Ciano mbërrin në Shqipëri për të marrë pjesë në ceremoninë e martesës të Mbretit Zog I me Geraldine Appony

Aventura 80 vjet më parë e qytetarit të Nderit të Tiranës, Galeazzo Ciano, për t'i marrë Shqipërisë pavarësinë

31 Mars 2019, 17:09| Përditesimi: 31 Mars 2019, 21:41

  • Share

Ashtu si shefi e vjehrri i tij, Musolini, edhe Galeazzo Ciano e filloi si gazetar karrierën e po si ai, i braktisi shpejt parimet liberale e ato të lirisë, për t’i hyrë një rruge aventuroze e me përfundime tragjike. Demoni i pushtimeve te ky i ri fashist, filloi me marrjen pjesë në pushtimin italian të Etiopisë në vitet 1935-1936, ku, pas një kursi të shpejtë, pilotoi një aeroplan ushtarak. Koha kur Duçja filloi ta fryjë Italinë si fuqi botërore e t’ua përkëdhelte sedrën italianëve, duke i shpallur si vazhduesit historikë të romakëve të lashtë, në ndarjen e tregjeve, tokave e pasurive s’kishte ngelur më asgjë, nëse nuk llogariten shkretëtirat e Afrikës. U erdhi radha edhe këtyre hapësirave. Kalharin e pushtoi Gjermania dhe Somalinë e Libinë, Italia. Etiopia (Abisinia)ishte i vetmi shtet i lashtë afrikan i pavarur, para se Anglia me Francën ta ndanin kontinentin me vizore. Ky territor, ku përfshihej dhe Eritrea, ishte viktima pararendëse, deri kur Ciano, hallkën më të dobët në hartën europiane, Shqipërinë, e vuri në shënjestrën e pushtimeve.

Kthimi nga lufta, qoftë dhe si hero, nuk do ta ndihmonte dot të ngjitej në hierarkinë më të lartë të shtetit fashist, nëse nuk do të kishte si bashkëshorte, Eda-n vajzën e Musolinit. Ylli i jetës së tij lindi pas kësaj martese. Ciano u emërua ministër i jashtëm i Italisë në vitin 1936, duke u bërë një nga figurat kryesore të shtetit.

Qytetar nderi i Tiranës ishte shpallur gjatë një vizite në kryeqytetin shqiptar në vitin 1937, në ecejaket kur orvatej t’i gjente nuse Ahmet Zogut. Kjo ndodhte pasi Lartëmadhërisë së Tij ja kishin refuzuar kërkesën për një nga princeshat. Zgjodhi një sërë zonjushash artistokrate, duke mbërritur deri tek një pretenduese pasardhëse e Skënderbeut. Ndonëse për asnjë prej tyre Zogu nuk dha pëlqim, përsëri ai do ishte i zgjedhuri i Mbretit si dëshmitar dhe shoqërues në martesën me Geraldina Appony.

Ciano mbërrin në Shqipëri për të marrë pjesë në ceremoninë e martesës së Mbretit Zog I me Geraldine Appony

Situata, kur konti Ciano vizitoi Tiranën, e kishte degraduar Shqipërinë në një vend vasal, pak a shumë, një protektorat. Kudo sundonte Italia, me konçesionet në naftë, miniera e gjithë sistemin bankar, që i kish monopol. Banka Kombëtare e Shqipërisë nuk ishte gjë tjetër përpos se grupi financiar privat italian, kur dihej se banka e emëtimit mund të jetë vetëm bankë e shtetit dhe jo private. Për të qenë bankë kombëtare aksionistët e saj patjetër duhet të ishin pjesëtarë të kombit të vetë. Stili patetik dhe i rëndë i Romës antike, simbolet e saj, bëhen pjesë e kartëmonedhave shqiptare. Po kështu, në transportin rrugor e atë ajror, në ushtri dhe shkolla, kudo mbizotëronin konçesionet e “specialistët” italianë.

Në periudhën e Luftës së Madhe, në vitin 1917, Italia e kish shpallur njëherë Shqipërinë Jugore dhe të Mesme si protektorat të sajin, por grykët e armëve në Luftën e Vlorës e detyruan të largohej. Vasaliteti fillon me dy traktate miqësie të viteve 1926 e 1927. Pason kredia 50 milionëshe (Franga Ar) e vitit 1931, të cilën huadhënësit e saj e dinin mirë se Shqipëria nuk do ishte kurrë e aftë ta shlyente, por roli që do luante ishte shndërrimi në protektorat “de fakto”. Në vitin 1938 financat italiane raportojnë se në Shqipëri janë xhiruar borxhe në shumën 1,256,182,487 Lira.

Ciano e nuhat gjendjen, sheshon edhe më terrenin, që pothuajse është gati, dhe e grish Duçen që Shqipëria të pushtohet, t’i merret pavarësia, të shndërrohet në koloni italiane e të mbushet me kolonë (diku te 6 milionë). Mëndjelehtësia sundon pasionet. Duçja i jep liri ministrit e dhëndërrit, i jep pushtet aq sa i nevojitet për të kryer agresionin.

Bregu lindor i Adriatikut e posaçërisht brigjet shqiptare të saj ishin në kohëra një ndër udhëkalimet më të rëndësishme mes Lindjes e Perëndimit. Kjo vijë e hollë uji ndante dy botë të ndryshme, mespërmes tij ka pas kaluar kufiri i Perandorisë Romake të Lindjes e Perëndimit, Bizantit, botës barbare, ndante Perandorinë Otomane nga Perëndimi i krishterë. Me nxitjen e Duçes dhe Ciano-s, u kërkua dhe “u zbulua” nga historianë e arkeologë, se tokat ku banonte raca shqiptare i përkisnin Romës. Ajo pjesë e Ilirisë së Jugut ishte bërë përkatësi e Romës para Italisë së Veriut-thonë historianët. Ligjëratat dhe botimet mbusheshin me përmbajtje të rëndësishme historike se banorët e Akarnanisë, ku një masë e madhe janë shqiptarë, dhe raca e tyre dallohet qartë që ska lidhje me grekët. Nuk u la në harresë as Albania veneta, pronë 400 vjeçare kjo e Venedikut. Me një fjalë, Shqipëria i përket Italisë! Madje, detet Adriatik e Jon duhet të shndërroheshin në detra të mbyllur të Mbretërisë Italiane, siç njëherë e një kohë i kish patur Venediku.

Ministri i jashtëm, i ri në detyrë e moshë, i përkëdhelur si fëmijë aristokrati, i mikluar që Eda , nga të dashurit e adhuruesit e saj zgjodhi pikërisht atë, pushtimin e Shqipërisë së mjerë e mori si një sfidë të brendëshme personale. Ai dëshiron t’i tregojë vetvetes, se donte t’i habiste italianët me dhuratën që po i bënte. Me një sinqeritet tronditës, ai i ka lënë historisë më të rrallin dokument të vërtetë, mbi ç’ngjau dhe si rrodhën ngjarjet. Këto janë ditaret e tij të famëshme.

Ditaret e Ciano-s ishin përshkrime thellësisht politike dhe s’kanë pothuaj asnjë fragment nga jeta personale. Natyrisht, në to zënë vend qendror mendime, pikëpamje e qendrime që lidhen me politikën globale, të lojtarëve të mëdhenj, që atëbotë zotërohej nga Gjermania, Hitleri, Anglia e Franca me shefat e tyre, etj. Edhe pas 75 vjetësh ato shihen si burim kryesor historik i Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria patjetër që do zinte shumë vend në to, sepse edhe ai i kushtoi shumë kohë.

