Basha dhe Berisha

Basha që nuk u bë lider dhe Berisha që s’iku kurrë, e shkrinë PD-në

30 Mars 2023, 08:17| Përditesimi: 30 Mars 2023, 08:19

  • Share

Ndoshta lajmi më i trishtë jo vetëm për të djathtën shqiptare që nuk u bë kurrë e djathtë në 32 vite post-komunizëm, por dhe për të gjithë shqiptarët ka qënë dita kur PD, partia më e madhe opozitare u katandis zyrtarisht në një parti minore. Duke na treguar se opozita është shuar!

Që të jemi më konkretë, Partia Demokratike zyrtare, ajo që mban logon dhe vulën dërgoi në KQZ për regjistrim vetëm 17 kandidatë për kryetarë bashkie, nga 61 bashki që ka i gjithë vendi, e po aq dhe lista kandidatësh për këshilltarë bashkiakë.

Tre kandidatë për kryetarë bashkie të PD zyrtare ‘mbetën’ rrugës, teksa dhanë dorëheqjen nga kandidimi, duke dhënë arsye të ndryshme, dikush se i kishin ndryshuar listën e kandidatëve për të cilën ishin dakordësuar, dikush se kishte pasur një sebep familjar dhe nuk kishte arritur të regjistrohej në KQZ në afatin e përcaktuar me ligj, për t’u katandisur me 14 kandidatë, as 1/3 e mbulimit të të gjithë hapësirës zgjedhore në të gjithë vendim, për pushtetin vendor të 14 majit.

Lajmin e keq të katandisjes së PD në këtë farë feje i ra për pjesë ta jepte kreu i komanduar i saj, Enkelejd Alibeaj, i cili me një gjuhë teknike, shpjegoi dhe arësyet e kësaj katastrofe politike, duke hedhur akuza të tipit “na sabotoi Berisha, na vonoi Rama në Apel” dhe justifikime të këtij lloji, të cilat e kanë shumë të vështirë të mbulojnë arsyen e vërtetë të kësaj drame, që ka përmbi 2 vite që luhet në kurriz të demokratëve. Apo më saktë ka gati 10 vite, pasi ka nismuar që me rrëzimin nga pushteti të PD dhe Berishës në vitin 2013.

E vërteta e kulluar për dështimin e PD zyrtare të drejtuar në mënyrë të komanduar nga Alibeaj, me sa duket ‘pultin’ e komandës e mban Basha, kryetari me letra në gjykatë i kësaj partie, por që për momentin është i “ngrirë” pasi pa letra ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi, është se nuk mundi të gjente kandidatë për të mbuluar 61 bashkitë e vendit, qoftë dhe formalisht.

Dhe s’ka pse ankohet askush nga PD zyrtare për shtyrjet si dhe vonesat e Apelit për shqyrtimin e ‘pronësisë’ së vulës dhe të logos zyrtare të partisë, pasi kanë kontribuar dhe vetë me ato kërkesat për ndryshim gjyqtarësh e ndryshim të ankimimit në mes të gjykimit. Nuk është argument ky, pasi askush nuk i pengonte të dilnin nga Tirana, të iknin nga trekëndëshi seli PD-Kuvend-banaqe televizive dhe të takonin ndonjë rob, nga këta demokratët e bazës së PD, jo vetëm për t’i sqaruar se përse po këmbëngulin që të qëndrojnë në krye të PD zyrtare, dhe pse partneriteti me aleatët tanë të mëdhenj, SHBA dhe BE është tepër i rëndësishëm, por dhe për t’i njohur sëpaku si fytyra, për të ditur se çfarë i shqetëson, çfarë duan dhe si duhet të riorganizohen dhe ringrihen.

Jo. Nuk lëvizën fare, as një hap nuk bënë për të takuar bazën, a thua Apeli bashkë me vulën dhe logon do të prodhonte edhe vota për PD zyrtare, a thua aleatët tanë ndërkombëtarë do të dilnin në fushatë elektorale për ta, ndërkohë që Alibeaj me shokë do të ‘shijonin’ frytet duke u marrë me teknikicialitete dhe sofizma banaqeve televizive, rrjeteve sociale apo nëpër dyert e gjykatave e të Kuvendit të Shqipërisë. Megjithëse Alibeaj ‘trashëgoi’ nga Basha një PD copë copë e të rrudhur.

Pra, PD zyrtare e drejtuar nga Alibeaj tashmë vetëm një muaj e gjysmë para zgjedhjeve të 14 majit, ia arriti të renditet në nivelet e partisë së Dules, të Idrizit, apo të Agron Dukës. Dhe ata në këto limite luhaten, me lista kandidatësh për këshilltarë në disa bashki dhe tek tuk me ndonjë kandidat për kryetar bashkie.

