Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Basha me sytë nga qielli e ‘Rinasi’, Berisha ushqen demokratët me ‘lugën bosh’

6 Dhjetor 2021, 19:41| Përditesimi: 6 Dhjetor 2021, 19:49

  • Share

Situata brenda PD po bëhet gjithnjë e më “acide”, ndërsa 11 dhjetori i Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha po afrohet gjithnjë e më shumë.

Palët në konfliktin brenda PD janë mbërthyer në akuza ndaj njëra tjetrës, sa nuk po gjendet asnjë lloj elementi që të shërbejë si një “ftohës” i kësaj marrëzie që ka mbërthyer partinë më të madhe opozitare, që po bën “harakiri” pa u menduar për pasojat afatgjata që mund të ketë pas konfliktit.

Sali Berisha, i cili e kemi thënë dhe e ka vertetuar gjithnjë se nuk e njeh marrshin “indietro”, duke jetësuar më së miri atë fjalën e urtë popullore që për “për një plesht djeg gjithë jorganin”, madje duke shkuar akoma më tej dhe djegur tërë shtëpinë e demokratëve, nuk po lë asnjë hapësirë për të gjetur një të përbashkët dhe ulur tonet e konfliktit dhe shpëtuar PD-në.

Tashmë ka nisur të shpeshtojë foltoret e tij, duke arritur deri atje sa të “kapërcejë” në mënyrë sfiduese dhe “oqeanin” e ta mbajë një të tillë në mënyrë virtuale në SHBA.

Ish drejtues dhe zyrtare të PD, me banim të vonë në Amerikë, ishin mbledhur të dielën dhe përsërisnin në kor fjalinë: Rroftë Sali Berisha, shpresa e vetme në këtë parti për të risjellë vlerat e humbura në 30 vite të dhjetorit 1990.

Teksa dëgjon thirrjet e tyre, ndokush që nuk ndjek politikën, mund të mendojë se Sali Berisha nuk ka qënë këtu për 30 vite me radhë, dhe kishte ardhur si shpëtimtar i madh nga një “qoshe” ku ka qënë futur për tërë këto vite.

Për hir të vërtetës Berisha që nga viti i largët ’90 ka qënë në Shqipëri me kapacitet më se të plotë, plot 13 vite në qeverisjen e vendit, ku ka bërë çfarë ka dashur, madje dhe në kapëcim të ligjit dhe Kushtetutës, çka ka sjellë dhe vendimin e SHBA për ta shpallur familjarisht person “non grata”.

Madje dhe gjatë kohës që ka qënë në opozitë, të parën kur e drejtonte vetë, duke kaluar përmes një grushti të dështuar shteti më 14 shtator 1998, përplasje dhe tentativë për të pushtuar institucionet në vitin 2000, deri tek opozita e dytë, kur dha “dorëheqje” në vitin 2013 pas humbjes katastrofike përballë koalicionit Rama-Meta, kur për 8 vite me radhë qëndroi si “turor” i kryetarit të deleguar të PD Lulzim Basha, ka qënë në Shqipëri. Madje në vijën e parë të “sulmit”.

Aq bajat i bë Berisha në këtë pozicion të kryetarit të hije atë PD, sa dhe ambasadorët kishin rënë në hall teksa negocionin për arritjen e pakteve mes mazhorancës së opozitës. Nëse me mazhorancën e kishin çështjen të zgjidhur, arrihej gjithçka me Edi Ramën, tek PD negociatat kalonin nëpër dy “stacione”: në fillim takohej Basha, i cili binte dakord kuptohet, ndërkohë që gishti drejtohej nga Berisha, në zyrën e tij private. Kështu që ambasadorët kishin kasavetin të bënin dhe një takim të dytë me Berishën, duke tentuar të arrijnë marrëveshjen me kryetarin e vërtetë të PD.

Aq proverbiale u bë kjo situatë, sa në fund të çdo takimi të ambasadorëve me Lulzim Bashën, përdorej fort dhe nga Rama në Kuvend një fakt i tillë për të sulmuar Bashën, bëhej pyetja: e ke marrë dakordësinë e Doktorit.

Me sa duket kjo i ka volitur dhe vetë Bashës, për të justifikuar herë pas here dhe vendimet e tij të gabuara, në fund të herës ai ishte kryetari zyrtar dhe mbante vulën e tij çdo vendim apo aksion politik të PD, i cili thoshte se “mua s’më pyet njeri, vendos Berisha”.

Kjo skemë u luajt derisa erdhi në krye të ambasadës së SHBA në Tiranë Yuri Kim, e cila nuk ia pa asnjëherë zyrën Sali Berishës dhe vendosi lidhjet vetëm me kryetarin zyrtar të PD Lulzim basha, duke e nxitur madje atë që të vetëçlirohej nga “kthetrat” e Doktorit.

