TIRANË-Lyda Harris, një shtetase amerikano -kanadeze është arrestuar sot nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë të ambasadës amerikane. Prangosja është bërë me qëllim ekstradimin drejt SHBA-së.
"Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim nga autoritetet amerikane, pasi Gjykata e Distriktit Jugor të Kalifornisë ka lëshuar urdhër-arrestin ndërkombëtar më datë 28.07.2021, për kryerjen e veprës penale “Komplot për kryerjen ose pjesëmarrjen në një organizatë përmes aktivitetit shantazhues”, parashikuar Kodi Penal i SHBA-së.
Mbështetur në Traktatin Dypalësh të Ekstradimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u realizua arrestimi i kësaj shtetaseje, me qëllim ekstradimin e saj nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Drejtësisë, është duke kryer të gjitha veprimet ligjore për ekstradimin drejt Shteteve të Bashkuara", thuhet në njoftimin e Interpol.