Historia e ditareve është e denjë për t’u renditur në gjërat më tërheqëse që ndodhën ne Luftën e Dytë Botërore. Fatalisht, Ciano në mbledhjen e Këshillit të Madh Fashist, të zhvilluar në 24 e 25 korrik 1943, pasi kish mbështetur rrëzimin e Musolinit, votoi kundër vjehrrit. Perandori e shkarkoi Musolinin, Hitleri e reabilitoi nga izolimi, Ciano u arratis në Gjermani, ku u kap dhe ju kthye të vjehrrit si pako postare. Gjyqi vendosi dënimin me vdekje, Eda ju lut të jatit, gjithashtu dhe Adolf Hitlerit, pa rezultat. Në këto rrethana ajo kërcënon: nëse i shoqi i saj nuk falet, ditaret e ish ministrit të jashtëm të Italisë, ku fshihen sekrete që mund të dëmtojnë Paktin, do dërgohen për botim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse falet, ditaret do ju jepen gjermanëve.

Rrethanat detyruan Himlerin dhe Kaltenbrynerin të ngrinin e përgatisnin një komando të fshehtë, siç kishin vepruar për rrëmbimin e Musolinit. Ata i shihnin ditarët si kërcënim për Rajhun. Komandoja “Conte” do kish si detyrë rrëmbimin e Cianos në këmbim të ditareve. Çdo gjë ish gati për veprim e do kish ndodhur, nëse dy shefat e mëdhenj nazistë në minutën e fundit nuk do binin dakort të njoftojnë për aksionin Hitlerin. Të dy ranë pre e zëmërimit të fyhrerit, aksioni u la, nuk u krye.

Orvatjet për t’ja marrë ditarët “Shkëlqesisë së saj”, Edas, kishin dështuar. Ato mrekullisht mbijetuan, përmes peripecish kaluan në Zvicër në datë 9 janar 1944. Në 11 janar Ciano u pushkatua. Ditaret u botuan në gjuhën angleze nga Malcolm Muggeridge në vëllimin “Diaries Ciano, London 1947. Pjesët e mëposhtme, të marra nga ky ditar, janë pamje të dorës së parë dhe çuditërisht të sinqerta, për ngjarjet politike në Shqipëri, nga janari 1939 deri në janar 1943.

Ciano, në ditarin e tij, ndërsa bëhej gati të shkonte në Tiranë, për të marrë pjesë në martesën e Zogut, më 26 mars 1938, pasi Gjermania aneksoi Austrinë, shkruante në ditar mbi detyrën italiane për të aneksuar Shqipërinë: “Raporti nga Jakomoni mbi situatën në Shqipëri na njeh se depërtimi ynë është duke u bërë vazhdimisht më intensiv dhe më organik. Vizita po kryhet pa probleme. Po pyes veten nëse situata e përgjithshme-veçanërisht Anschluss (me Austrinë) nuk na lejon të bëjmë një hap përpara drejt dominimit më të plotë të këtij vendi, i cili do të jetë i yni”.

Garda shqiptare e rreshtuar për nder të Jakomonit

Më tej taton pulsin e jugosllavëve. Shkruan se ka biseduar me Stojadinoviçin, “...i cili dukej në fillim i shqetësuar, por më pas ai theu akullin dhe foli për ndarjen e Shqipërisë si rruga më e mirë”. Ka rënë dakord me Duçen, që mund edhe ta ndajnë Shqipërinë me Jugosllavinë. Ditë më pas shkruan se pushtimi i Shqipërisë mund të bëhet edhe pa Jugosllavinë dhe, nëse është e nevojshme, edhe kundër Jugosllavisë.

Në janar të vitit 1939, Ciano shkruan në ditar se “I dhashë Duçes këndvështrimin tim për Shqipërinë: ne duhet të punojmë më shpejt. Ai u pajtua me mua. Ne do të fillojmë menjëherë për të mobilizuar forcat tokësore dhe për të përqendruar forcat ajrore. Ne do të intensifikojmë përgatitjet revolucionare lokale. Data e veprimit: java e Pashkëve”.

