Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informon tatimpaguesit se prej datës 1 Shtator do të vijojë zbatimi i planit të masave për informimin dhe ofrimin e asistencës në vendet e ushtrimit të aktivitetit të tatimpaguesve, me qëllim përmbushjen e detyrimit ligjor për fiskalizimin e transaksioneve me para në dorë, në zbatim të ligjit Nr.87/2019 “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”, i ndryshuar.
Ky plan masash do të zbatohet prej datës 1 Shtator e në vijim, për një periudhe 3-mujore, gjatë së cilës punonjës të trajnuar të Administratës Tatimore do të ofrojnë ndihmën e tyre për tatimpaguesit për të plotësuar disa hapa të nevojshëm dhe të domosdoshëm për procesin e Fiskalizimit.
Ndihma që do t’iu ofrohet tatimpaguesve, gjatë vizitave nga grupet e informimit, ka të bëjë me:
Krjimin e llogarisë në portalin e-Albania (nëse nuk disponojnë një të tillë).
Aplikimin për certifikatë elektronike.
Ngarkimin e certifikates elektronike në Portalin Self-Care.
Regjistrimin e të dhënave të biznesit në Portalin Self-Care
Informacion të thjeshtuar për Fiskalizimin, mënyrën e lëshimit të faturave, pajisjet fiskale që mund të përshtaten, kompanitë që ofrojnë zgjidhje softëarike të çertifikuara etj.
Sipas kalendarit të mëposhtëm vizitat në vendet e ushtrimit të aktivitetit të tatimpaguesve, kryesisht të biznesit të vogël do të kryhen:
1 Shtator – 30 Nëntor në Drejtoritë Rajonale Tatimore Tiranë.
1 – 15 Shtator në DRT Kukës dhe Berat.
1 – 30 Shtator në DRT Elbasan.
16 Shtator – 15 Nëntor në DRT Gjirokastër.
1 Tetor – 15 Nëntor në DRT Durrës.
1 – 31 Tetor në DRT Shkodër dhe Fier.
16 – 30 Tetor në DRT Dibër.
16 Tetor – 30 Nëntor në DRT Vlorë.
1 – 30 Nëntor në DRT Korçë, Sarandë dhe Lezhë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të vazhdojë të ketë një qasje sensibilizuese dhe këshilluese, për të gjitha subjektet gjatë gjithë vitit 2021 përsa i përket Fiskalizmit.