Banorët e '5 Majit', Laprakës e Kodër Priftit protestë para Kuvendit: Duam një akt marrëveshje të drejtë

24 Mars 2022, 14:50| Përditesimi: 24 Mars 2022, 15:40

  • Share

TIRANË- Banorët e '5 Majit', Laprakës dhe Kodër Priftit kanë dalë sërish në protestë kundër shembjes së banesave të tyre dhe thanë se kërkesa e tyre është shumë e qartë. Banorët shprehen se duan një marrëveshje korrekte, që është e firmosur nga të dyja palët, duke theksuar se pavarësisht protestave, Bashkia e Tiranës nuk ka kontaktuar asnjë banor.

Një prej banorëve ka paralajmëruar se të gjithë banorët do të bëjnë kallëzime individuale, pasi sipas tyre kjo është e vetmja formë për të vënë në lëvizje gjykatës.

"Të bëjnë kallëzime individuale, se kështu e vini gjykatën në lëvizje. Se nëse i bën një Lapraka, një Kodër Prifit, këta i marrin gjykatësit në celular. Ne kërkojmë një marrëveshje të drejtë. Do nisim hapat ligjore, do vijojmë protestat, përderisa Bashkia e Tiranës nuk reagon, se Bashkia duhet të bëjë aktmarrëveshjen me banorë, akoma nuk i ka kontaktuar Bashkia", tha banori.

Nënë Liza është shprehur se që prej muajsh janë në qiell të hapur, teksa ka komentuar edhe me ironi deklaratën e Elisa Spiropalit, që e quan kryeministrin Edi Rama "Skëndërbe".

"Ne jemi jashtë, ne kërkojmë shtëpi, për ne nuk është Skëndërbe, po janë plehra, në Ukrainë hallal ia bëftë zoti rusi, por të na binte rusi i kishim rënë, ata me armë ne më armë, po ne kujt t'i biem", tha Nënë Liza.

Në kuadër të projektit të rindërtimit dhe rikualifikimit urban në zonën e ‘5 Majit’, Laprakës, Kodrës së Priftit dhe Paskuqanit qindra banesa janë projektuar për t’u shembur nga IMT. Një pjesë e banorëve në zonën e '5 Majit' nuk kanë pranuar kontratat e propozuara nga bashkia, ku thuhet se do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re me të njëjtat metra katror. Sipas tyre ajo është e njëanshme dhe nuk ka vlerë ligjore. Për këtë projekt pritet të shemben në total një numër prej rreth 1 mijë banesash.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?