Gazment Bardhi dhe Sali Berisha

Asgjë e re nga fronti i Perëndimit për të korruptuarit dhe “non gratat”

19 Prill, 10:34| Përditesimi: 19 Prill, 10:35

  • Share

Një ditë pasi Gazment Bardhi foli për rikthimin e Berishës në PD, duke qenë se ai është kryetar i asaj partie, ka bërë që vija e kuqe të shkelet, durimi i ndërkombëtarëve të sosi dhe ka sjell reagimin e të ngarkuarit me punë të SHBA-së në Tiranë, David Wisner, i cili rikonfirmoi qëndrimin e pandryshuar në raport me personat e shpallur “non grata”, pavarësisht se çfarë thonë disa njerëz për këtë gjë.

Ky qëndrim i përsëritur i diplomatit amerikan, vjen në një kohë kur ka pasur shumë spekulime lidhur me lëvizjet dhe qëndrimet e fundit të një grupi deputetësh të PD-së, të cilët, të udhëhequr nga Bardhi, iu bashkuan Berishës, me premtimin se amerikanët, nëse do të arrinin të bëheshin shumicë, do ishin të detyruar t’i njihnin dhe do të bashkëpunonin.

Ndonëse faktori ndërkombëtar kishte përshëndetur në parim rikthimin e normalitetit në Parlament, gjë krej normale kjo, edhe pse nuk kishte thënë asnjë fjalë për partitë politike apo për liderët e tyre, intervista e të ngarkuarit me punë të SHBA-ve në “Zërin e Amerikës” i dha fund çdo aluzioni, duke mbyllur gojët e shthurura të atyre që kishin mbushur me gënjeshtra të gjithë dynjanë, duke e interpretuar rikthimin e normalitetit si një mbështetje ndaj lëvizjes së Bardhit në drejtim të Berishës.

Pavarësisht akrobacive dhe ambicieve individuale për t’u futur në rrugë qorre që nuk të nxjerrin asgjëkundi, është e qartë se për SHBA-të asnjë gjë nuk ka ndryshuar, sepse as Amerika as BE-ja nuk do t’ia dijë për trafikimin e deputetëve pa të shkuar dhe të ardhme politike, por atyre u interesojnë parimet te të cilat besojnë dhe mbi të cilat veprojnë, ndaj edhe kur u pyet për grupin e deputetëve, Wisner u shpreh se presin zgjedhjet e nuk presin asnjë zgjidhje nga ata “që punojnë për interesat e tyre personale”, duke ndjekur “non gratat” dhe të korruptuarit.

Në këtë kuptim, meqenëse për SHBA-të asnjë gjë nuk ka ndryshuar, ajo që ngelet për të ndryshuar është Partia Demokratike, e cila duhet të dalë nga kompleksi i idesë penguese se pse nuk flasin ndërkombëtarët për çfarë po ndodh, të ecë përpara duke u forcuar, duke krijuar frymën e grupit dhe të partisë së madhe, duke prezantuar programin për ta bërë atë një platformë të besueshme për të gjithë shqiptarët, në mënyrë që amerikanët dhe britanikët të shohin te PD-ja një partner ambicioz, me të cilin mund të bashkëpunojnë dhe ta shohin si një faktor të rëndësishëm të jetës politike në vend, duke pritur me padurim festimin e fitores së saj, ashtu siç dikur u shpreh ambasadorja Yuri Kim në shkallët e selisë së PD-së.

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?