Nuk e dimë se si Alibeaj dhe lidershipi i PD zyrtare do t’i drejtohen gjatë fushatës demokratëve në 44 bashkitë e mbetura pa kandidatë për kryetar dhe mbi të gjitha pa listë kandidatësh për këshilltarë, ‘barometri’ që mat dhe mbështetjen e elektoratit për një parti politike. Mister mbetet se si do t’i orientojnë që të votojnë më 14 maj, për pjesën tjetër të opozitës, mazhorancën apo do të qëndrojnë në shtëpi. Këtë duhet ta sqarojë Alibeaj, dhe më pas ndoshta dhe vetë Basha, që ‘zgjohet’ ndonjëherë për të bërë deklarata në raste festash apo ngjarjesh të rëndësishme.

Në fund të herës, Alibeaj dhe lidershipi i PD zyrtare, për fatin e keq të partisë që i ka dhënë tonin politikës për 32 vite me radhë, ia doli që të vertetojë dhe akuzat e Berishës, se ky grup i ‘vulës’ s’ka asnjë mbështetje tek demokratët dhe elektorati i djathtë. Eshtë e dhimbshme, por e vërtetë. Akoma më keq, që të dëgjosh këtej e tutje nga një pensionist i rikthyer nga halli në politikë, si Sali Berisha, ‘non grata’ në SHBA, që të tallet me drejtuesit e PD zyrtare që kanë dhe vulë.

Po ku janë demokratët, që nuk u gjenden nga Alibeaj e lidershipi i PD zyrtare, për të përzgjedhur 61 kandidatë për kryetarë bashkie, dhe për të hartuar po 61 lista kandidatësh për këshilltarë? Pse po i ikin partisë më të madhe opozitare njerëzit, dhe ku janë ‘strehuar’?

Nuk do shumë kohë të mendohesh për të nxjerrë konkluzionin, se një pjesë e rëndësishme është në shtëpi, po merret me punët e veta, pasi 10 vitet në opozitë në pushtetin qëndror, dhe akoma më shumë në pushtetin vendor për shkak të humbjeve të njëpasnjëshme të garave elektorale përballë PS, ua kanë shuar tërësisht nervin opozitar e shpresën se një ditë do të vijnë në pushtet.

Pjesa tjetër është kthyer tek ‘baba’, lideri historik i PD, Berisha. I cili ndonëse u largua përmes dorëheqjes pas humbjes së thellë më 2013 përballë Edi Ramës, qëndroi aty dhe si një plak i lig dhe i pashpirt, diktoi të gjitha lëvizjet në PD, në fillim në prapaskenë përmes kryetarit të emëruar prej tij që nuk u bë kurrë lider Lulzim Basha, dhe më vonë, pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA dhe përjashtimit nga grupi parlamentar dhe e nga partia, përmes ‘foltores’ mori drejtimin e grupimit më të madh në PD, “Rithemelimit”.

Pasi humbi të gjitha betejat ligjore me PD zyrtare, ka mbajtur si “relike’ vetëm selinë e partisë buzë Lanës, Berisha e dërgoi këtë pjesë të madhe të demokratëve nën ‘çatinë’ e Partisë së Lirisë së udhëhequr nga Ilir Meta. Pra tek i fituari i madh nga kjo përplasjeje brenda PD në të vërtetë.

Berisha mundohet ta argumentojë hyrjen në garën e 14 majit me kandidatë për kryetarë bashkie apo përmes listës së përbashkët të këshilltarëve bashkiakë, nën siglën e PL, partisë së Ilir Metës, si një akt që bëhet i detyruar nga një konspiracion i madh ndërkombëtar sipas tij në krye të të cilit qëndrojnë herë Soros e herë McGonigal, qeveria amerikane përmes Blinken e Yuri Kim dhe Rama, për të zhbërë partinë më të madhe opozitare PD-në dhe bashkë me të dhe opozitën.

Koalicioni i udhëhequr nga Meta, “Bashkë Fitojmë” ku garon Berisha me kandidatë për kryetarë bashkie dhe lista këshilltarësh bashkiakë, listë e përzier me PL dhe dy parti të tjera, s’ka në asnjë vend logon e PD. Pra demokratët që do të votojnë për këtë koalicion, s’votojnë për PD-në por për PL e Ilir Metës. Madje dhe kandidatët e Berishës janë regjistruar në zgjedhje me firmën e numrit dy të PL dhe me vulën e partisë së Metës.

Për herë të parë në këto 32 vite, pjesa më e madhe e PD nuk garon nën siglën traditcionale të partisë, ndërsa pjesa zyrtare megjithëse ka vulën dhe logon e partisë me vendim gjykate, për shkak të mungesës së takatit s’mbulon gjithë territorin e vendit me kandidatë për 14 majin.

