Ata që i kanë gjërat me të dëgjuar dhe ata që i jetojnë

12 Prill, 13:54| Përditesimi: 12 Prill, 14:00

  • Share

“Një njeri i realizuar i kupton të tjerët që i njohin gjërat "me të dëgjuar" e që nuk kanë eksperiencë të drejtëpërdrejtë. Intelektualisht duken bindës, por me fakte nuk bëjnë gjë tjetër veçse tregojnë skllavërinë e tyre...”. Kjo fjali në librin “Dija e përjetshme e Sri Nisargadatta Maharaj” nga Robert Powell, duket një përkufizim që bie si qershia mbi tortë në përcaktimin e realitetit tonë.

U bënë kaq e kaq vite tashmë që analistë, aktivistë, politikanë të apasionuar për t’u dukur ndryshe nga ç’janë, përnatë përpiqen të bindin shqiptarët me teoritë e tyre dhe zhvillime ngjarjesh që, për momentin, janë edhe më tërheqëse se filma të shumëvlerësuar të Hollivudit, por që me kalimin e kohës shfryhen e nuk mbetet më asgjë. Aq i thellë është dëshpërimi i disave, saqë, me të konstatuar që teoritë e tyre nuk funksionojnë, nuk shkaktojnë reagimin që ata presin, mallkojnë bashkëatdhetarë dhe i akuzojnë se jo vetëm e kanë në gjak korrupsionin e hajdutërinë, por edhe se korrupsioni dhe hajdutëria është qëllimi më i lartë i shumicës, duke e servirur këtë blasfemi për të vërtetë.

Ndërkohë, realiteti shqiptar, ai konkreti dhe reali, po befason përditë këdo. Ngjarje që përfshijnë njerëz të padyshuar, të paprekshëm, të plotfuqishëm, të sistemuar, të rafinuar, të mësuar, të trajnuar, të pasuruar, po zbulojnë një rrjetë merimange gjigande thurur me ar e zbukuruar me diamantë që pakkush e kishte imagjinuar e sidomos, pakkush e ka treguar deri më sot.

Duke iu kthyer fjalisë së fillimit të librit të Powell, të realizuarit janë kush “imponohet” si lider, si politikan, si elitë duke servirur realitete “me të dëgjuar”, apo shqiptarët që përjetojnë në vetë të parë, ne mes të rrugës, në shtëpitë e tyre jetën si po shkon dhe si do të shkojë?

Duket si një kontradiktë e pazgjidhur, por në të vërtetë “problemi” është i zgjidhur që në rrënjë. Njerëzit në kontakt me të vërtetën nuk kanë nevojë as për histori, as për scoop-e, as për bomba mediatike për të kuptuar se çfarë ndodh. Ndryshe nga sa na është thënë, lajmi më parë kalon pikërisht mes tyre.

Nëse njihni mes jush shqiptarë “të realizuar”, mos i lëshoni kollaj. Dhe sigurisht, asnjë prej të realizuarve, nuk del mbrëmjeve në televizor.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?