Sali Berisha

Arratisja nga ‘Qytetari Dixhital’ dhe rikthimi te shtatori `98 dhe LSI

13 Korrik 2022, 10:16| Përditesimi: 13 Korrik 2022, 11:35

  • Share

Ka patur një tentativë dëshpëruese në Partinë Demokratike të muajit të fundit për t’u thënë së pari amerikanëve se shumë gjëra s’janë më as si në qeverisjen e parë të Sali Berishës, as si në të dytën dhe as si opozita e tij që pamë që në 2013 e tutje. Kryetari i paduruar i PD e ka zhdukur “Qytetarin e tij Dixhital” që e përdorte deri dje në denoncimet pa frerë edhe pse pak kujt i ka bërë përshtypje kjo mungesë.

Tashmë këtë rol e ka marrë LSI, që e katandisur në tre deputetë e gjysmë, ka mbetur veç në gojën e Monika Kryemadhit që bërtet çdo ditë e më shumë, e më pas e mbështet i shoqi kur Sali Berisha s’është i interesuar për temën. Si në rastin e inceneratorëve, shpopullimit, axhendave antikombëtare me prapavijë konspirative, e të tjera boll.

Pak orë më parë, Sali Berisha i ndodhur në krye të një opozite që s’e plotëson dot kostumin që ai mendon se mban, i ka hedhur ‘sytë’ në një kontinent pas shpinës së Evropës. Ai solli shembullin e kryengritjes në Sri Lanka, që sipas tij qeverisë së sotme do t’i duket lule. Pastaj, ata që i mbajnë bishtin e mantelit e zbukuruan me Sorosin e Veliajn. Dhe s’marrin mundimin as të gjejnë në Google se presidenti i Sri Lankës që po rrëzohet, është i djathtë e konservator si Berisha, Trumpi e Kokalari…

Në fakt, Berisha e ka luajtur këtë ‘kartë’ më parë përveçse në rastin kur miku i tij dhe i Ilir Metës, Nikola Gruevski, çau ferrën dhe gjeti azil në Hungari. Sepse kjo u ngjall krupën të dy shqipfolësve në fjalë, kur sjellin ndër mend çfarë ‘begatie’ i kanë sjellë këtij vendi kur qeverisnin qoftë veç e veç, qoftë bashkë.

Sot, personazhi më grotesk i politikës së Shqipërisë dhe njëkohësisht shpresa e vetme e Ilir Metës për t’u rikthyer në pushtet mendon për skenarë si Sri Lanka. Është sa fatkeqe, po aq edhe përbuzëse, që masterplani i shtatorit 1998 t’u shpaloset shqiptarëve si alternativë. Dhe është po aq e pafalshme për këtë realitet, përtej dosierëve, thirrja e Berishës dhe e atyre që e rrethojnë që heqin një paralele mes Tiranës dhe Kotte-s.

Luçiano Boçi tha dje se në shtator opozita do të na surprizojë. Sipas tij, duhet një formë proteste e mosbindjes civile. Një tezë kjo e shekullit të njëzetë dhe që bënte sens veç atëherë kur ndodhi e ku ndodhi. Domethënë në SHBA, ku soji e sorollopi Berisha nuk do të shkelë më kurrë. E shpjeguar me pak fjalë, mobindja që ia lanë Boçit ta shpallë është: Militantët e “Frontit” dhe “Populli i 2 Marsit” të mos hipin në autobusët urbanë (?!). Të mos blejnë bukë (?!) dhe të mos çohen nga sheshet derisa vdekja ose pushteti t’i ndajë!

Luçiano në një aspekt duhet marrë seriozisht, sepse s’e ka arritur moshën e Berishës. Një vit më i vogël se Berisha sot që flasim, ishte Enveri kur vdiq. Dhe pak më i ri kur i hakërrehej Vito Kapos, e neve na duket në video si i rrjedhur. Moshë delikate, që s’duhet patur zili. Berisha kërkon të duket ende udhëheqës edhe pse po shkon 78 vjeç.

Për të vënë në jetë skenarë me grushte shteti si ato me Dem Dollapin apo Sri Lankën që e ka me të dëgjuar nga lajmet.

Për t’i thyer ‘hundët’ tigrit prej letre që e shpalli non-grata

Për shtatë WC-të në Lalëz të maces së Ilir Metës.

Për pushimet e Arminës dhe Xenit që s’u dilnin llogaritë këtë vit, se janë rritur çmimet…

 

S.C//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?