Foto ilustruese

‘Ballkani i Hapur’ dhe thesi i hapur i retorikës opozitare

9 Qershor 2022, 10:10| Përditesimi: 9 Qershor 2022, 10:16

  • Share

Rrallëherë që opinion publik shqiptar ka ndjekur me një vëmendje të shtuar se çdo ndodhë në Samitin e Ohrit ku ishin mbledhur liderët e 5 shteteve rajonale në vijim të axhendës për “Ballkanin e Hapur”. Dhe ky interesim nuk ishte për produktin që do të sillte kjo tryezë që gjithësesi nuk ish pa vlerë në shtrimin e një hapësire rajonale me rregulla më të lehtësuara ekonomike për qytetarët e bisnesin, sesa për të tjerë faktorë të jashtëm që hodhën topa balte sa pa filluar samiti, në oborrin e brendshëm ballkanik. Ishte Lavrov, Ministri i jashtëm i Rusisë, që nuk u lejua brenda hapësirës ajrore të disa vendeve ballkanike ndërsa kish në plan të vizitonte Beogradin që vërviti Mollën e sherrit brenda gostisë ballkanike. “ Desha të shkoja në Beograd, u shpreh Lavrov, për të dhënë dhe mbështetjen time për “Ballkanin e Hapur”.  Kaq mjaftoi që të ngrihej suferina e gjithë kritikëve e pseudorojtarëve të puritanizmit izolicianist nacional për të shkallmuar që në fillesë nismë rajonale të një ekonomie të hapur ballkanike, me idenë se ajo është në shërbim të Rusisë e madje projekt i saj. Jo rastësisht, i pari që nxitoi të dalë kundër e të nxjerrë llastiqet për të qëlluar me gurë Samitin e Ohrit, ishte Berisha dhe pasuesit e tij. Ishte një rast i mirë për të, që ndërsa zhvillohet lufta në Ukrainë, të marrë pozat e një rojtari të interesave amerikane nga kërcënimi i ndikimit rus të Shqipërisë e rajonit, kur këtë nuk ia kërkon askush pasi vetë SHBA e ka bërë def. Ishte një casus i mirë ndërkohë, që opozita, e lodhur dhe e përçarë nga lufta e brendshme, të artikulojë ndonjë ide politike për të dëshmuar se është ende gjallë e për ti bërë ndonjë dëm anësor maxhorancës, me shkak apo qoftë me rikoshet.

Deklarata e Lavrov në fakt, ishte si kocka e hedhur që qentë e rrugës të zihen e të merren me njëri tjetrin. Gjithshka i ngjante dekorit antik të darkës së perëndive olimpike, ku e paftuara Eris, perëndi e Grindjes, hodhi mollën e sherrit në tryezë, me shënimin: “Më të bukurës”, me anë të së cilës futi në sherr gjithë Olimpin, por që u bë shkas edhe për një luftë tjetër, më njerëzore. Atë greko- trojane. Kohët kanë ndryshuar, ashtu siç kanë ndryshuar edhe provokimet . Ndërsa ne si ballkanas kemi mbetur po njësoj: po aq kapadaij e kokëshkretë, po aq të gatshëm për sherr e tërbim, dhe fatkeqësisht po aq lehtësisht të manipulueshëm nga çdo lloj provokimi që nuk dihet nga sa larg vjen e në interes të kujt është. Në interesin tonë jo ama, dhe kjo është e sigurt. Pakkush u mor me produktin çfarë solli ky Samit. Pakkush pa qartazi që ndërsa Lavrov provokoi së largu, Samitit iu shtuan edhe dy vende të tjera ballkanike, Mali i Zi dhe Bosnje- Hercegovina. Mungoi sërish Kosova, që për fat të keq ka kohë që është mbyllur në guackën e vet dhe që nuk ka shënuar asnjë lëvizje në politikën e jashtme. Por kjo është jeta. Me shoqëri dhe liderë të hapur e modernë, e bashkë me ta edhe drejtues refraktarë e pa ide kur koha kërkon që për interesat e vendit tënd duhet ritëm dhe guxim për tu përshtatur me ketë periudhë sfidash e për të gjetur rrjedha sa më të sigurta për mirëqenien e popullit që të është besuar drejtimi.

Marrëveshjet e nënshkruara në Ohër midis bashkësisë aktuale ballkanike ishin elementë që ndikojnë direkt në interesante shtresave të ndryshme. Njohja e diplomave dhe gradave shkencore është në interes të  brezit të ri dhe që kap rrugën e një hapësire më të gjerë të punësimit. Nëse një i ri i Tiranës apo i Shkupit i njihet diploma e tij në tërë hapësirën ballkanike, atëherë dhe mundësia e tij të ushtrimit të profesionit të tij shtrihet jashtë kufijve të Shqipërisë apo të Serbisë. Ndërsa po ankohemi për braktisjen e vendit nga të rinjtë që detyrohen të fillojnë nga e para gjithshka në një vend evropian, pavarësisht shkollimit e kualifikinit që kanë, kjo është një mundësi që mbeten Brenda një hapësire ballkanike dhe duke ia respektuar meritokracinë sipas shkollimit dhe kualifikimit. Po ashtu marrëveshja në drejtim të turizmit është kontribut shtesë që i vjen në ndihmë ekonomisë shqiptare që çdo vit e më shumë po e vë më shumë në funksion bregdetin aq joshës të saj duke e shndërruar turizmin në një sector prioritar të zhvillimit ekonomik. Por bashkë me turizmin do të marrë hov edhe sektori i ndërtimit, si në funksion të turizmit ashtu dhe rritjen e kërkesave të apartamenteve për shitje për qytetarët e huaj. Me të njëjtën efikasitet e interes të përbashkët kanë dhe sektorët e tjerë, duke nisur që nga ai burimeve energjetike dhe tregut të brendshëm ballkanik dhe deri në lëvizjen e lirë të mallrave në një treg më të madh që lirohet nga pesha e taksave sipas vendeve por që rregullon e njëson procedurat për biznesin. Ballkani i Hapur, gjithsesi mbetet një proces ekonomik ende në proces. Ai ka vlerë dhe shndërrohet i suksesshëm kur vërtet ke besim se i shërben vendit tënd e gjithkujt në rajonin tonë. Ashtu siç edhe mund të hidhet në erë nga interesat e ngushta të atyre që e bëjnë për përfitime politike por që nuk arrijnë të ngrihen dot në lartësinë e shtetarëve që kontribuojnë për të ardhmen e vendit të tyre. Nuk ka qenë hera e hapë që Shqipërisë apo dhe Ballkanit t’ia kenë prishur shpresën kryeneçësia lokaliste e provinciale. A mund të ndodhë sërish kjo? Këtë nuk e dimë por ajo që duhet të bëjmë pyetje është se çfarë vendi do tu lemë fëmijëve tanë? Një vend të izoluar në kullat e eposit të kreshnikëve ku fqinji ishte armiku i përhershëm me të cilin gjakoste tokën dhe frymëzon eposin, apo në një hapësire të re ku paqja shëron plagët dhe e ardhmja i shërben prosperitetit?

E.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?