Kryeprokurori i Kosovës Aleksandër Lumezi dhe Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i Republikës (SPAK), Arben Kraja, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Kosovën për bashkëpunim në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave, terrorizmit dhe veprave tjera penale.
Qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi në mes të dy institucioneve është që të avancohet bashkëpunimi i drejtpërdrejtë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave, terrorizmit dhe veprave tjera penale në kuadër të juridiksioneve të të dyja vendeve dhe në përputhje të plotë me ligjet kombëtare përkatëse.
Po ashtu, synohet të zbulohen, hetohen dhe të dënohen të gjithë autorët e përfshirë në veprimtaritë kriminale, duke shkëmbyer informacione, dokumente që lidhen me hetimin dhe kompetencat respektive në mes të autoriteteve nënshkruese të këtij memorandumi.
Palët nënshkruese të memorandumit janë dakorduar që të promovojnë zhvillimin e kontakteve dhe marrëdhënieve në nivel profesional të zyrave përkatëse, duke i caktuar edhe pikat kontaktuese për shkëmbimin e informacioneve dhe akteve tjera të nevojshme.
Prokurori i Shtetit i Republikës së Kosovës dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Republikës së Shqipërisë, janë zotuar që të bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën në luftimin e të gjitha formave të krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve.