TIRANË- Pas lajmit të publikuar në Shqiptarja.com, ku Sali Berisha u demaskua duke e nxjerr blof ‘Rithemelimin’ pasi nuk kishin dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për Portin e Durrësit, Gazment Bardhi është “tallur” me kolegët e tij. Ai i ka ironizuar, teksa në fund iu kërkoi që të bënin opozitë të vërtetë, e jo të tallin shqiptarët.
“Pyetje për studentët e vitit të parë të drejtësisë: Pajtueshmëria e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën, kontrollohet nga Gjykata Kushtetuese, para apo pas ratifikimit?
Keqardhje për çdo deputet që nënshkruan idiotësi juridike dhe tallet me shqiptarët, se gjoja ka goditur aferën e Portit të Durrësit, ku në fakt ka goditur një marrëveshje të ratifikuar nga Parlamenti, që nuk i nënshtrohet dot më kontrollit kushtetues! Bëni opozitë reale, boll u tallët me shqiptarët. Afera e Portit të Durrësit do të dërgohet padyshim në Gjykatën Kushtetuese sapo të miratohet me forcën e kartonit nga noterët e Qeverisë në Parlament”, thuhet në postimin e tij.
Sot ‘Rithemelimi’ tha se kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për Portin e Durrësit. Mirëpo, nga një verifikim i thjeshtë kemi të bëjmë thjeshtë me një gënjeshtër banale të Sali Berishës, në funksion të propagandës para protestës. Partia Demokratike nuk ka depozituar asnjë kërkesë në Kushtetuese kundër projektit për transformimin e Portit të Durrësit, për arsyen e thjeshtë se nuk ekziston një marrëveshje e miratuar.
Si mund të dërgohet një marrëveshje në Kushtetuese kur nuk ekziston? Këtë mund ta pretendojë vetëm Rithemelimi, i cili duket se vijon t’i konsiderojë shqiptarët si njerëz që besojnë çfarë u thonë.