Në Shqipëri problematika me ashensorët e pacertifikuar dhe që përbëjnë rrezikshmëri të madhe për qindra mijërat qytetarët që i përdorin është shumë shqetësuese. Kjo situatë është theksuar edhe në një raport të punë së Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes Teknike (ISHMT) për vitin 2020.
Në raport thuhet se nga ky institucion janë kryer 463 inspektime, nga të cilat 274 kanë ardhur pas ankesave të qytetarëve. Inspektorati ka marrë 233 masa administrative për shkelje të ndryshme.
Në Shqipëri ka më shumë se 10 mijë ashensorë në përdorim dhe të regjistruar janë vetëm 1200 prej tyre! Kjo e bën situatën alarmante dhe ajo që është më e rëndë është se për këtë nuk ka një përgjegjës! Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes Teknike e ka të pamundur pasi në dispozicion ka vetëm një staf prej 7-8 inspektorët dhe kontrollet bëhen mbi bazë risku dhe jo të përgjithshme, e ndërsa jo çdo pallat ka një administrator.
Problematika e ashensorëve në vend është rikthyer në vëmendje nga ngjarja e e para një jave në zonën e Astirit, ku 2 gra mbetën të plagosura pasi ra një ashensor nga një pallat. Ato kanë qenë brenda ashensorit, kur kabulli i tij është shkëputur dhe është përplasur me fuqi në katin e parë. Njëra prej të plagosurave është shtatzënë. Lidhur me këtë ngjarje u arrestua tekniku i mirëmbajtjes dhe kontrollit të ashensorëve të pallatit, Dëfrim Shabani, ndërsa ka vendosur procedim në gjendje të lirë për vëllanë e tij, Dritan Shabani i cili është administratori i firmës së mirëmbajtjes.