Përfundon seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre personave të dyshuar si autorë të grabitjes me armë të noterit Thoma Kaçi.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se për Oltjon Kolonja allias Oltjon Pula 39-vjec, Elis Avduli allias Mile Xhafa, 52-vjec dhe Vladrias Himaj, 34-vjec, u vendos masa e sigurisë “Arrest me burg”.
Kjo, e njëjta masë sigurie që kërkoi prokurori Ilir Hoxha. Të njëjtat burime, konfirmojnë për Report Tv se autorët e dyshuar të grabitjes nuk e kanë pranuar akuzën, duke mbajtur qëndrim mohues.
Policia e Sarandës më herët bëri me dije se gjeti armën e zjarrit tip automatik që u përdor nga autorët për grabitje në banesën e noterit Thoma Kaçi dy javë më parë.
Sakaq, burime për Report Tv bënë me dije se pista kryesore e hetimeve është ajo e një grabitje për hakmarrje, pasi noteri Kaçi është person nën hetim, i dyshuar për falsifikimin e dokumenteve në shit-blerjen e 28 apartamenteve.
Si ndodhi grabitja
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 20 tetorit në momentin kur Kaçi po dilte me gruan dhe djalin nga banesa e tyre në mëngjes. Në atë moment ata dëgjuan derën të hapej nga dy grabitësit e maskuar dhe të armatosur. Nën kërcënimin e armës ata i detyruan të futen sërish brenda duke i lidhur në karrige dhe më pas u bënë presion për t’u treguar se ku i fshihnin paratë. Pas kërcënimeve të vazhdueshme Kaçi u tregoi se ku ndodheshin paratë. Ata morën 20 mln lekë të vjetra në banesë dhe më pas u larguan. Noteri arriti të telefonojë policinë dhe ishin efektivët që e liruan nga karrigia.
Hetimet ndaj Kaçit
Hetimet ndaj tij kanë nisur në janar 2021 pas denoncimit të Vasil Qirkos, ndërsa më 13 korrik prokuroria i ka kërkuar Gjykatës së Sarandës "deklarimin fajtor të të pandehurit Thoma Kaçi për akuzën e falsifikimit të dokumenteve noteriale dhe dënimin e tij me 9 muaj burg".