Sali Berisha, Edi Rama dhe Lulzim basha

Opinion

Arnimi i kushtetutës, ndryshimet 2008 dhe hija e një pakti të ri Rama-Basha

8 Shtator 2021, 18:14| Përditesimi: 8 Shtator 2021, 18:19

  • Share

Një nga problemet më shqetësuese të politikanëve të kohës sonë është se flasin dhe shprehen me gjuhën e konstitucionalizmit demokratik. Është kaq e përzgjedhur dhe kaq elokuente retorika demokratike e Ramës, paraardhësit të tij Berisha dhe politikanëve të tjerë, saqë publiku mbetet në grackën e një debati pa sens. “Për shkak se ata përdorin retorikën e demokracisë dhe metodat e ligjit, vëzhguesit e kanë të vështirë ta shohin rrezikun derisa të bëhet tepër vonë”, shprehet Kim Lane Scheppele te“Legal autocrats are on the rise. They use constitution and democracy to destroy both”.

Mbase gjithçka do vazhdonte në hullinë e zakonshme të debateve lodhëse, nëse në fjalimin e tij të gjatë në Këshillin Kombëtar, kryetari i rizgjedhur i PD-së, Lulzim Basha të mos kujtonte paktin e vitit 2008 Berisha-Rama, ku u bënë ndryshimet kushtetuese të radhës. Asokohe, justifikimi ishte i pranueshëm për publikun: Të zvogëlohej sa më shumë konflikti pa logjikë i PS dhe PD, dy forcave kryesore politike. Ndodhi, siç ndodh rëndom, kur ndryshimet kushtetuese bëhen vetëm nga politikanët, kjo marrëveshje do rezultojë një nga më të hidhurat në vend.

Pak kthim pas

Në fundin e viteve ’90 dhe në dekadën e parë të mijëvjeçarit të ri, dy partitë kryesore në vend bënë rokadë normale me njëra-tjetrën. Partia Socialiste e nisi më 1998 dhe e mbaroi më 2005, kurse pas kësaj date ishte radha e rikthimit të PD-së dhe aleatëve të saj deri në 2013. Pak vite më parë është miratuar kushtetuta dhe megjithë kundërshtitë, politikanët do i referohen shpesh dokumentit themeltar të vendit. Kuptohet, kur duan të diktojnë sepse kur përballen me handikapët dhe ashpërsimin e retorikës politike, faji i ri-mvishet kushtetutës, më saktë hapësirave në dokumentin sublim, ku sipas tyre duheshin sërish ndërhyrje. Në fakt, kriza mbartej qysh më 2007, ku luftohej për numrin e anëtarësisë së KQZ-së. E kësaj kohe është fillimi i diskutimit të dy palëve, si zakonisht jashtë vëmendjes publike rreth ndryshimit të kushtetutës në disa elementë thelbësor të saj. Përfundimi: votim konsensual. Një numër juristësh do të shpreheshin me të drejtë se ishte e pakuptueshme mospjesëmarrja e tyre dhe se pasojat e hidhura nuk do mungonin. Ekspertët e shoqërisë civile shkuan edhe më tej, kur u shprehën tërësisht kundër saj. Po me çfarë kishin të bënin ndryshimet kushtetuese të vitit 2008? U kalua nga sistemi i votimit miks në sistemin proporcional rajonal, por thelbi lidhej me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ku u kalua me zgjedhje me shumicë të thjeshtë në dy raundet e fundit. Prej këndej, u bë fare pa peshë roli i presidentit, qoftë mbi pozitën e Kryeministrit por edhe ndaj parlamentit. Kishte një mandat të ri për Prokurorin e Përgjithshëm; teksa periudha e qeverisjes vendore shtyhej edhe me një vit: nga tre bëhej katër vjet. Kryeministri, që këtej e tutje, kishte kontroll mbi parlamentin, ndërsa me mocion besimi mund të provokonte në çdo kohë zgjedhje të parakohshme teksa shkarkimi me mocion mosbesimi bëhej teknikisht thuajse i pamundur, do të vërejë eksperti Afrim Krasniqi.

Ajo që do të rrjedhë më pas është e trishtë. Qysh atëherë, 140 deputetët e përzgjedhur në Parlamentin e Shqipërisë janë të niveleve aspak përfaqësuese, jo rrallë njerëzit e pasur, ata që paguajnë, siç paguajnë dhe marrin titujt profesorë, doktorë ose edhe që s’kanë mbaruar shkollat e larta, ata që s’e kanë mbaruar ende dhe janë edhe anonimë, thoshte gjithë pezm i ndjeri Moikom Zeqo.

Koha do të tregonte se ndryshimet në ligj për institucione të caktuara, si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Avokati i Popullit, do ishin shumë të nevojshme. Kurse roli i presidentit pas vitit 2008 pothuaj është bërë fare i papërfillshëm. Jo pa ironi, juristi Fehmi Avdiu do të thoshte se: më lehtë zgjidhet presidenti sesa Avokati i Popullit, pasi Avokati i Popullit zgjidhet me një shumicë të cilësuar, ndërsa Presidentin e Republikës maxhorancat mund ta bëjnë si të duan. Në fakt, juristi do të vërente edhe se: “ndryshimet e 2008-s e dëmtuan rëndë Presidentin edhe në një aspekt tjetër, sepse ai kryeson KLD-në, një organ shumë të rëndësishëm dhe prestigjioz, nga i cili rrjedhin dhe organet e tjera të Drejtësisë”. Realisht, vëzhgimi i tij ishte korrekt pasi përplasjet mes Presidentit të vendit dhe Parlamentit kanë vijuar përgjatë të gjithë viteve të fundit, madje ky i fundit e ka shkarkuar tashmë presidentin e vendit, Ilir Meta, duke pritur Gjykatën Kushtetuese të japë verdiktin final për fatin e tij.

