Politikë

Pas shpalljes 'Non grata' Berisha përjashtohet nga grupi parlamentar i PD deri sa të zbardhet çështja në rrugë ligjore! Basha: I shërbeu vendit, por përballë kemi SHBA

9 Shtator 2021, 20:04| Përditesimi: 10 Shtator 2021, 08:43

  • Share

TIRANË- Pas më shumë se 30 vite, Sali Berisha nuk do të ulet në Kuvend si deputet i Partisë Demokratike, pasi sot ai u përjashtua nga grupi parlamentar demokrat që vetë e themeloi në 1990.

"Fundi" nuk i erdhi as nga armiku dhe as nga kritiku i tij, por nga "i biri shpirtëror", personi që futi vetë në parti dhe e katapultoi atë në postet më të larta, Lulzim Basha. Në 8 vite në drejtimin e Partisë Demokratike, sot Lulzim Basha tregoi se ka marrë nën kontroll Partinë Demokratike, duke larguar liderin historik, edhe pse ky i fundit vetëm pak ditë më parë e 'kërcënoi' duke i treguar forcën e madhe dhe influencën që kishte në atë parti. Listës së gjatë të demokratëve të "tradhtuar" nga Basha, si Jozefina Topalli, Bujar Nishani, Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Edith Harxhi, Edvin Kulluri, Fatbardh Kadilli, nga sot iu shtua dhe emri i Sali Berishës!

Ish- kryeministri nesër do të shkojë në Kuvend si deputet i pavarur duke mbajtur mbi supe barrën e madhe si një person i shpallur 'Non Grata' nga aleati më i madh i shqiptarëve, ShBA, por edhe si "i padëshiruar" nga partia e tij. Megjithatë duhet theksuar se largimi i tij është "i përkohshëm", të paktën kështu u kujdes të theksonte Basha. Në mesazhin e gjatë teksa e lexonte nga zyra në selinë blu, kryedemokrati tha se largimi i Berishës do të jetë "deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore", referuar betejës ligjore të nisur nga ish-kryeministri ndaj Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, me këtë të fundit që e cilësoi si "të korruptuar" dhe e paditi për shpifje. 

"Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.  Kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni 8 vjeçar i Edi Ramës.  Rrugëtimi i Sali Berishës në politikë nuk ndahet dot nga rrugëtimi i Partisë Demokratike dhe sukseseve të saj në qeverisjen e vendit dhe mbrojtjen e interesit publik.  Këtë e kam të qartë unë, e ka të qartë çdo anëtar i Partisë Demokratike, e ka të qartë kushdo.  Prandaj dhe ky vendim i sotëm nuk cënon aspak kontributin dhe arritjet e z. Berisha si lider historik i Partisë Demokratike dhe si President apo Kryeministër i Shqipërisë gjatë këtyre 30 viteve. Nuk cënon aspak atë që përfaqëson Sali Berisha për historinë e Partisë Demokratike", tha Basha. 

Mes Sali Berishës dhe SHBA, Lulzim Basha zgjodhi këtë të fundit, me apo dëshirën e tij, me apo pa presionin e Amerikës, duke e cilësuar si një nga momentet më të vështira për të, qoftë si kryetar i partisë, si demokrat, por edhe si bashkëpunëtor i ish-kryeministrit. Me lavdeve që i thuri për kontributin e dhënë nga Sali Berisha në drejtimin e partisë, por edhe të vendit, si për të justifikuar vendimin e tij, të pa konsultuar me asnjë strukturë të Partisë, Lulzim Basha e tha se largimi i Sali Berishës është në interes të Partisë Demokratike dhe në emër të saj po e bën këtë sakrificë. Heshtjen disa mujore, që pas shpalljes 'Non Grata' të ish-kryeministrit, Basha e ka argumentuar se ka qenë duke bërë përpjekje intensive për gjetjen e një zgjidhje në lidhje me këtë çështje që u kristalizuar me përjashtimin nga grupi parlamentar të liderit historik të saj.