Basha, si gjithnjë përfitues i “qylit” në tërë jetën e tij nuk e la këtë mundësi të artë të shpëtonte, duke ia “mbushur” dosjen Berishës me të gjitha vendimet që janë marrë gjatë kohës 8 vjeçare në krye të PD në opozitë dhe faturuar zyrtarisht dhe “çadrën”, dhe djegien e mandateve, dhe sulmin ndaj institucioneve por dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore.

Jo se Berisha ishte dorëjashtë në këto vendime, në mos ishte vendimtari në këto vendimmarrje të mbrapshta destabilizuese por që në fund të herës rrënuan PD-në, por ama Basha ishte kryetari me vulë i PD dhe duhej të kishte mbyllur me kohë e vakt rolin e “kukullës” në krye të PD.

Qoftë dhe duke mos e kandiduar që në vitin 2017 Sali Berishën për deputet apo sëpaku më 2021 ta liste jashtë listave, kur mesazhet amerikane për të ishin të hidhura dhe kërkohej me insistim dërgimi i tij përfundimisht në pension politik, për të lënë pas të shkuarën e parë të ardhmen PD.

Basha, gjithnjë i luhatur mes mungesës së vendimmarrjes, frikës nga Berisha se mos i heq “paketën” mbështetëse në PD dhe e linte zbuluar përballë kundërshtarëve brenda partisë, nga frika se nuk ia përtërinin më mandatin në krye të PD, hezitoi ta bënte këtë gjë.

Vetëm pasi Berisha u shpall “non grata” nga DASH e Basha u zgjodh kryetar i PD pas humbjes më 25 prill, kreu zyrtar i kësaj partie mori masën drastike të përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar i PD. Por që gjithsesi Berisha mbeti anëtar i këshillit Kombëtar i kësaj partie.

Këtu u ndërprenë marrëdhëniet mes tyre dhe filloi nisma e Berishës përmes “foltoreve” për ta larguar Bashën nga drejtimi i PD, duke akuzuar fillimisht për besëprerje dhe më pas duke e rritur nivelin e akuzave deri tek përmendja e dosjes ruse të lobimit në SHBA apo 3.4 milionë eurot e përfituara nga skandali i “Toyota Yaris”. Janë akuza që PS i ka artikuluar më herët, por që Berisha, ka mundur të bindë demokratët që janë të vërteta nga përmendja e tyre në çdo foltore.

Madje Berisha thotë se i kishte kërkuar Bashës dorëheqjen që pas humbjes së vitit 2017, duke e akuzuar atë si një lider të thyer dhe të pamundur për të fituar ndaj Edi Ramës dhe sjellë PD-në në pushtet. E akuzon dhe si peng të Ramës, dhe njeri që ka një marrëveshje me kryeministrin soicialist që të mbajë PD-në në opozitë, thjeshtë dhe vetëm për përfitime personale.

Me një fjalë Berisha u thotë demokratëve në bazë se me Bashën kryetar të PD jo vetëm që do të qëndrojnë 12 vite në opozitë, por do të vijojnë të qëndrojnë shumë gjatë jashtë pushtetit.

Berisha pretendon se është shpresa e PD dhe për këtë ka hedhur tezën e rithemelimit më 11 dhjetor të këtij viti, në Kuvendin Kombëtar të thirrur me firmat e 4200 delegatëve, nën kërkesën për ndryshim statuti në fillim e pastaj me largim të menjëhershëm të Bashës, si humbës kronik.

Berisha po ushqen dita ditës shpresën te demokratët pikërisht aty ku dhemb më shumë: Rikthimin në pushtet në zgjedhjet e radhës, një element që përmendet në çdo rast nga Berisha. Me sa duket demokratët, që janë bërë “bakër” në mandatin e tretë në opozitë, si dhe jashtë pushtetit vendor, janë “akomoduar” me këtë tezë dhe po e besojnë, duke shkruar pas nismës së Berishës për të larguar Bashën nga drejtimi i PD, pavarësisht se gjithë lëvizja e ish kryeministrit demokrat është e bazuar në interesin e tij personal. Ndryshe nisma për “rithemelimin e PD” s’do fillonte menjëherë pas shpalljes së tij “non grata” nga SHBA dhe përjashtimi që i bëri Basha nga grupi parlamentar i PD.

