Politikë

Paloka nxjerr formularët nga kasaforta, por s'tregon emrat! Bardhi: Mbledhim Kuvendin nëse protokolloni firmat! PD s'është celulë, po veproni në ilegalitet

12 Nëntor 2021, 10:42| Përditesimi: 12 Nëntor 2021, 16:21

  • Share

Përplasjet brenda PD po bëhen përditë e më të ashpra mes demokratëve. Akuzat e Lulzim Bashës dhe Gazment Bardhit se ‘Foltorja’ e Berishës nuk ka mbledhur dot as ¼ e firmave që duhen nga delegatët për të thirrur Kuvendin Kombëtar të PD dhe se po luan blofin, i është përgjigjur Edi Paloka, i cili ka ftuar gazetarët duke u hapur kasafortën e tij ku mbahen 4200 firmat e dorëzuara pak ditë më parë nga Berisha.

Paloka tha se ai i ka numëruar dhe janë dorëzuar 4200 firma, ndërsa pritet t’i shtohen dhe të tjera që po sillen pjesë-pjesë nga përfaqësuesit  e Berishës. Paloka bëri të qartë se ai nuk ka të drejtë dhe as mundësinë të verifikojë nëse këto firma janë të delegatëve apo janë të falsifikuar apo jo, pasi këtë do e bëjë Komisioni i Verifikimit të Mandateve që ngrihet në Kuvendin Kombëtar ditën që ai do të mblidhet. Paloka pranoi se deri në momentin e mbajtjes së Kuvendit Kombëtar, e vetmja gjë që mund të vërtetohet është numri i formularëve, dhe jo vërtetësia e firmave.

Pse firmat iu dorëzuan atij dhe jo dikujt tjetër, Paloka e arsyetoi se ka humbur besimi te njëri tjetri në PD dhe se partia është e përçarë në dy palë, ku ai ndodhet në mes për momentin.

“Qëllimi sot, i gazetarëve është kush ka durim të ulet dhe t’i shohë këta formularë. Të dhënat personale, ato që duhet të ruhet fshehtësia ju lutem të mos i fokusoni. Janë 4200 të dorëzuar atë ditë, kanë ardhur dhe formularë të tjerë, por rrimë tek 4200. Janë formularë të plotësuar nga delegatët. Delegatët e Kuvendit janë të përcaktuar në statut, janë pjesëtarë të kryesisë së degëve, anëtarë të Këshillit Kombëtar, deputetë dhe deri tek kryetari i partisë. Të gjithë këta që kanë firmosur nuk janë thjesht anëtarë, por janë delegatë të Kuvendit. Delegatët nuk ndryshojnë, janë po ata. Nga kryetar seksioni deri tek kryetari i partisë të degës. Janë të gjitha të dhënat, emër, mbiemër, emër të babës, numrat e kartës së identitetit dhe funksionin në parti që i bën delegat. As unë dhe as ju nuk do bëni verifikimin e emrave. Këtë gjë e bën komisioni i verifikimit të mandateve në Kuvend.

Unë jam si kryetar i këshillit, njëra palë më ka kërkuar të depozitoj këta formularë. Ky është kuvend i jashtëzakonshëm. procedurat e statuti parashikojnë kur kuvendi mblidhet në mënyrë normale. në këtë rast kur nuk iu përgjigjen detyrimeve statutore, jemi të detyruar t’i bindemi vullnetit të shumicës së Kuvendit të PD-së. Jemi të detyruar të zbatojmë detyrat tona statutore. Nëse dikush nuk e zbaton këtë detyrim, atëherë kanë detyrimin firmëtarët, që janë realisht nismëtarët e Kuvendit të vazhdojnë me procedurat. Ata që kanë firmosur nuk janë anëtar të thjeshte por delegatë të Kuvendit siç i parashikon dhe statuti. Ne jemi  në krizë duam apo jo ta pranojmë, kjo çështja a duhet lajmëruar një orë para apo jo, janë cic mice që nuk i vlejnë Partisë Demokratike  Jemi ndarë në palë dhe unë  jam në mes për momentin, fatkeqësisht ka humbur besimi tek njëri tjetrit në PD”, tha Paloka.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi, duke thënë se Kuvendi do të mblidhet vetëm nëse protokollohen firmat dhe vërtetohen që janë të delegatëve, ku sipas statutit duhet ¼ e tyre. Por ai tha se mbështetësit e Berishës po veprojnë në ilegalitet të plotë duke tentuar ta kthejnë PD në një celulë. Bardhi tha se këto show dhe tallje që u bëhen demokratëve dhe kjo nuk do të lejohet.

“Partia nuk është as kasafortë, as bunker. Ju lutem, depozitoni kërkesën në protokollin e PD, jepuni mundësinë institucioneve dhe të mbledhim Kuvendin. Nuk do të duhet të ketë palë në PD, PD është pronë e demokratëve, cilido që për një interes apo hall personal synon të përçajë PD, apo të krijojë palë në PD, i bën shërbim regjimit të Edi Ramës. Ne kemi një interes të përbashkët, rrëzimit të regjimit të Edi Ramës. Ky duhet të jetë fokusi jonë. Hallet personale secili t'i mbajë në shtëpinë e tij jo në shtëpinë e demokratëve. PD nuk është celulë”,  tha Bardhi.   

