, 20:19| Përditesimi: 28 Shtator 2023, 20:24

  • Share

Drejtuesi i SPAK Altin Dumani ka folur para një grupi gazetarësh, duke ju dhënë përgjigje gjtihë pyetjeve për çështjet që ka nën hetim. 

Natyrisht që komentet e një kryeprokurori janë gjithmonë të rezervuara për të mos dëmtuar hetimet. Por për herë të parë ne kemi një drejtues të lartë të Prokurorisë, që nuk heziton t’i përgjigjet çdo pyetje pa fshehur asgjë.

Zakonisht prokurorët tanë kanë pas tradita progandistike, të tipit “në shtator do ketë arrestime” apo “jemi në rrugën e duhur në hetime”. Kjo gjuhë është zhdukur si çdo gjuhë e vdekur.

Kreu i SPAK është përgjigjur pa komplekse si për hetimet ndaj ministrave dhe zyrtarëve të lartë të pushtetit, ashtu dhe për ato ndaj familjes Berisha, Meta apo biznesmenëve të paditur për pastrim parash.

Pra shikohet qartë se kemi një prokurori e cila nuk ndjehet në siklet nga asnjë palë, as nga pushteti, as nga opozita, as nga biznesi i madh.

Rezultatet e prekshme deri tani janë vetëm kundër qeverisë. Dhe është e kuptueshme, pasi qeveria ka shansin të përballet me shkelje të ligjit dhe korrupsion, se është në pushtet. Por Dumani pranoi hetime shtesë për Gërdecin, që në fakt lidhen me djalin e Sali Berishës, hetime ndaj Ilir Metës dhe hetime ndaj biznesmenëve.

Pavarësisht kësaj gjeografie të plotësuar të luftës kundër korrupsionit, e rëndësishme është që SPAK të vendosë standarde drejtësie dhe jo doemos balancime politike në drejtësinë shqiptare. 

Nëse hetimet për pasurinë për një ministër shkojnë deri në vitin 2000, atëherë këto duhet të shkojnë dhe për një ish- ministër apo kryeministër. 

Nëse një dosje vrasjesh nuk mbyllet kurrë, kur atë e bën një kriminel, nuk ka pse mbyllen dosjet e vrasjeve të 21 janarit apo ato të Gërdecit, kur atë e bën një kryeministër apo bashkëpunëtor i tij.

Pra është e rëndësishme që të vendoset një standart drejtësie që të shërbejë jo vetëm si shembull frike, por mbi të gjitha si shembull ndëshkimi.

Siguria me të cilën Altin Dumani u është përgjigjur gjithë pyetjeve jep shpresë se ai të paktën nuk duket as i frikësuar, dhe as i impresionuar nga ata që po heton. 

Dhe kjo nuk është pak në një vend, ku kryeministri ka sulmuar kryeprokuroren me fjalor të ndyrë dhe gjithë shteti dhe drejtësia ka ulur kokën duke e lënë një grua të vetme përballë një njeriu që sapo kishte vrarë dhe ende nuk është pyetur pse ka vrarë.

E rëndësishme është që kemi një prokurori speciale që ka dërrmuar qeverinë me arrestime dhe nuk ka marrë asnjë sulm nga kryeministri, dhe akoma më keq një prokurori që duhet të ishte e lavdëruara e madhe e opozitës, por për fat të keq të saj është e mallkuara e madhe e saj për shkak të Sali Berishës, i cili e di se çfarë ka bërë.

I vetmi segment opozitar që e mbështet SPAK ka mbetur Partia Demokratike e Lulzim Bashës dhe ndonjë deputet mbetur jashtë çadrës se Berishës. 

Por tani së paku kemi një prokuror që kryeministri nuk i thotë më horr bulevardi, dhe ai nuk është më vetëm kur dikush e sulmon. Pasi atë nuk e sulmojnë se është me pushtetin apo opozitën. E sulmojnë pikërisht se nuk është me asnjë prej tyre. Kjo i tremb. 

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?