Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një sfidë që duhet tejkaluar vetëm me njohje reciproke dhe jo diçka më pak.
“Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”, tha ai.
Duke folur në një panel të samitit “The Western Balkans 2024”, që po mbahet në Prishtinë, Hovenier theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
“Ka një varg zyrtarësh amerikanë, përfshirë dhe mua, që kalojmë shumë kohë për zbatimin e plotë të obligimeve që Kosova dhe Serbia i kanë marrë në procesin e lehtësuar nga BE-ja”, tha Hovenier.
Dy vendet janë në negociata për më shumë se një dekadë, por shumë prej marrëveshjeve që kanë arritur, nuk i kanë zbatuar.
Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për mungesë gatishmërie.
Hovenier theksoi edhe një herë qëndrimin e tij se nuk pajtohet me një deklaratë - të miratuar më 8 qershor nga Serbia dhe entiteti serb i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska - në të cilën Kosova trajtohet si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.
“Ky nuk është qëndrim i vendit tim apo i partnerëve. Ne e kemi njohur Kosovën si vend të pavarur demokratik dhe kjo nuk mund të diskutohet”, tha Hovenier.
Të njëjtën gjë ai e tha edhe një ditë më herët, duke kujtuar se SHBA-ja e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe se ajo do të mbetet prapa këtij qëndrimi “me krenari”./ Rel