Duçja pranoi që data e sulmit duhet të jetë midis 1 dhe 9 prillit dhe merr përsipër të takojë Ribbentrop-in dhe t’i japë informacion për çështjen. Më pas shkruan se Ribentropi u informua se “...ne e konsideronim Shqipërinë ashtu si çdo krahinë tjetër italiane dhe se çdo ndërhyrje gjermane do të shkaktonte pakënaqësi të madhe në opinionin publik italian”. Në ditar nuk ka njoftim që Ribentropi ose Gjermania t’i kenë dhënë fillimisht miratim, por nga burime të tjera del se Gjermania, që përgatitej për luftë globale, i kish llogaritur burimet e naftës në Shqipëri për makinerinë e saj ushtarake.

Serbët, që kanë dieni mbi planet e Italisë, kanë folur me njeriun që 15 vjet më parë e ndihmuan për të marrë pushtetin. Mbreti Zog di gjithçka, është i alarmuar dhe shumë i shqetësuar, por rrethanat e reja që u krijuan në mes të marsit 1939, kur trupat gjermane filluan pushtimin e Bohemisë, e bënë gjëndjen edhe më serioze. Pasi Hitleri i kishte siguruar të gjithë se nuk donte të aneksonte Çekosllovakinë, në 15 mars Ciano shkruan në ditar se, “...Është e padobishme të mohohet se e gjithë kjo shqetëson dhe poshtëron popullin italian. Është e nevojshme t’u jepet kënaqësia dhe kompensimi: Shqipëria”.

Ciano përgatit një ultimatum për dorëzimin e Mbretit Zog: ose ai pranon ardhjen e trupave italiane dhe kërkon një protektorat, ose trupat do të mbërrijnë gjithsesi?! “E kam vendosur përsëri me Duçen, dhe pse ai më dukej mua si pak më i ftohtë në lidhje me operacionin”. Për pushtimin e Shqipërisë është gati baza detare në Taranto, me shtatë kryqëzorë dhjetra luftëanije, 10 nëndetëse; janë mobilizuar dhe përqendruar në Puglia dhjetë divizione, katër regjimentet e Bersaglierve, një brigadë e këmbësorisë, detashmente të forcave ajrore dhe të gjitha skuadronet e para detare.

Ciano ka parashikuar deri në hollësi veprimet pas pushtimit të Tiranës. I radhit në ditar se si do mbledhë shefat shqiptarë në një asamble, se si personalisht ai do udhëhiqte punimet e do të afrohej kurora e Shqipërisë Mbretit të Italisë.

Në ditar flitet edhe për takimin me ambasadorin shqiptar në Romë, Serreqin, i cili ishte udhëzuar të largohej për në Tiranë me Jakomonin, për të bindur Mbretin. Më pas, me pretekstin se ai nuk ishte në gjendje të shkëmbejë paratë e tij shqiptare, Ciano shkruan se “...ai i kërkoi Jakomonit t’i jepte atij 15.000 lira, një këst i parë si ryshfet”, për rolin tradhtar të tij ndaj vëndit që e kish emëruar në atë funksion të lartë. Në 1 prill Ciano i sugjeron Duçes që të kryejnë një fluturim demonstrues me njëqind aeroplanë gjatë Durrësit, Tiranës dhe Vlorës. Po këtë ditë shkruan në ditar se Chamberlain ka deklaruar se Britania e Madhe nuk ka interesa të veçanta në Shqipëri.

Pushtimi u krye. Rezistenca e improvizuar shqiptare ishte e papërfillshme dhe u shtyp shpejt si në Durrës ashtu dhe në Vlorë e Sarandë. Shtypi anglez vë në lojë trupat italiane, duke sjellë shembullin se si një baba me katër djemtë e tij bllokoi në Shëngjin për gjashtë orë zbarkimin. Në 8 prill Ciano ka mbërritur në Tiranë në ora 10:30, pasi ka fluturuar mbi autokolonën e blinduar, e cila po marshon për në kryeqytetin shqiptar, i jep Musolinit një raport. “Duçja është i lumtur-shkruan në ditar-ai dëgjon me vëmendje raportin