"Ky, ishte një nga momentet më të vështira për mua, si kryetar i Partisë Demokratike, si demokrat, si njëri prej jush, por edhe si një bashkëpunëtor i afërt prej vitesh i z. Berisha.  Kjo jo vetëm për faktin se çfarë përfaqëson për mua, si Lulzim Basha, apo për çdo demokrat, Sali Berisha, por edhe për faktin se unë jam dëshmitar si bashkëpunëtor i tij, ashtu si shumë prej jush, sa sa rëndësi dhe vlerë ka patur për Sali Berishën, mbrojtja e interesit publik dhe shërbimi me ndershmëri ndaj qytetarëve shqiptarë.  Nga ana ime prej dy muajsh e gjysëm kam bërë të gjitha përpjekjet më intensive për gjetjen e një zgjidhje në lidhje me këtë cështje. (...) Mirëpo, secili prej nesh, duke nisur nga unë i pari, ka detyrimin për të sakrifikuar nga vetja për interesin e Partisë Demokratike, për interesin e demokratëve, për interesin e qytetarëve shqiptarë", tha kryedemokrati.

Përtej të gjithave, ai ka konfirmuar qëndrimin e tij se SHBA-ja është aleatja kryesore e demokratëve.

"Partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i pacënueshëm dhe do duhet të vijojë të mbetet i tillë, në interes të demokratëve, në interes të së ardhmes së Shqipërisë.  Me përkrahjen e SHBA, PD ka siguruar arritjet më të rëndësishme të saj në qeverisjen e vendit, nga të cilat kanë përfituar qytetarët shqiptarë. Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë", përfundoi kryedemokrati.

Kur u shpall Sali Berisha 'Non Grata'
Në maj të këtij viti, Sali Berisha në cilësinë e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit u shpall non-grata nga DASH, bashkë me familjen, për korrupsionin të rëndësishëm, përdorimin e pushtetit për t’u pasuruar, mbrojtjen e vetes, familjes dhe aleatëve në afera nga veprimi i drejtësisë si dhe për minim të demokracisë në Shqipëri. Një ditë më vonë ai njoftoi se do të padisë Sekretarin amerikan të Shtetit, Blinken për shpifje teksa theksoi prerazi se nuk heq dorë nga mandati. Madje Berisha për vendimin non-grata ndaj tij ka akuzuar direkt Ramën dhe George  Soros. Berisha nisi edhe një fushatë lobimi në SHBA, për të sulmuar vendimin e shpalljes "Non Grata".

 

Ora 20:09
'Vendimi i DASH për shpalljen Non Grata s'cënon reformat e Berishës', Basha merr vendimin: E përjashtoj nga grupi parlamentar i PD deri në zbardhjen e çështjes

Kreu i PD Lulzim Basha përjashton ish-kryeministrin Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD deri në zbardhjen e plotë të vendimit të DASH.

“Që ditën e parë kur u  njoh me vendimin e DASH iu bashkova thirrjes për transparencë të plootë mbi çdo fakt. Berisha është padyshim udhëheqësi që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe zhvillimin e demokracisë. Gjatë kohës që ai ishte kryeministër Shqipëria përmbushi të gjitha reformat për anëtarësimin e natos dhe marrjes e statutusit si vend kandidat për në BE. Partner kyç i  qeverisë shqiptare në të gjitha këto arrtije ishin SHBA. Pranfdaj dua të përsëris së vendimi i DASH nuk cënon arritjet madhore të shqipërisë nën drejtimin e Berishës dhe kontributin madhor aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të PD me sHBA.

PD mbështet kërkesën për transparencë të bërë nga Berisha i cili ka marrë një vendim në mbrojtje të identitetit të tij duke e kërkuar këtë nëpërmjet rrugës gjyqësore. Nga ana ime prej 2 mujsh kam bërë përpjekjet më intesive për gjetjen e një zgjidhje në lidhje me këtë çështje. Parteneriteti i SHBa me Pd është i pacënueshëm dhe do të vijojë të mbetet i tillë. PD ka siguruar arritjet më të rëndësishme. Ne i konsiderojmë shba aleatin tonë më strategjik. Berisha ka bërë të qartë se kjo është çështje personale e tij dhe se Ps sduhet të përfshihet. Kam vendosur deri në shqyrtim të pengesës ligjore me transparencë dhe zbardhjes ligjore Berisha sdo të jetë anëtar i PD”, tha Basha.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • nebiu: 09/09/2021 21:06

    Te vetmen gje te mire qe beri ky debili eshte vendimi per perjashtimin e kriminelit dhe ndyresires sb!

    Përgjigju
  • Scutari: 09/09/2021 18:19

    O trim ai nuk duhet te hyje ne parlament jo te perjashtohet nga grupi parlamentar!! Muhabet koti....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?