Andoni: Lulzim Basha, ndërmjet destinit dhe fatit

6 Shtator 2019, 21:59| Përditesimi: 6 Shtator 2019, 22:01

  • Share

Ka ditë që mbi kryetarin e Opozitës Lulzim Basha kanë rënë shigjetat e kritikave nga të gjitha anët. Ai vetë e ka hequr mburojën pas urdhëresës së brendshme drejtuar strukturave të tij për të diferencuar mediat, ku ka treguar se në një farë mënyre nuk i shkëputet dot destinit të tij për të qenë pjesë e klasës së vjetër politike shqiptare me të cilën lidhen të gjitha dështimet në vend: Që nga integrimi dhe duke vazhduar me mirëqenien ekonomike të vendit. Për këtë të fundit, ai (bashkë me shpurën e Demokratëve) dhe kolegët e tij socialistë i bashkohen dhe kolegëve të tyre të para viteve ’90 dhe kjo e bën fatin e politikanit shqiptar të vulosur. Ai asnjëherë nuk ka qenë i zoti të punojë si duhet për mirëqenien e popullit të vet. Ka një dallim të madh të destinit, i cili mund të menaxhohet dhe të fatit, një kategori që vendet e demokracive liberale e shmangin. Gjithsesi, në vende si tonat, me një gjendje hibride, gjërat janë të prera: E, jo më kot, retorikat e politikanëve i mbyllim shpesh me deklarata fetare.

“Unë mund ta kontrolloj destinin tim, por jo fatin tim. Destini do të thotë që dikush e ka mundësinë për t’u kthyer djathtas ose majtas, kurse fati është një rrugë me një vetëm drejtim. Unë besoj se të gjithë kemi zgjedhjen nëse e përmbushim destinin tonë, por fati ynë është i vulosur”, shprehet shkrimtari Paulo Coelho. Çfarë do të thotë se njerëzit dhe sidomos ata që drejtojnë sistemet qeverisëse kanë mundësi që me politikat e mira të ndryshojnë për mirë destinet e vendeve të tyre.

Lulzim Basha, deri më tani, konsiderohet thjesht një produkt i fatit, i të qenurës benjamin i liderit të vërtetë historik të PD-së, Sali Berisha. Nëse ky i fundit do të kishte një preferencë tjetër, ai edhe nëse do të kishte mbijetuar në zallamahinë e administratës shqiptare, me shumë gjasë do të ishte thjesht një nëpunës i panjohur. Pikërisht këtu fillon përpjekja me destinin. Basha ka vërtetë fatin por nuk e kaloi apo e ndryshoi asnjëherë destinin e tij, pasi nuk mund të bëhet dot origjinal. Dikur çdo lëvizje e tij ishte pothuaj e ngjashme me atë të Ramës, kurse sot e imiton atë në më të shëmtuarën: në presionin bajat ndaj medias, pa të cilin ai dhe kryeministri i vendit do ishin thjesht…të zakonshëm mes të zakonshmëve.

Orët e fundit Bashës i kanë gjetur shumë mundësi për ta kritikuar dhe gjithnjë e më shumë nga strukturat e PD-së, kuptohet më së shumti individë, që vetëm nuk mund të bëjnë dot asgjë përveçse të flasin me mllef. Por, kjo nuk do të thotë që ai të flirtojë me destinin dhe të mos shikojë se e ka futur në apati të thellë PD-në, pasi e nxorri gati vullnetarisht nga sistemi. Është e drejtë deridiku ajo që mëton se qenia e tyre në parlament ishte bërë e pamundur nga ana PS-së, që sot mbart një mal jo të vogël problemesh, por kjo nuk është justifikim për bojkotin.

Basha po vazhdon me zhurmën (tani me përsëritjen bajate të protestave të Vjeshtës) dhe e ka futur opozitën në një lodhje të pabesueshme me mungesën reale të idesë për ndryshimin dhe përballjen me Ramën. Por, njerëzit presin zgjidhje prej tij dhe sidomos idetë sesi ai do të ndryshojë këtë destin historik të vendit, si një nga më të varfrit dhe më pak demokratikët. Këtë Basha nuk e dëgjon, sepse i pëlqen ajo që beson nënvetëdije se fati ka lënë për të: që ç’farëdo të ndodhë ai është kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. (Javanews)

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?