Bajram Peçi: Fëlliqësirat e përçarjes

29 Qershor 2019, 09:10| Përditesimi: 29 Qershor 2019, 09:21

  • Share

Asnjëherë nuk kemi qenë më të përçarë se sot! Ata që kushtetuta i ka ngarkuar të jenë roje e mirëmbajtës të unitetit kombëtar janë bërë palë në sherre. Përçarjen si tipar i Mesjetës e ka shkruar historia e pricipatave arbërore, të cilat u fshinë nga turqit. Por para se të zhdukeshin nga historia, duhet pranuar se sherret mes tyre u paguan me një çmim të lartë, pushtimin turk. Ngelën fise, bajraktarë e bajraqe, që otomani i ushqente parreshtur, për të mbërritur, për të keqen tonë, deri në ditët që po përjetojmë. Prej kësaj politike ata siguruan një përçarje 5 shekullore, e ndodhur tërë kohën nën shoqërinë primitive të gjakmarrjes. Ikën turqit, por ngeli Turqia e Vogël, siç quhej mes vedi Shqipëria, me tipar dallues mosmarrëveshjen e përçarjen. Ishin krijuar mendësi që kultivuan e rritën esadizmin dhe haxhiqamilizmin, për t’ja mbërritur që Shqipëria dhe shqiptarët të shqyheshin me duart e veta.

Në botën shqiptare nuk është vështirë të kuptosh pse ndodhin e përsëriten situata ekstreme, si këto që po provokon mëndjelehti Lulzim Basha dhe të tjerë që e pasojnë. Nuk është qëllimi të zbulojmë fajtorët, por të kujtojmë se nuk kanë qenë të largëta kohët, kur etja për pushtet e pasuri e racës së Saliut, Lulzimit dhe Ilirit, i çonte të shërbenim si mercenarë kundër shoshoqi, si tradhtarë e mëkatarë ndaj kombit, si mëndjelehtë, si injorantë të pashkollë. E (meqë e përmënda shkollën) atë strofën poetike të famëshme të Mjedës, “Kjoftë mallkue kush qet ngatrrime ndër këto vllazën shoq me shoq...”, mbi 95 përqind e popullit, kur u shkrua, nuk mund ta njihte e as ta lexonte, se nuk dinte shkrim e këndim. Kur populli, tashmë i arsimuar, ndodhej në demokraci, kjo poezi dhe letërsia atdhetare trajtoheshin te letërsia për fëmijë. Për të rriturit rekomandohej vepra letrare “Vrima”. Degradimi i ndërgjegjes kombëtare ndër ne, nuk do njihte kufij.

“Të gjithë popujt janë qeverisur mes kundërshtive”-shkruante në kohën e tij Volteri. Ka një varg faktorësh që dallojnë pjesë e shtresa të kombit, që çdo keqdashës i ka përdorur për të mbërritur ku ka dashur, përçarjen. Janë ato politike, fetare, klasore, krahinore, etj. Gegë e toskë, muslimanë e të krishterë, fusharakë e malësorë, qytetarë e katundarë, të varfër e pasanikë, të partisë X e të partisë Y, etj. Të gjithë këta, papërjashtim, bukës i thonë bukë e ujit-ujë, i bashkon gjuha, raca, bashkësia territoriale e formimi psiqik dhe i ndajnë këta faktorët që u përmendën më sipër. Pak kohë më parë, as një njeriu, që ka dy fije mend në kokë dhe pak sedër, nuk do t’i bënte përshtypjen më të vogël ndokush që përpiqej të trazonte njesimin kombëtar. Nuk do ta besonte kush ndërmarrjen e një veprimi kaq të padenjë, do tingëllonte qesharake. Këto bindje e qendrime do fillonin të përkuleshin nën peshën e vetë lirisë së deformuar.

Qendrimi fillestar në demokraci, “Opozitarë, por vëllezër”, nuk shërbeu aspak, tingëlloi si sharlatanizëm i S.Berishës. Përçarja deri në armiqësi kish filluar. Një ndër shkaqet kryesore të fillimit të përçarjes ishte ndërtimi i shtëpisë së Partisë Demokratike mbi kalbësirën kënetore të antikomunistëve, që dikur kishin qenë bashkëpuntorët e nazifashizmit. Urrejtja e bijve të kolaboracionistëve ndaj komunistëve nuk njihte kufij. Rendi i tyre dhe ata si zbatues ishin bërë shkaku që t’u rrëzohej sistemi feudal, që u siguronte privilegjet. Më tej vinte sekuestrimi i pasurisë, reforma agrare, persekutimi, lufta e klasave e të zeza të tjera. Kanë kaluar rreth 50 vjet nga ajo kohë, por me sa duket, urrejtja nuk është shuar. Ishin pak ata prej tyre që qenë në gjendje të tregojnë qendrueshmëri dhe aftësi për t’u ngritur mbi emocionet e kohës.

