Banorët e fshatrave Lubalesh, Smollok, Kojovec, Lejçan, Ternovë, Okshtun, Sebisht dhe Moglicë kalojnë çdo ditë në këtë rrugë të amortizuar me gropa të thella që bën të vështirë udhetimin.
Në vend që të jetë një rrugë e sigurt për udhëtim, ajo është kthyer në një sfidë për qindra banorë.
Rruga rurale që lidh këto fshatra me aksin nacional Dibër-Librazhd është ndërtuar disa vite me parë si donacion nga kompania që ka HEC-et në Moglicë dhe pas është lënë në degradim.
Gropat e thella dhe balta e bëjnë udhëtimin e vështirë, veçanërisht ne kohe me reshje. Shpesh herë është bërë burim për aksidente, thonë banoret qe jane ankuar disa herë në bashkinë e Bulqizes por kanë mbetur pa përgjigje.
Bashkia e Bulqizës në përgjigje të kërkesës për informacion të Report tv, deklaron se nuk ka fonde për asfaltimin e këtij segmenti, por premtoi se brenda këtij muaji do të mbushë gropat me çakull.
Bashkia Bulqizë: Kjo rrugë gjatë periudhës së dimrit ka pasur dëmtime për shkak të reshjeve dhe bashkia ka planifikuar në muajin qershor 2024 të ndërhyjë në këtë segment. Ndërhyrja do të bëhet me mjetet e bashkisë duke hedhur çakull për të mbushur gropat.
Bashkia e Bulqizës thekson se ka kërkuar financim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.