Andoni: A ka mbetur jetim imazhi i Ismail bej Qemalit edhe në Demokraci?!

29 Shtator 2019, 19:31| Përditesimi: 29 Shtator 2019, 19:32

  • Share

Ka dy kulmime simbolike të figurës së Ismail Bej Qemalit në dekadën e fundit. E para është kur u shpall konkursi për realizimin e shtatores së tij në nder të 100-Vjetorit të Pavarësisë. Pa e shpjeguar me detaje, konkursi dështoi dhe politika shqiptare bëri zgjidhjen më pragmatiste të mundshme.

Nxori nga Muzeu Kombëtar veprën klasike të Odhise Paskalit, dekanit historik të skulpturës shqiptare dhe e vendosi diku në Bulevard. Shtatorja e Ismail bej Qemalit përgatitur për interier nuk shkon me eksterierin, ku tashmë është i fiksuar e futur në një si skutë përballë lëbyrjes që shkakton Hotel “Rogner”. Mënyra sesi është sajuar bazamenti e humbet krejtësisht figurën e tij dhe për një vizitor, ai mbetet një simbol i zakonshëm i qytetit. Më pak fjalë, Babanë e Pavarësisë e eklipson komplet lulishtja por edhe sajesa. Deri sa ikën Demokratët nga pushteti, askush nuk u kujtua ta riparonte këtë gabim bajagi të madh. Ekipi i ri i bashkisë, nuk mundi të gjente një zgjidhje apo të ininconte diçka me Minstrinë e Kulturës. Mungonin sheshet? Jo. Mungon realisht interesi për të…

Ndërkohë, deri në ditën e 100-Vjetorit të Pavarësisë, struktura funebre që mbarte trupin e tij ishte pothuaj e harruar dhe shumë vizitorë në Vlorë as nuk e dinin që ai ishte në atë lulishte aspak të mbajtur dhe të kthyer në vend, ku kalonin kohën e lirë moshat e treta dhe në fund të lojës e kishin kthyer vendin përreth një objekt social shumëdimesional. Më “të kujdesshmit” i kishin hequr dhe shkronjat strukturës, e të mos mjaftonin këto edhe data e Lindjes dhe e Vdekjes të kryeministrit të parë, ishin të shkruara gabim.

Kryeministri i ri Edi Rama gjeti një moment të mirë për ta bërë institucion shtetëror figurën e tij. Vendimi i parë i qeverisë së tij ishte që çdo zyrë shtetërore do të ishte e pajisur me imazhin e Atit të Pavarësisë, në vend të imazhit të përvuajtur të presidentit të asokohe, Bujar Nishani. Ngërçi i krijuar ishte disi absurd, por edhe i padebatueshëm përveç Opozitës që zgjodhi ta mbante imazhin e presidentit (zgjedhur prej saj), ndërsa i shtoi tek-tuk nga halli edhe atë të Ismail Qemalit. Pas kësaj, nderimi protokollar i Ismail Qemalit u arkivua dhe qeveria Rama iu derdh punëve të tjera, që në mandatin e parë bëheshin me një zhurmë të madhe, shoqëruar me propagandën që e shumëzonte çdo gjë disafish. Vetëm se këtë herë, Ismail Qemali do të harrohej sërish, madje këtë herë edhe më hidhur, sepse dukej ashtu si jetim në zyrat luksozë të ministrave të rinj. Askush nuk do t’i kthehej më monumentit të tij.

Vlonjatët do ta merrnin vetë në dorë simbolikën e tij. Instituti “Ismail Qemali” dhe sidomos drejtuesi i tij, Bujar Leskaj, herë në bashkëpunim me komunitetin, disa herë personalisht do të ngrinte buste dhe do t’i shpërndante kudo në Lumin e Vlorës, por edhe jashtë rrethit. Po a do mjaftonin këto? Për Leskaj, kjo nuk ia vlen të përmendet. “Ne e bëjmë për një burrë që na shënjoi pavarësinë”, do të thoshte ai duke vazhduar përpjekjen që ai të vendoset kudo.

Dhe, qeveria…. Nëse Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkencave nuk do të ndërmerrnin disa aktivitete, ky vit (2019) mund të quhej jo si viti i Ismail Qemalit, shënjuar nga qeveria pasi në fakt nuk e përmbushi dot, por viti i kujtdo… Qeveria Rama nuk mundi dot ta bënte nderimin e tij me të gjithë tagrin që meritonte, apo që të vendoste një balancë me figurat e tjera që ka mundur të nderojë qoftë edhe përmes përfoljeve të shumta kryeministri.

Ismail Qemali, gjithnjë u ka bërë hije politikanëve shqiptarë. Jo më shumë prej aktit të madh që realizoi bashkimin e shqiptarëve, por prej mënyrës sesi i trajtoi kundërshtarët e vet. Jo më kot, ata e lanë të mbytej në fatin e tij të keq. Diktatura kaloi në teprim, pasi u mundua gati ta minimizonte rolin e tij, thjesht prej faktit se një nga datëlindjet e tij të supozuara ishte në 16 Tetor, ditëlindja e ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha, “Babait të ri të Kombit”. Ky i fundit shkoi edhe më tej ose më saktë instrumentet e tij. I hoqi dhe titullin bej, që ta çonte deri në fund eksperimentin socialist të ndryshimit të personazheve të historisë. Ismail Qemali, me këtë rast, do ishte një personazh i zakonshëm, që njerëzit e zakonshëm e kujtonin, por që nuk e dallonin dot nga simbolikat e tjera të fuqishmë të Socializmit.

Demokracia ndoqi rrugën e Diktaturës, në një anë, pasi e ka vendosur sërish në një si mënjanim për t’i lënë vend figurave të tjera, si Ahmet Zogu dhe lloj-lloj personazhesh që mbushin sheshet tona por që nuk mund të krahasohen me simbolikën e madhe, që prezanton ai.

Me sa duket, fati i Ismail bej Qemalit ka qenë i shënjuar me fatin e shqiptarit të mirë, atij që kinse e vlerësojmë por e harrojmë diku, ngaqë kemi turp për atdhedashurinë dhe ndjenjat që ne i kemi flakur prej kohësh, në emër të rendjes për modernitet dhe përshtatje. Dhe, kështu, imazhi i Ismail bej Qemalit është ende jetim, por tashmë edhe në Demokraci…kur gjoja jemi shkëputur nga komplekset tona të së shkuarës. (Homo Albanicus)

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?