Në fakt, ndryshime të tilla, ato që po mëton Z.Basha, kryetari i rizgjedhur i opozitës i kanë bërë skeptik shqiptarët. E para, sepse ndryshimet e deritanishme u mësuan shqiptarëve se prekjet e shpeshta në Kushtetutë nuk mund të kryhen ngutshëm vetëm nga klasa politike. Arsyeja është e kuptueshme, shumë nga politikanët shqiptarë kanë kulturë të munguar juridike dhe e dyta mungesa e juristëve në diskutime, dhe sidomos mënjanimi i ekspertizës së nevojshme nuk të përcjellin larg. Dhe, vërtetë, qysh atëherë parlamenti ynë është mbushur me figurat groteske shumë syresh me nivele intelektuale shumë më poshtë sesa mesatarja publike e qytetarit shqiptar.

Kryetari i opozitës Basha është për t’u vlerësuar deridiku për këtë hap ndryshimi të nevojshëm, megjithëse dukshëm është një stërkëmbës për paraardhësin e tij, Berisha, anipse fillimisht duhet të na tregojë edhe sesa ai vetë di të fitojë realisht me kanonet e demokracisë. Fillimisht, me procedura të ndershme dhe të drejta në parti dhe pastaj në zgjedhje. Është kaq e thjeshtë dhe kaq e dobishme, nëse do të duhej të zhbëhej edhe 2008. Në horizont, ajo që po ndodh nuk është aspak frymëzuese. Kjo sepse ligji, kushtetuta, përmenden dhe përdoren sipas interesave të ngushta dhe nuk lexohet aspekt moral i tyre.

“Është thënë se hipokrizia është haraçi që vesi i paguan virtytit. Autokratët e rinj legalistë mbështesin me entuziazëm zgjedhjet dhe përdorin fitoret e tyre elektorale për të legjitimuar reformat ligjore. Ata përdorin ndryshimin kushtetues si mjetin e tyre të preferuar për të arritur dominimin e unifikuar të të gjitha institucioneve të shtetit. Ashtu si hipokritët, ata i ngatërrojnë kritikët e tyre duke pretenduar se mbështesin shumë nga të njëjtat vlera që bëjnë kritikët e tyre. Dhe, ashtu si deklaratat mashtruese të hipokritit, vendosja e tyre e vlerave publike ka për qëllim të maskojë se ata synojnë thjesht të kundërtën”, shprehet studiuesi Kim Lane Scheppele te artikulli i përmendur më sipër.

Por a mundet vendi që të përballë ndryshime të reja. Me sa duket po. Por jo të nxituara dhe mbi të gjitha spekuluese. “Ndryshimet e vitit 2008 nxjerrim dy mësime kryesore: në radhë të parë, nuk duhet të lejojmë më që ndryshimet në Kushtetutë të kryhen vetëm nga klasa politike dhe përmes procedurave formale e të shpejta; në radhë të dytë, nuk duhet të lejojmë që të kryhen ndryshime kushtetuese vetëm si ndëshkim ndaj asaj që ndodhi në vitin 2008”, shprehej në një intervistë pak vite më parë konstitucionalistja Aurela Anastasi. Fakti është se e gjitha kjo nuk është një arsye e mjaftueshme për të ndryshuar ngutazi Kushtetutën, ashtu si përgatitja e re për ndryshime që kërkon kryetari i opozitës, dukshëm kërkon një vend të tij të munguar në paktet e ardhshme shqiptare të pushtetit, ku duhet të mënjanohet krejtësisht Berisha, në mënyrë që të jetë ai protagonist. Por edhe për këtë hije të re që po hedh politika e sotme, konstitucionalistët na japin një variant më logjik: ndryshime mund të ketë kur të futemi në rrugën e plotë të integrimit evropian, udhë ende e munguar kjo për kursin e politikës së sotme shqiptare…(Homo Albanicus)

Komento

Komente

  • Kastrioti: 08/09/2021 19:59

    Sikunder e pranon ashtu si pa ze autori, ndryshimet e Kushtetutes ne 2008 shenuan fillimin e legalizimit te korrupsionit politik, "mother" te gjithe formave te tjera. Permes atyre ndryshimeve, Rama perfundimisht vendosi autoritetin e tij te plote mbi PS e goditur kundershtaret e llojit permes LISTAVE! Ndersa Berisha nuk kishte nevoke per kontroll por per te vijuar nje qeverisje ne mandat te dyte e vecmas me shtenien ne dore te Bashkise se Tiranes, nje vjedhje spektakolare permes KQZ te kohes. Nese Basha kerkon te zhbehet ai atentat kushtetues, nuk shihet ndonje e keqe. Ndryshimet e 2008 jane si Ligji 7501, instrumenta ligjore qe qartazi kane kapur themelet e demokracise ne Shqiperi. Te pajtohesh me to eshte akoma me e turpshme.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?