Gjashtë muaj para zgjedhjeve vendore, Partia Demokratike rrezikon të ripaguajë një çmim të lartë për aleatët e saj të vegjël, për shkak të shmangies së një debati real, mes saj dhe aleatëve, lidhur me çfarë duhet ndryshuar në Kodin Zgjedhor dhe çfarë garancish kanë ata, të jenë në aleancë me Partinë Demokratike.
Lulzim Basha ka shtyrë pafundësisht për gati një vit, ballafaqimin me ta për këtë çështje, duke i mbajtur jashtë Parlamentit dhe duke tentuar të ndryshojë temën e debatit politik, për shkak se Reforma Zgjedhore ishte një pikë që mund të plasariste koalicionin.
Tani që duket se po digjen të gjitha afatet, edhe afatet për të shtyrë këtë debat, por dhe afatet për të vendosur çfarë duhet bërë me zgjedhjet.
Debati për reformën zgjedhore ka qenë i vështirë për Lulzim Bashën, pasi ai kërkon të ruajë këtë sistem zgjedhor që është, dhe këto rregulla, pasi kjo është e vetmja mundësi që ai të ketë një farë pushteti brenda Partisë Demokratike. Aleatët e tij kanë qëndrime dhe kërkesa të ndryshme ndaj Reformës zgjedhore dhe çdo debat për këtë pikë e ndan koalicionin.
E vetmja pikë që mund ta mbajë të bashkuar aleancën tani, nuk është më debati për reformën zgjedhore se për të nuk ka kohë, por garancitë dhe pjesën e pushtetit që Basha duhet t’u japë për zgjedhjet lokale.
Në një farë mënyre ai gjendet para situatës së vitit 2017, ku për të hequr qafe kundërshtarët brenda partisë, futi aleatët në lista dhe nxori në rrugë kundërshtarët e vet që të dukej se ruajti koalicionin pa ndryshuar Kodin zgjedhor.
Tani do t’i duhet të bëjë të njëjtën gjë.
Edhe përkundër përbetimeve të tij se nuk do të hyjë në zgjedhje, ai duhet jo vetëm të hyjë, por dhe të ndajë pushtet me aleatët e vet të vegjël, të cilët duan një çmim për të qëndruar në koalicion. Në pamundësi për t’i kënaqur me Kodin Zgjedhor, i cili i humbet Bashës pushtetin brenda partisë, ai duket se do të preferojë më mire t’u japë pjesë nga partia, se sa të humbasë pushtetin në parti.
Është kjo arsyeja që aleatët e tij të vegjël, Duka, Mediu, Shehi, Dule e Ndoka, po flasin përditë e më shumë për mos-bojkotim Parlamenti dhe mos-bojkotim zgjedhjesh, si e vetmja mënyrë për ta kapur mat Lulzim Bashën që të paguajë haraçin e mosndryshimit të Kodit Zgjedhor.
Ndërkohë duket se partia e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, PDIU, do ta kthejë sërisht timonin nga e majta për zgjedhjet lokale, ku ka më shumë garanci se merr pjesë më të madhe se sa në opozitë.
Çmimi që Basha duhet të paguajë tani duke ndarë llokma nga pushteti i PD për aleatët, me qëllim që ata të mos hapin temën delikate të ndryshimit të Kodit Zgjedhor, është e vetmja mënyrë, që ai ti mbajë ata pas vetes si grup rezervë, që zëvendëson ëdo pakënqësi brenda PD dhe që i siguron Bashës, komoditetin e pushtetit brenda PD, përmes Kodit Zgjedhor që i jep atij çdo pushtet.
E vetmja gjë që ai e ka të vështirë tanimë ta përsërisë si kërcënim është bojkoti i zgjdhjeve lokale. Ai bëhet i pamundur, jo vetëm me aleatë që presin me gojë të hapur të marrin pjesën e vet nga PD, meqë nuk e morën nga reforma zgjedhore, por dhe me një LSI, që mezi pret ta ketë fushën e vetme. Se në luftë nuk mund t’u ikësh të gjithëve, edhe kundërshtarit edhe aleatëve. Diku do përballesh!/ TEMA