"Më jep një fëmijë deri në moshën 7 vjeçare dhe do të të tregoj ty njeriun”. Këtë shprehje të filozofit të madh grek, Aristotelit, e vërteton edhe rasti i personazhit të ftuar në emisionin “Një nga ne”.
Ali Bali, veterineri nga Tirana, të bën të kuptosh se vitet e para të jetës luajnë rol kyç në formimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të personalitetit tonë.
Dashuria për katërputroshët dhe lidhja me besimin islam e patën piknisjen që në fëmijëri.
“Besimin e kam pasur që në vogëli. Gjyshi im ka qenë një ndër shkaktarët për këtë pjesë. Në qoftë se unë do të përmendja Zotin, ai më thoshte: -‘Kujdes kur e përmend se është emër shumë i madh’.
Pasioni dhe jetesa me kafshët më shtynë që të zgjedh këtë profesion. Dëshirën për të qenë mjek e kam pasur që i vogël. Zgjodha t’iu shërbej kafshëve dhe jo njerëzve”, tregon Aliu.
Jeta i është thjeshtëzuar që kur është bërë praktikant i fesë islame.
“Profesionin e veterinerit e ushtroj që nga viti 2013. Që vitin e parë që e kam nisur këtë punë kam filluar me namazin e Xhumasë, që e kam falur rregullisht. Të gjitha oraret i kam pasur preçize dhe aspak të lodhshme. Kush më pyeste i thoja që oraret m’i sistemon Zoti”.
Aliu ka arritur të kujdeset në shtëpinë e tij edhe për 30 qen njëkohësisht. Megjithatë, për këdo që do të adoptojë një qen, ai ka disa këshilla.
“Çdokush që dëshiron të marrë qen, duhet të informohet për karakteristikat dhe gjenetikën e tij sepse jo të gjithë qentë mund të mbahen nga çdokush. Qentë ndahen në social, qen pune dhe qen qejfi, të përshtatshëm për aktivitete. Ndër qentë social janë labradorët. Ata janë të përshtatshëm për fëmijët me sindromën down, autik, trajnohen për njerëzit e verbër etj”.
Për tu njohur më shumë rreth botës së katërputroshëve, trajnimin e tyre që të na binden dhe si të kuptoni kërkesat që kanë ndiqni emisionin e plotë.