tim dhe vendos të dërgojë një telegram urimi për Gjeneralin Guzzoni. Duçja ka planifikuar një regjencë, e cila nuk më duket e mirë. Unë i shpjegoj atij planin tim si më poshtë: të krijoj menjëherë një këshill qeveritar dhe të shpall Kushtetutën më 12 prill; për të rregulluar votimin e një vendimi që do të sanksionojë bashkimin e të dy vendeve, duke i dhënë mbretit Viktor Emmanuel III kurorën e Shqipërisë. Në parim ai miraton. Ne shqyrtojmë me Duçen projektin e hartuar dje, i cili miratohet... Programi: Shpallja e kushtetutës në Tiranë më 12, Këshilli i Madh në Romë më 13, fjalimi im në Dhomë më 15 dhe të dielën, 16 prill, një festë e madhe kombëtare e ngjarjes”.

Fituesit, të qeshur, i shtrëngojnë duar njëri-tjetrit. Nga pikëpamja politike e ushtarake janë të bindur se ia dolën triumfatorë. Koha do fliste tjetër soj! Ciano mbërrin në Tiranë në ora 10.30 të datës 8 prill dhe pritet në aeroport nga Sh. Verlaci, i cili e ka personale hakmarrjen ndaj A. Zogut, ish kandidati për të qenë dhëndër i tij, por që e kish prishur fejesën. I duartroket një pakicë individësh të lidhur me italianët, besnikë e sherbëtorë të tyre, të pabesë e pa atdhe. Turma që e pret anës rrugëve janë nxënës të shkollave të mesme, të urdhëruar të duartrokasin e brohorasin në përfaqesim të qytetarëve të Tiranës. Janë udhëzuar të brohorasin tre emëra, Duçe, Ciano dhe Ettore Mutti. Ishte beteja e vetme që Tirana bëri përmes nxënësve, duke thirrur Duçe-Muti, Çiano-Muti, ku mbiemëri i Ettore-s në gjuhën shqipe është jashtëqitje. Pjesa tjetër e qytetit mbeti sa e qetë dhe mospërfillëse, aq dhe që ziente nga zemërimi.

Ky ambicioz, i etur dhe i palodhur për t’i marrë vetë përsipër të gjitha, në 11 organizon punën për themelimin e Partisë Fashiste Shqiptare, mbledh në 12 prill Asamblenë Kushtetuese, “...por ata e kuptojnë-shkruan në ditar Ciano-se dhënia e kurorës Viktor Emanuelit III nënkupton fundin e pavarësisë së Shqipërisë. Kam diskutime të gjata ...; më kokëfortë janë ata nga Shkodra, të cilët janë nxitur nga kleri katolik”.

Nga 150 anëtarët vendimmarrës, një pjesë janë feudalë, (të mëdhenj e të vegjël) janë të dobët e të poshtër. Dilema e tyre qëndron mes një regjimi anadollak zogolljan dhe shkëlqimit që rrezëllojnë uniformat e pushtuesit. Sovraniteti i Shqipërisë, për të cilën paraardhësit kishin luftuar e ishin përpjekur aq shumë, nuk është krijuar për ta, nuk u shkon për shtat. Këta janë krerët, me të cilët, gjatë dhjetë vjetëve Mbreti Zog është orvatur të forcojë dinastinë e tij lilipute. Ata e kanë mbështetur dhe i kanë thurrur ditirambe. Por jo të gjithë bien në një mëndje. Shumë prej atyre që ndodhen brenda sallës së Asamblesë as që kishin dashur të ndodheshin atje.

Ciano rreket t’i siguroj se vendimi nuk do të paragjykojë as formën, as substancën e pavarësisë së Shqipërisë, “...lë të kuptohet se ky sukses i referohet masave, sepse unë shoh sytë e disa patriotëve të ndezur me zemërim dhe lot që rrjedhin poshtë fytyrave të tyre. Shqipëria e pavarur nuk është më”. Njëzet persona të qarqeve intelektuale në Shqipëri do të dërgohen menjëherë Bari e prej andej, në kampet e përqendrimit.