Të gjithë e dinë se me Berishën kryetar të PD, demokratët nuk vijnë kurrë në pushtet. Këtë e thonë jo vetëm pjesa më e madhe e analistëve dhe njerëzve me integritet në Shqipëri, por e thonë dhe aleatët tanë të mëdhenj. SHBA dhe BE. Madje ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim e bëri të qartë se me Berishën kryetar të PD, nuk do të ketë asnjë bashkëpunim. Por Berisha vijon të “ushqejë” demokratët me “lugën bosh”, e për hir të së vërtetës, tezat e tij kanë ngjitur, bazuar dhe në nevojën ulëritëse të PD për të gjetur mundësinë e ardhjes në pushtet me të gjitha mënyrat. Me sa duket Kuvendi i 11 dhjetorit do jetë vetëm një formalitet, Berisha do të shkarkojë Bashën nga kryetar i PD dhe do të hedhë në pas në votim qoftë dhe “me një anëtar një votë” zgjedhjen e kryetarit të kësaj partie, duke e marrë vetë drejtimin.

Po Lulzim Basha?!

Kreu aktual zyrtar i PD po tregon dita ditës se asnjëherë nuk e ka pasur realisht drejtimin e kësaj partie. Ndonëse u zgjodh në qershor të këtij viti me 80 përqind të votave të demokratëve përballë disa kandidatëve të dobët dhe pa mbështetje, situata që po zhvillohet pas nismës së Berishës, tregon se ai është zgjedhur në krye të PD me mbështetjen e “paketës” së aksioneve politike të liderit historik, fitore që vinte pas humbjes së 25 prillit.

Dhe me fillimin e përplasjes Basha, në vend që të luftonte fort për shtrirjen e ndikimit dhe në bazën e partisë., duke përdorur dhe “kartën” e faktit të kryer se anëtarësia shkon pas atij që ka vulën, u mbyll në selinë qëndrore të PD. Duke marrë mendjen e njerëzve që nuk njohin as bazën e partisë, as strukturën e partisë, filloj të përmendë mbajtjen e vulës me procedura.

Që këtu nisi kapitullimi i Bashës përballë Berishës, pasi “i mbyturi mbahet dhe pas një fije bari” për të shpëtuar. Lulzim Basha e sheh shpëtimin e karrierës së tij politike tek procedura e ndihma që mund ti vijë nga jashtë. Kuptohet dhe me ndihmën e Zotit.

Gjithë këtë kohë, janë gati tre muaj nga vendimi i marrë për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD dhe nisja e përplasjes së madhe, Lulzim Basha jo vetëm nuk ka bërë një gjurmë jashtë Tiranës, përjashtuar një lëvizje të dështuar në Durrës ku përfundoi në një takim me një familjar që nuk kishte përfituar nga “Rindërtimi” pas tërmetit, Lulzim Basha ka qëndruar me sytë nga qielli dhe nga “Rinasi” që ta shpëtojnë prej “intervenimit” politik të 77 vjeçarit Sali Berisha.

Edhe tani që po shkruajmë këto rreshta, Basha më shumë e ka menndjen tek vizita e zyrtarit të lartë të SHBA Escobar në Tiranë më 9 dhjetor, dhe rezultati që do të dalë nga vizita e tij, se sa tek mundësia e ndonjë lëvizjeje bashkë me mbështetësit e tij, kryesisht në strukturat dhe forumet drejtuese të PD, për të nxjerrë jashtë loje Berishën dhe mbështetësit që kërkojnë as më pak dhe as më shumë por “kokën” e vetë kryetarit të PD.

Na duket se është shumë vonë tashmë, kur kanë mbetur dhe disa ditë nga përplasja finale mes Berishës dhe Bashës më 11 dhjetor, që kreu zyrtar demokrat të rikuperojë në mbështetje përballë “babait” të tij politik që është në revansh. Duam apo nuk duam ne, Berisha e ka bazën e PD, dhe pikërisht kjo mbështetje pritet të materializohet më 11 dhjetor, duke zhbërë në këtë mënyrë dhe kuvendin e thirrur nga Basha më 18 dhjetor. Vetëm ndonjë “kapriçio” e fatit mund ta shpëtojë.

Rezultati që do dalë nga kjo përballje është shumë i qartë: PD do të ndahet në dy pjesë, ndërkohë që do të jetë dyfish më të dobët në përballjen elektorale të radhës. Humbja e paralajmëruar e PD në zgjedhjet e radhës, do të tregojë qartë se me Lulzim Bashën demokratët ishin pa lider, ndërsa me Berishën pajisen vërtetë me një lider, por do të detyrohen të “ngopen” me “lugën bosh”.

Situata në PD është në rënie të lirë dhe pa kthim, sa kohë që për fatin e saj do të mendojnë Sali Berisha dhe Lulzim Basha. As Zoti dhe as të ardhurit nga “Rinasi” nuk i bëjnë derman në këtë situatë në të cilën ndodhemi. Megjithëse ka kohë për alternativa të reja, deri më 2025, kur janë zgjedhjet parlamentare të radhës. Deri atëherë duhet të presim.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?