Sinjalet e Ilir Metës, për nisjen e një aksioni politik autonom në kuadër të opozitës ngjitën jo vetëm se erdhën pas një pause të gjatë.
Por gjasat janë që të ketë realisht një zhvillim të ri në kuadër jo shumë të qartë të gtupimeve opozitare në vend.
E në këtë zhvillim të ri ajo që shikohet në termin më imediat janë dy: Bashkimi për Fitore si koalicion elektoral e ka mbaruar kohën e tij, e sipas kohës do të shihet si do të veprohet në të ardhmen.
Nëse BF do të kthehej në një formacion politik të përbashkët, atëherë mund të kishim një ngjizje të tillë edhe në Parlament ku deputetët e Sali Berishës me ato të Partisë së Lirisë, krejt lirisht mund të formojnë një grup parlamentar. i cili do të ishte politikisht struktura e kësaj force politike që bashkon Sali berishën dhe Ilir Metën.
Por doktori nuk e pëlqen një rritje hapësire për Partinë e Lirisë, ai u duk se pagoi një qira në zgjedhje për kredencialet ligjore që i dha Ilir Meta. E për këtë, kreu i Partisë së Lirisë ka marrë goxha pjesë; siç janë shumica e këshilltarëve në 61 bashkitë e vendit.
Këto këshilltarë, janë realisht një armatë politike që mund të bëhen të vlefshëm për partinë e Ilir Metës në çdo zgjedhje, qoftë parlamentare apo vendore. Të shpërndarë në territor, sikur nga 50 vota të sigurojë secili, krijohet kështu një numër i rëndësishëm së paku për të filluar lojën politike jo nga zeroja.
Sipas të gjitha gjasave, pakti Berisha-Meta ka qenë një marrëdhënie e qartë shkëmbimi, e vijimi sërish në një situatë të tillë në një formacion, do ta margjinalizonte edhe më shumë Partinë e Lirisë, siç faktikisht e ka bërë të padukshme.
Ilir Meta, nuk duket se do të humbë lidhjet me Sali berishën, pasi e tha qartësisht se vetëm partia e tij do të jetë një aleat i mundshme në zgjedhjet e ardhshme. Por forma, e mbi të gjitha paktet për këtë marrëveshje do të nisin nga fillimi.
Por çdo të thotë kjo politikisht? Kur ngjizja nuk funksionon edhe mes dy politikanëve që kanë shumë interesa dhe beteja së bashku, së paku prej vitit 2016, ajo nuk mund të arrihet prej asnjë prej faktorëve aktuale të opozitës tashmë disa polëshe. Si Berisha, ashtu edhe Meta, të cilët së paku nga eksperienca janë më zanatçinj se të gjithë politikanët e opozitës, e kuptojnë se po vjen një kohë e riformatimit total të kampit opozitar.
Operacioni i dyshes më të vjetër për ta kryer këtë në mënyrë blitz dështoi më 14 maj, e sipas gjasave mundësia e tyre për të dominuar këtë kamp është shumë e kufizuar. Ndaj ata do të vijojnë me ata fuqi që kanë për të ndikuar sa më shumë në zhvillime. E këtë natyrisht mund ta bëjnë, sepse si njëri si tjetri kanë edhe ndjekës edhe influencë të rëndësishme. Por siç dihet kanë kufizimet e tjera, që i kanë bërë ato që janë.
Meta, me marrjen e këshilltarëve, mund të riparojë sadopak dëmet që mazhoranca i bëri LSI-së më 25 qershor 2021, duke ja tharë bazën e tyre të kuadrove dhe atë elektorale. E cila është ridimensionuar thuajse totalisht, por kreu i LRI-së po e mban në gjendje të fjetur. Për t’i provuar në zgjedhjet e ardhshme se sa prej atyre 100 mijë votave të 2021 i kanë mbetur besnike.