Një ditë më parë kryedemokrati Lulzim Basha tha se Berisha po luan blofin dhe se PD nuk do të merret me hallet personale të tij, pasi betejën e ka me Edi Ramën për të rrëzuar këtë regjim dhe për t’i kthyer qytetarëve shqiptarë votën e vjedhur dhe shpresën e vrarë. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili shkoi edhe më tej me akuzat ndaj Berishës duke thënë se ai po punon kundër PD. Bardhi denoncoi se ‘Foltoret’ e tij janë ndihmuar nga Suel Çela për mbledhjen e firmave. Kohë më parë vetë Berisha ka hedhur akuza shumë të forta kundrejt Suel Çelës duke e cilësuar si një kriminel shumë i rrezikshëm në Elbasan pranë mazhorancës, e që sot sipas Bardhit e ndihmon për mbledhjen e  firmave.

Po ashtu ditën e djeshme mbështetësit e Berishës, Flamur Noka, Genti Strazimiri dhe Arben Ristani dorëzuan edhe 150 firma të tjera delegatësh dhe se sipas tyre deri në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD më 11 dhjetor do të shkojnë në 5 mijë firma delegatësh.

Me mbledhjen e Kuvendit, Berisha kërcënon Lulzim Bashën se do e shkarkojë pse ky e përjashtoi nga grupi parlamentar i PD pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA, si dhe ka paralajmëruar ndryshime statutore, të cilat ende nuk janë përkthyer në një draft.

 

 

Ora 14:01
Bardhi sulmon Nokën: Para një javë e dije statutin, sot e mohon dhe kyç firmat në kasafortë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka sulmuar deputetin Flamur Noka për rregullat që duhen ndjekur për mbledhjen e Kuvendit. Teksa publikoi një deklaratë me video të Nokës, Bardhi tha se para një javë ai e njihte statutin dhe se ku duhet të dorëzoheshin firmat, sot ndryshon qëndrim dhe i kyç ato në kasafortë në ilegalitet të plotë.

 "Në momentin që 1/4 e delegatëve depozitohet, te selia qendrore, kryetari bashkë me Kryesinë kanë detyrë të operojnë të thërrasin Kuvendin”, dëgjohet të thotë Noka në video. 

“Partia nuk është as kasafortë, as bunker. Ju lutem, depozitoni kërkesën në protokollin e PD, jepuni mundësinë institucioneve dhe të mbledhim Kuvendin. Nuk do të duhet të ketë palë në PD, PD është pronë e demokratëve, cilido që për një interes apo hall personal synon të përçajë PD, apo të krijojë palë në PD, i bën shërbim regjimit të Edi Ramës. Ne kemi një interes të përbashkët, rrëzimit të regjimit të Edi Ramës. Ky duhet të jetë fokusi jonë. Hallet personale secili t'i mbajë në shtëpinë e tij jo në shtëpinë e demokratëve. Ne do të ndjekim procedurën, por duhet të jetë një kërkesë, nuk ka një kërkesë për thirrjen e Kuvendit Kombëtar. Të ndjekin procedurën që ka deklaruar më 29 tetor Flamur Noka. Sot PD nuk ka vetëm kasafortë, partia nuk është kasafortë, është institucion, nuk jemi celulë ilegale por strukturë që veprojmë në përputhje me rregullat e miratuara nga organet statutore të partisë. Nëse dikush do të veprojë si celulë është i lirë, por nuk mund ta bëjë në emër të demokratëve e të PD”,  tha Bardhi.

 

Ora 13:46
Bardhi-Palokës: Show dhe tallje me demokratët! Mos veproni në ilegalitet, dorëzojini në institucione firmat! PD nuk është celulë

Ekspozimin e 4200 fletëve të firmosura për mbledhjen e Kuvendit nga Edi Paloka, ka nxjerrë në një deklaratë për mediat sekretarin e Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi i cili e cilëson këtë një show dhe veprim në ilegalitet, pasi edhe nëse janë mbledhur ato firma duhet të depozitohen në institucionet e PD dhe të protokollohen.

Bardhi teksa vuri në dyshim se firmat në letra janë reale të delegatëve të Kuvendit, tha se kjo tallje me demokratët nuk duhet të vijojë më.

‘Jam sot edhe një herë për të shprehur shqetësimin e thellë me vijimin e talljes me demokratë. Ju sot jeni bërë pa dëshirën tuaj dëshmitarë se si po vijohet me një proces të talljes dhe fyerjes së çdo anëtari të PD. Është tallur edhe me atë pakicë së kanë besuar te lëvizja e zotit Berisha. Edhe sikur të jetë siluruara 1 /10 e firmave vullneti i tyre nuk mbyllet dot në kasafortë dhe nuk bëhet show me vullnetin e demokratëve. Edhe nëse 1/10 e delegatëve të kuvendit kanë firmosur zëri i tyre duhet të dëgjohet nga institucionet e partisë. Dua të ripërsëris thirrjen time që të nxirren firmat nga kasaforta, mos bëni show, dorëzoni kërkesën në protokollin e PD, respektoni institucionet. PD nuk vepron në ilegalitetit, nuk fshihet dhe nuk është celulë”, tha Bardhi.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • karadakliu: 13/11/2021 09:23

    Cila pale fatkeqe e "thyen"tjetren,thellimin e percarjes dhe renien e PD-se e smadhon edhe me teje.

    Përgjigju
  • Ben: 13/11/2021 01:00

    Keto,te gjithe jane qesharake.Karagjoze te liçensuar.Keto jane primitive complet.

    Përgjigju
  • Qobani: 12/11/2021 15:11

    Arat e bostonit tek jan mush me shpija,ku kan punu ILIRËT në Amerik për qudi kta spo dikan me fol shyp

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?