Mungesa e transportit publik prej rreth 2 vitesh, ua ka vështirësuar përditshmërinë banorëve të Dropullit të Sipërm. Banorët e Dropullit të Sipërm kanë protestuar mëngjesin e sotëm për atë që e quajnë persekutim të Bashkisë së Dropullit. Kjo për shkak se janë hequr linjat urbane që lidh Dropullin me Gjirokastrën.
Ata thonë se detyrohen të paguajnë shuma të konsiderueshme parash për të përdorur transportin privat nga Dropulli në Gjirokastër.
“E kam sjell me makinë private nga shtëpia.
Nuk kam para të paguaj autobusin.
Na ka diskretituar bashkia Dropull. Dhe po të dua të iki në Gjirokastër për një dhëmb nuk vete dot. Taksia do 60 mijë lekë.
Nuk mund të marr taksi unë me pensionin që kam”, thonë banorët.
Banorët të mbledhur ne fshatin Vrisera, akuzojnë Bashkinë e Dropullit për neglizhencë të zgjidhjes së këtij problemi.
“Kemi nevojë për fugon ose autobus. Për të shkuar në Gjirokastër duhen 45 mijë lekë, ne nuk kemi mundësi. Na duhet një fugon.”
Gjyqi që kanë nisur kompanitë e transportit publik Dropull-Gjirokastër, ka si shkak pikërisht mungesën e transportit/ thotë kryetari i Bashkisë Dropull Dhimitër Toli.
“Ka një problem me linjat, nuk ka lindur problemi nga kryetari por nga gjyqi që ka nisur mes dy firmave me njëra tjetrën. Licencën e jep ministria e Infrastrukturës. Bashkia nuk jep licencë Dropull-Gjirokastër”, tha Toli.
Kreu i Bashkisë flet për një zgjidhje të përkohshme, ndërsa pas 1 muaji një kompani do të kryejë transportin e banorëve.
“Bashkia nuk ka lënë asnjë në rrugë, me mjetet e Bashkisë, me autobusët e Bashkisë të nxënësve kemi bërë të mundur transportit. 2 autobusët e nxënësve do të jenë në dispozicion të banorëve, javën që vjen do të nxjerrim edhe orarit. Për tre muaj do të ketë një zgjidhje të plotë për shkak se për 1 muaj do të dalë kompania fituese se kush do të bëj transportin e këtyre banorëve. Kemi marrë vendimin që të hapim konkurrimin për të shpallur kompaninë që do të bëjë transportin deri në qendër të Bashkisë Dropull, sepse jashtë Bashkisë nuk na lejohet të japim leje”, tha Toli.
Në Njësinë Administrative Dropulli i Sipërm banojnë rreth 7 mijë banorë, shumica prej të cilëve janë të moshuar dhe jetojnë në zona të thella malore.