Praktikisht PD është shkrirë, pasi kur s’arrin dot të garosh nën siglën e partisë, si dhe të mbulosh 61 bashkitë e vendit me kandidatë për kryetarë dhe këshilltarë, janë ndalur përkatësisht tek numri 14 dhe 17 njësi vendore, imagjinoni si do të jetë rezultati më 14 maj. Pritet humbje e thellë!

Shumëkush bën llogari sa bashki fiton opozita, me shifra që luhaten sa gishtërinjtë e njërës dorë apo më optimistët me sa gishta kanë të dyja duart. Eshtë një situatë dramatike kjo që ka ndodhur në PD, se më të djathtën kishte mbaruar punë me kohë e vakt Berisha, i cili nxori nga skena të gjitha partitë traditcionale të djathta, që u katandisën në parti që kanë vetëm vulën e kryetarin.

Që ka fajtorë në këtë histori të trishtë të rrënimit të partisë së parë dhe më të madhe opozitare në vend, kjo s’ka asnjë dyshim. Aktorët kryesorë të katandisjes së PD në këtë far feje, sa po luftohet për mbijetesë politike dhe jo për të mundur kundështarin politik dhe ardhur në pushtet, janë as më pak dhe as më shumë por Sali Berisha dhe Lulzim Basha, drejtuesit e dy grupeve në parti.

Lideri historik dhe ish kryetari demokrat u përfshinë në një luftë të paprinciptë në dy vitet e fundit, teksa njëri e mendonte PD-në si pronë të përjetshme të tij, për hallin e vet personal, ndërsa tjetri, pasi i ‘shijoi’ për 9 vite marrja ‘qyl’ e drejtimit të PD, u kujtua të bënte atë që duhet ta kishte bërë që në shtator 2013 kur u zgjodh kryetar nga vetë Berisha: Të bëhej lider!

S’ka skrupuj në politikë, për të marrë nën kontroll partinë, për të qënë vërtetë lider i saj, Bashës i duhej të ‘vriste babain’ e tij politik, Sali Berishën. Pa u menduar gjatë për këtë, pa asnjë peng për të mirat që i ka bërë, por duke menduar për të mirën e PD dhe pasur në mendje të ardhmen e saj.

Por Bashës i shijoi pushteti ‘qyl’ në PD, i solli dhe të mira financiare. Por dhe Berishës i shijoi drejtimi i PD në prapaskenë, duke diktuar të gjitha lëvizjet e mëdha në këtë parti, koalicionet, listat e kandidatëve për deputetë apo kryetarë bashkie, përjashtimet e atyre që rrezikonin ‘mbretërimin’ e ‘babë-bir’ në PD, derisa u ‘prek fundi’. Shënuan humbje rekord, nuk fituan asnjë palë zgjedhje në 9 vite, derisa sa nga presioni ndërkombëtar sa nga pamundësia e bashkëjetesës, kjo dyshe u shkërmoq dhe bashkë me të dhe tërë PD.

Basha ishte tepër vonë për të bërë kryetarin, kishte 9 vite kohë në dispozicion për ta bërë një gjë dhe vetë, ndërsa Berisha është tepër tepër vonë për të drejtuar opozitën, pasi ka kaluar 80 vitet e moshës biologjike, pa llogaritur peshën e konsumimit politik e përballjet me SHBA, Britaninë që e shpallën ‘non grata’, si dhe drejtësinë e re, e cila ka disa dosje nën hetim për zullumet e tij dhe të familjes. Dhe pasioni nuk mund të ‘lulëzojë’ më në kockat e një njeriu të plakur biologjikisht dhe politikisht, por as në ‘kockat’ e një njeriu tjetër, që ndonëse në moshë të re, nuk kishte kurrfarë pasioni politik. Kishte lindur politikisht i vdekur Basha, i cili nuk ‘lulëzoi’ kurrë. Me sa duket ‘fati’ paska qënë me Ilir Metën, i cili pritet të jetë dhe ‘trashëgimtari’ i të gjitha ‘copave’ të PD, dhe pasardhësi i përzgjedhur nga Berisha.

Në fund të herës ajo që mund të themi është se PD u ‘dogj’ nga Lulzim Basha, njeriu që nuk u bë kurrë lider, pavarësisht se drejton prej 10 vitesh PD-në, dhe mbi të gjitha Sali Berisha, lideri që nuk u largua kurrë nga drejtimi me dorë të hekurt të kësaj partie.

Zgjedhjet e 14 majit, janë ‘gozhda’ e fundit mbi arkivolin politik në të cilin është nisur për ‘amëshimin’ po politik, Partia Demokratike, partia e parë dhe më e madhe opozitare në vend. Koha do ta vertetojë shumë shpejt këtë që po themi.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?