Delegacioni shqiptar mbërrin në Pallatin Venecia

Pa asnjë brerje të ndërgjegjes, krijon parodinë groteske të dhënjes së kurorës të Skënderbeut. Zhvillohet në 16 prill, në pallatin mbretëror, ceremonia ku kurora shqiptare do i jepet Mbretit të Italisë. Madhështinë janë kujdesur t’ia japin çdo pjese të qenjes së saj. Shqiptarët jashtë janë të veshur me kostumet kombëtare të atij populli të nëpërkëmbur e të shtypur; shqiptarët në sallat e mëdha të Quirinalit, veshur “allafrënga”, “...duket se janë të humbur, të dëshpëruar-shkruhet në ditar. Verlaci sidomos shfaqet në depresion ndërsa shqipton, si i lodhur dhe pa bindje, fjalët që ai ka për të thënë në afrimin e kurorës. Mbreti përgjigjet me një zë të pasigurtë dhe të dridhur”. Shpinat e kërrusura të shqiptaëve V. Emanueli i sheh me përbuzje. Vite më pas, kur takohet me A. Zogun si bujtës emigrantë te strehuesi i tyre, mbreti Faruk i Egjyptit, me apo pa sinqeritet (ai e dinte) i kërkon të falur për pushtimin e “atyre shkëmbinjve që nuk i kish dashur”.

Shefqet Verlaci bën dorëzimin e kurorës së Skënderbeut

Pak më vonë se dy javë Ciano, i dehur nga suksesi, vërtit në kokën e tij një politikë të rrezikshme agresive, pasojat e të cilës po i vuajmë edhe sot e kësaj dite. Duçja dhe Çiano kanë ca llogari të vjetra me Greqinë, përveç se e lakmojnë. Llogaritë e tij mbi pushtimet në Ballkan do i sjellin Italisë pasoja shumë të dëmshme. Përfytyrimi patetiv mbi këto pushtime fillon e i nxit të gjithë hierarkët fashistë, me në krye këta dy ideatorët, të ëndërrojnë madhështinë, duke nxitur sulmin ndaj Greqisë në rastin e parë. Janë këta që stisin arsye meskine të tipit Daut Hoxha, fillojnë luftën, thyhen, u lënë grekëve hapësirën e Jugut shqiptar për ta djegur dhe ushtruar terror mbi popullatën e pa mbrojtur. Nga kjo aventurë Greqisë i ka ngelur në dorë gozhda e Nastradinit, e ashtuquajtura “Gjendje lufte me Shqipërinë”, me të cilën here pas here fallsifikatorët e historisë mbajnë nderur rrjetën e intrigave dhe shfaqin fantazmat mes fqinjëve. Më tej, pasojat përfshijnë mos llogaritjen e Shqipërisë në radhën e shteteve të pushtuara në Luftën e Dytë Botërore, i ashtuquajturi “Bashkimi i kurorave” e rendit atë mes shteteve agresore. Pason mungesa e ftesës për themelimin e OKB-së.

Pas 80 vjetëve, shohim nga largësia e pa emocion pasojat e aventurës Duçe-Çiano, dëmet që na solli, së bashku me përmbysjet e mëdha që pasuan Luftën e Dytë Botërore e periudhën pas saj, ndjehemi mirë që tashmë këto janë harruar, Italinë e kemi krah më krah si mik të mirë, si avokatin tonë më të besueshëm për integrimin në Europë. Nga trashëgimia e periudhës fashiste në Shqipëri ka ngelur përpos se arkitektura e bulevardit, sheshit dhe ndërtesave mbi aksin qendror të Tiranës. I bënë këto me stil, imponuese, pa “tendera” dhe pa u kursyer, për t’i ngarkuar me hijshinë e objekteve, për të jetuar e shërbyer gjatë. Po mbi këtë hapësirë, parë nga lart, me pak vëmendje syri mund të të prek ende konfigurimin e deformuar të siluetës së sëpatës të liktorit. U bënë të tilla, sepse kishin menduar të qendronin jo gjatë, por për të mos ikur më.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?