Pas 4 ndeshjesh Barcelona rikthehet tek fitorja dhe në kryesimin e La Ligas por humbet kapitenin Leo Messi. Katalanatasit mposhtën në “Camp Nou” 4-2 Sevillan dhe me 18 pikë mbajnë vendin e parë pas javës së 9-të.
Coutinho dhe më pas Messi i dhanë avantazhin e dyfishtë skuadrës së Valverdes. Por më pas Messi u dëmtua në bërrylin e dorës së djathtë dhe do mungojë tre javë duke humbur ndeshjet me Interin dhe Realin. Luis Suarez me penallti e dërgoi rezultatin në 3-0 ndërsa Sarabia shënoi golin e parë për miqtë. Ivan Rakitic i shënoi ish –skuadrës së tij ndërsa rrjetën e tundi edhe Luis Muriel dhe Barcelona-Sevilla u mbyll 4-2.
Atletico Madrid nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në transfertë ndaj Villareal. Çdo gjë ndodhi në pjesën e dytë me Felipe Luis që kaloi djemtë e Simeones në avantazh ndërsa Mario Gaspar barazoi për vendasit. Me 16 pikë Atletico mban vendin e katërt.
Levante tronditi Real Madrid duke e mundur 2-1 në Bernabeu. Morales dhe Roger me penallti shënuan në minutat 6 dhe 13-të duke i dhënë miqve avantazhin e dyfishtë.Ajo që mundi të bënte Reali ishte vetëm goli i Marcelo por që nuk shërbeu për të përmbysur rezultatin. Lopetegui pritet të vijojë ndërsa Reali prek fundin me 3 humbje në 4 ndeshjet e fundit.
Pas javës së 9-të Premier League angleze e kryeson Manchester City me 23 pikë dhe plot 26 gola të shënuar. Djemtë e Guardiolës bënë goleadë ndaj Burnley duke e mundur 5-0 me golat e Aguero, Bernardo Silva, Fernandinho,Mahrez dhe Sane. Goli i Mohamed Salah pas asistit të Shaqirit i dha fitoren Liverpool ndaj Huddersfield duke bërë që të besuarit e Klopp të jenë në të njëjtën kuotë pikësh me Cityn në bashkëkryesim.
Ndërkaq superndeshja e javës Chelsea-Manchester United u mbyll në barazim 2-2. Goli i Rudiger mbylli pjesën e parë në avantazh për londinezët por në fraksionin e dytë dygoëlshi i francezit Martial përmbysi shifrat megjithatë në frymën e fundit vendasit rrëmbyen një barazim me golin e Barkley në minutën e 96-të.