Përçarja filloi me përdorimin e çfarëdo lloj arme. U fillua me standartin e shqipes, e diktuar kjo me dhunë nga tosku Enver Hoxha; u kalua, sipas tyre, te lufta civile që bënë shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore dhe krimet që formacionet partizane të Jugut shqiptar bënë në Veri; ju mëshua fort nga Sali Berisha kultivimit të armiqësisë përmes thënjeve të parreshtura se Jugu e urren Veriun. Marrëzia e ushqyerjes së përçarjes degjeneroi në banalitete. Kur Shkodra vuajti një përmbytje të kohës, PD i cilësoi edhe shkarkimet e detyruara nga moti të ujrave të hidrocentraleve në Drin, të qëllimshme: “Partia Socialiste (ishin në pushtet) i hapi portat se e urren Shkodrën”.

Toleranca në politikë është vlerësuar gjithë kohërat si parim i shenjtë. Nëse nuk e respekton kundërshtarin, nuk ka tryezë dialogu! Por në demokraci je i dënuar të ndërtosh së bashku me kundërshtarët rendin. Këto parime i shkeli me këmbë S.Berisha. Kundërshtarin e trajtoi si armik. E ashtuquajtura demokraci që aplikoi ai me marrjen e pushtetit ishte veçse një karikaturë. Më mirë se kudo kjo u duk në funksionimin e jetës së brendshme në PD. S’kishin kaluar 3 vjet nga themelimi dhe brenda saj u shfaqen fraksionet, përjashtimet, dhuna. Lexues i nderuar, s’është e tepërt të kujtojmë se nga anëtarët themelues të saj sot është i pranishëm vetëm një prej tyre, Sali Berisha. Natyrisht që s’është e rastit. Ai kishte një urrejtje të tillë për kundërshtarin, brënda ose jashtë partisë, që rrallë ja gjen shoqen. Pështyma ju kthye në normë.

Përçarja nuk është një e keqe shqiptare. Belgjika, nga dasitë mes belgve dhe flandrës, vuan periodikisht mungesën e qeverisë; Katalonja, ky problem i madh i Spanjës; Skocia dhe Korsika, që ngrenë krye here pas here, për shkëputje; italoveriorët me Padanian e tyre; madje dhe në Gjermaninë që na duket me unifikim të përsosur, ja ku spikat irredentizmi Bavarez. Problemi nuk është aq serioz për to. Ato janë vënde të mëdha e të pasura, ska ç’i gjen gjë, i kapërxejnë se dinë t’i kapërxejnë, se dinë të bashkëpunojnë e të dialogojnë. Problemi i përçarjes është serioz për ne, që jemi vend i vogël se na lanë të vogël e të coptuar kafshërisht. Dhe, për më tepër, jemi të varfër.

Sikur të mos mjaftonin dy kundërshtarët e mëdhenj, shfaqet për t’i hedhur palët në flakët e pakënaqësisë e të përçarjes presidenti Ilir Meta. Njeriu që u bë kryeministër në moshën 29 vjeçare është pasojë e liberalizmit tipik të Fatos Nanos. Në periudhën kur ju besua posti i

kryeministrit, përveç ngjarjes rrënuese e përçarëse të vitit të mbrapshtë 1997, ndodhi dhe grushti i shtetit të shtatorit 1998. Mbi Partinë Socialiste rëndonte vijueshmërisht akuza se kjo parti ishte trashëgimtare e ish Partisë së Punës. Ilir Meta, si njëri ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste dhe kryetar i PS të Tiranës, u zgjodh për postin, që partia të pastronte sadopak veten, me sjelljen në drejtim të të rinjve pa trashëgimi të totalitarizmit (siç ishte Nano, psh).

