Ekspozita me rastin e 74-vjetorit të përkujtimit të ditës së Genocidit grek, ndryshe nga herët e tjera, këtë vit vjen në formën e artit koloni.
Një grup piktorësh të njohur shqiptarë udhëtuan drejt Greqisë për të risjellë Çamërinë sot. Në pikturat e tyre reflektohet e pandryshuar treva shqiptare e Çamërisë, me shtëpitë e rrënuara, pejsazhet magjepsëse të Pargës e Volës si edhe kalatë, ku dallohen qartë gjurmët shekullore të historisë së shqiptarëve të Çamërisë.
Ekspozita u çel sot në Muzeun Historik Kombëtar me pjesëmarrjen e kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe artistëve të njohur që përjetuan momente nga krijimtaria e piktorëve në zonën e Çamërisë. Artistët kanë hyrë fshehurazi në tokën greke. Pas largimit të tyre, autoritetet greke kanë kërkuar detaje mbi identitetin e piktorëve shqiptarë që kanë shkuar në këto zona. Piktorët kanë sjellë në telajo shtëpitë e rrënuara dhe portat gjysëm të çelura të çamëve të përndjekur nga trojet e tyre.