Banka e Shqipërisë po shkon drejt një tjetër rritjeje të normës bazë të interesit. Guvernatori Gent Sejko garanton se kjo nuk do të shkaktojë rezesion, ndërsa theksoi objektivin për ruatjen e stabilitetit të çmimeve në këtë situatë delikate të ekonomisë globale.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paralajmëron rritjen e mëtejshme të normës bazë të interesit, me qëllim ruajtjen e stabilitetit ekonomik, në kushtet e një inflacioni të lartë të shkaktuar nga Lufta në Ukrainë. Ai garantoi se kjo rritje nuk do të çonte në recension, teksa theksoi edhe njëherë se prioritet është ruajtja e stabilitetit të çmimeve.
“Më e rëndësishmja, projeksionet tona, të cilat përfitojnë nga të njëjtat modele dhe analiza të kërkimit, sugjerojnë se raundi aktual i rritjeve të normës bazë të interesit nuk do të çojë ekonominë në recension. Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm. Në këtë drejtim, rritja aktuale e normës bazë të interesit, e cila ka për qëllim të ruajë stabilitetin e çmimeve dhe të ankorojë pritjet për inflacionin, është njëkohësisht një masë për të mbrojtur jo vetëm ekonominë, por edhe sektorin privat e individët nga efektet negative të tij. Kjo është veçanërisht e vërtetë dhe e rëndësishme për shtresat e popullsisë me të ardhura të ulëta, të cilat janë goditur më shumë nga efektet negative të inflacionit të lartë e të qëndrueshëm”- tha Sejko.
Qëndrimin, Sejko e bëri publik në një aktivitet të organizuar me qeverinë zvicerane, ku u prezantuan disa nga gjetjet e kërkimeve të realizuara nga Banka e Shqipërisë për hartimin e politikave të reja monetare.
Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2022 ka rritur pesë herë normën bazë të interesit, duke e çuar në nivelin 2.75%, nga 2.25% që u vendos në 2 nëntor 2022, teksa pritet mbledhja e rradhës e Këshillit Mbikëqyrës për muajin dhjetor. Në muajin tetor inflacioni ishte në masën rekord 8.3%.