Me përçarjen që I.Meta i bëri të majtës, krijoi një parti e cila luajti me dy-tre mandate deputetësh (“të arta” i quajti i ndjeri Dritan Prifti) rolin e tregtarit në ndarjen e tepsisë. Tepsia, siç E.Rama e quajti, s’është gjë tjetër veç atyre afërsisht 100 mijë vendeve buxhetore dhe posteve ku lulëzonte atëbotë privatizimi e më pas, tenderimi. “Tregtarin e venedikut”, cilësim ky i L.Bashës për LSI, dikush tjetër, një analist i njohur në ekonomi, e quajti “Kanceri i Shqipërisë”. Mandatet ja afroi PD-së, duke ricikluar kështu në pushtet S. Berishën. I përkëdhelur, i joshur nga pushteti, kaloi e provoi poste të ndryshme ministrore. Ndonëse i akuzuar bujshëm për afera korruptive, kalon me PS në koalicion, e cila i beson me marrëveshje “xhentelmenësh” (Rama-Meta) postin e presidentit. Është aksident? Aspak! Kur ishte bërë marrëveshja Edi Rama nuk e kish sigurinë e fitores 50+1. Kjo marrëveshje ja siguronte postin e ëndërruar të kryeministrit. Më tej, me mendjelehtësinë e deputetëve të PS-së të cilët, si të dobët, si zgjedhje e kryetarit, si deputetë ardhur nga listat e jo nga populli, që ndodheshin e ndodhen nën pushtetin e të fortit Edi Rama, dhanë votën. Tani kërkojnë ta shkarkojnë, është pak t’u thuash teveqelë.

Katrahura ligjore e krijuar veçse ka thelluar përçarjen. Këta që quhen opozitë, moçalin moral ua ka kuptuar si Europa ashtu dhe Amerika, vende ku njerëzit kanë të drejtë të enden, të zgjedhin e të ndryshojnë orientimin e jetës së tyre pa diktate partish. Nuk ka gjasa të gjeni në këto vende parti që t’i thonë anëtarësisë “nuk do shkoni në zgjedhje”. Po këta, me presidentin në krah, kaluan tërë caqet e budallallëkut kur kërkuan e vendosën, “nuk do ketë zgjedhje, sepse ne nuk marrim pjesë”. Në demokraci këto metoda jo vetëm nuk funksionojnë, por hyjnë në kategorinë e terrorit publik. Është kjo arsyeja që vendet demokratike, ku spikatin miqtë tanë, USA dhe Italia, Lulzim Basha dhe Ilir Meta me të shoqen i ka kundër. Me pseudodekretimin e ri të konsultuar me Titin, për zhvillim zgjedhjesh lokale në muajin tetor, Iliri nuk tregon zgjuarsinë, por tregon kokën e tij, e cila nuk tundet kollaj nga e vetja dhe shtiret se ka besim aq të madh në vendimet e tij personale-antikushtetuese sa ç’kanë katolikët te Papa i Romës. Shegertët e tij në presidencë e ndihmojnë parreshtuar që ai ta besojë këtë. Në të vërtetë kreu i PS e ka hak këtë sjellje të I.Metës, por shteti ligjor dhe populli në tërësi, që janë ata që do ta pësojnë, ç’taksirat ka t’i mbajë në shpinë?

Shqipëria e turbulluar, e pushtuar nga tronditje të thella, e përçarë nga injoranca, e fëlliqur nga pasanikët e rinj të hierarkëve partiakë, e përdhosur nga mallkimet që hazbironeritanët me përkeqsim të shëndetit mendor, i bëjnë popullit, do kenë e gjejnë shpejt përbuzjen e njeriut të civilizuar e të kthjellët. Prisni!

Komento

Komente

  • Sqepari: 29/06/2019 18:48

    Prandaj ka ngelur Shqiperia kjo qe eshte se bejne hije ne toke ca si puna e ketij soni sumes

    Përgjigju
  • A.Buda: 29/06/2019 15:33

    E ke qare! Po sa njerez do ta lexojne? Te shohim! Rrofsh!

    Përgjigju
  • soni: 29/06/2019 15:26

    107 vjet pavaresi, jane nderruar dhjetera regjime, sisteme, breza, prape turku na e paska fajin! A thua nuk kishin pushtuar gjithe ballkanin, po vetem ne jemi ne kete gjendje.. shkoni pirdhuni mbeturina enveriste, qe sdoni ta pranoni se gjithe vuajtjet i kemi nga njeriu i ri,. injorante!!!!! morra te kuq

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?