Sport
Drejt Punës

'Babai më ka thënë se jam shqiptar', 14-vjeçari i talentuar brazilian që luan për Kombëtaren: Një mesazh për të gjithë: Shqipëria bëhet!

15 Prill 2021, 15:13| Përditesimi: 15 Prill 2021, 17:11

  • Share

Viktor Nunes është futbollisti që bie në sy te kombëtarja shqiptare e 15-vjeçarëve. Ai është një brazilian i lindur në Portugali, por gjithë jetën e tij e ka kaluar në Shqipëri. Pak ditë më parë ai debutoi me kombëtaren e moshave dhe kjo i ka lënë shumë mbresa.

“Ishte shumë e vështirë sepse atje ka lojtarë shumë të mirë. Te Shqipëria ka shumë talent. Unë mendoj se kam luajtur mirë, por të shoh si kam kaluar në test,”-shprehet 14-vjeçari.

Viktor stërvitet me ekipin e Tirana United, ku trajner është babai i tij Elder Nunes. Një brazilian që ka ardhur në Shqipëri që prej vitit 2004 dhe thotë se dëshira më e madhe është të shohë djalin me fanellën e kombëtares së madhe.

“Unë them se do ishte kënaqësi shumë që të shoh djalin tim me fanellën e Shqipërisë. Për mua do të ishte … ska nevojë më, ska nevojë më,”-deklaroi Elder Nunes.

Të pëlqen të përfaqësosh Shqipërinë?

“Po më pëlqen shumë. Këtu kam jetuar të gjithë jetën timë, ndërsa babi më thotë se unë jam shqiptar,”-thotë Viktor.

Elder përpiqet ta mbajë Viktorin me këmbë në tokë, duke i thënë se i duhet të bëjë shumë punë për të qenë i përhershëm në kombëtaren shqiptare.

“Ai është duke ëndërruar, ndërsa unë i thash: ‘Nuk ka ndodhur asgjë akoma, edhe nëse ndodh ti do vazhdosh punën tënde’. Por ai është duke ëndërruar tanim, është duke ëndërruar,”-shprehet Elder.

Në fund Elder, një brazilian që flet rrjedhshëm gjuhën tonë, ka një mesazh për shqiptarët.

“Unë mërzitem ndonjëherë sepse shumë shqiptarë thonë nuk bëhet Shqipëria me shqiptarët. Unë e kam inat kur e dëgjoj këtë sepse unë them që Shqipëria bëhet me Shqiptarët. Nuk ka mundësi që Shqipëria të mos bëhet me shqiptarët,”-tha ai.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?