Arbëreshët e Italisë janë ndalur në varrin e poetit të madh Dritëro Agollit. Vizita e tyre në Shqipëri vjen në kuadër të projektit “Të dua Arbëri”, një bashkëpunim shqiptaro-italian mes dy shoqatave Albanian Excellence dhe Vorea. Presidentja e shoqatës Albanian Exellence, Flora Nikolla tregon për Report Tv raportin që poeti Dritëro Agolli kishte me arbëreshët.
Unë isha fëmijë dhe kujtoj me shumë mall dhe me shumë nostalgji dashurinë e madhe, duke e njohur personalisht, mik i familjes sime...dashurinë e madhe që kishte për Arbërinë dhe Arbëreshët.
Presidentja e Albanian Exellence, Flora Nikolla.
E bija e Dritëroit, Elena Agolli zgjodhi që në këtë ditë të lexohej letra që poeti arbëresh Vorea Ujko i ka dërguar Dritëroit në vitin 1981.
“I dashur Dritëro,
Unë e ndiej largësinë nga ju . Jam gjithmonë i detyrueshëm për mikëpritjen vëllazërore dhe nuk di si t’ia shpërblej mëmës Shqipëri . Po unë e di se ti je i kënaqur kur unë i shërbej atdheut . Unë jam poet si edhe Ti je poet .Po , je poet . Kam rilexuar në këto ditë “Nënë Shqipëri” e më qan shpirti dhe m’u mbush me gëzim . Ajo është historia gjeologjike , panoramike , legjendare, heroike, filozofike, kombëtare, politike, shoqërore, popullore e gjithë Shqipërisë. E ti askurrë s’je spektator por jeton me çdo çast të kësaj historie, je i ngatërruar me çdo ngjarje dhe mishëron në vjershat dashurinë për atdheun , ndjenjën e dëshirat e njeriut shqiptar.
E gjithçka janë mish e gjak . Ti je plot nerva , zemër e tru. Je i rreptë dhe i butë , krenar i përvuajtur , i përflaktë e i akullt, serioz e sarkastik , i trishtuar dhe i gëzuar. Nëse isha një romantik do të thoja engjëll e demon. Me ty Shqipëria bëhet zemra e botës.
Mes dy malesh me dëborë,
Ka një trim vetullhollë
O ju korba, mos më ngani
Sytë e zez ju mos m’i hani…
Sigurisht ashtu këndonte De Rada e kjo është një raspodi e shkëlqyeshme arbëreshe. Cila letërsi vallë e ka këtë perlë?
E tashti si kritik do të doja që Dritëroi ta shpinte vëmendjen , që askurrë s’është skeptike, por përherë serioze dhe e angazhuar , rreth temave të njeriut e të jetës, rreth temave të Lorkës , Pasternakut, Nerudës, Quasimodos, Montales, etj Do të ishte një ndërprerje mes luftës, pushimi i luftëtarit . Jam i bindur se do të fitosh çmimin Nobel. Ndryshe i vë zjarr Suedisë. Tani jam duke shkruar një kritikë mbi Dritëro Agollin , por nuk e harroj poezinë. Akoma nuk e kam lexuar as te Drita as te Nëntori poezinë që të kam kushtuar. Pse? Vallë s’të pëlqeu? Tuk-tuk ! Hape!Jam unë! As kamarad, as tavarish . Hape!
Jam Vorea Ujko e zemrën e kam të bardhë. Bëjani qejfin poetit.
“Drita” kërkon përshtypjet e mia për vendin tonë. Le t’i shkruajnë të huajt. Për mua Shqipëria është mëma e nuk shkruhen mbresa mbi mëmën . Mëma këndohet. Ti më kupton. Asgjë akoma nga vëllezërit Kosovarë . Unë i kam shkruar Esadit por nuk kam pasur përgjigje. Falënderime për Llazar Siliqin që shkruan bukur për arbëreshët. Të fala të përzemërta Vehbiut, Fatmirit , Ismailit , Fatosit , Aleksit , partizanit Andrea, Spahiut, Ibrahim Fehmiut, Bardhylit , Nasho Jorgaqit , L.Qafëzezit.
Kur do të takohemi ? Qofsh i lumtur me familjen!
Të përqafoj , Vorea Ujko
Letra e poetit arbëresh Vorea Ujko për Dritëro Agollin
Edhe më emocionues ishte teksti i këngës “Jetë e re” që arbëreshi Vorea Ujko shkroi për mikun e tij të veçantë Dritëroin. Një këngë që u këndua nga Santino De Bartolo.
“Të dua Arbëri” parashtron aktivitete shumëdimensionale deri më 6 maj, ku një grup prej 20 arbëreshësh do të realizojnë aktivitete shumëdimensionale me qëllimin e ruajtjes dhe përhapjes së traditës së të parëve të tyre.