Partia e Lirisë reagon për menaxhimin e Butrintit: Kërkojmë me forcë që qeveria të anulojë koncesionin

31 Korrik 2022, 17:59| Përditesimi: 31 Korrik 2022, 18:15

  • Share

Ashtu si Ilir Meta, edhe bashkëpunëtori i tij Tedi Blushi që ka marrë postin e sekretarit të Përgjithshëm në Partinë e Lirisë, nuk kursen akuzat ndaj Edi Ramës. Së fundmi, në një postim të publikuar në rrjete sociale e akuzon për  administrimin e Butrintit për 10 vite nga Fondi Shqiptar-Amerikan për Zhvillim duke thënë se Rama ka kryer akt tradhtie duke e lënë në duart e Richard Hodges, të cilin e cilëson albanofob.

Ndër të tjera i bën thirrje të gjithëve që të reagojnë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe vijon akuzat ndaj Ramës duke thënë se po i bën atentat kombit shqiptar.

“Partia e Lirisë dënon me forcë aktin e rradhës të tradhëtisë kombëtare të Edi Ramës për dorëzimin e Parkut Kombëtar të Butrintit në duart e një albanofobi, si Richard Hodges. Caktimi i Hodges, si anëtar i bordit drejtues në koncensionin korruptiv dhe antikushtetues të Butrintit dhe drejtues shkencor i planit të menaxhimit të tij, është një tjetër tregues i qartë i vënies në funksion nga Edi Rama, për llogari të armiqve të Shqipërisë, të axhendës së shkatërrimit, shpopullimit dhe goditjes pa mëshirë të identitetit tonë kombëtar.

Urrejtja e madhe ndaj historisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, nxjerrja në ankand e kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës, shkatërrimi në Tiranë, Durrës dhe në të gjitha qytetet e vendit të simboleve  tona kombëtare dhe sëfundmi dorëzimi i Butrintit në duart e albanofobit Richard Hordes, provojnë qartë se Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një Esad Pashë i ri. I bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe patriotë, në veçanti komunitetit të shkencëtarëve, historianëve, arkeologëve, ekspertëve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, si dhe të gjithë intelektualëve të reagojnë fuqishëm në mbrojtje të këtij atentati të rradhës që Edi Rama po i bën kombit shqiptar”, shkruan Blushi.

Më tej thotë se kërkon nga qeveria që të anulojë marrëveshjen që e cilëson si koncesion korruptiv dhe antikushtetues të Parkut të Butrintit.

“I kujtojmë Qeverisë se sipas Konventës së Trashëgimisë Botërore të Parisit, përgjegjësia e ruajtjes dhe administrimit të pasurive që përbëjnë trashëgimitë kulturore universale nuk mund të kalojë kurrsesi në një organizëm shoqëror siç janë OJF-të, por ajo duhet të ngelet përgjegjësi e shtetit që ka nënshkruar Konventën.

Parku Kombëtar i Butrintit është një pasuri e paluajtshme me vlera të paçmuara kulturore dhe universale, e regjistruar në listën e Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s, që Partia e Lirisë në aleancë me shqiptarët do ta mbrojnë me çdo çmim”, shkruan Blushi.

Mes debateve të shumta mes opozitës dhe maxhorancës, Kuvendi miratoi me 75 vota pro, 18 kundër dhe 1 abstenim marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintin nga fondacioni shqiptaro-amerikan AADF, në të cilën bën pjesë edhe shteti. Marrëveshja synon zhvillimin e Parkut të Butrintit, dhe kthimin e tij në një pikë të rëndësishme turistike. Do të shtohen shërbimet për vizitorët, mes të cilave është ngritja e një qendër pritjeje për vizitorët. 

Po në janar të këtij viti qeveria shqiptare mori një tjetër vendim duke reduktuar sipërfaqen e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit nga 9.424,2 hektar në 8.622,2 hektar. Pra, një sipërfaqe prej rreth 800 hektar nga Manastiri, Gjiri i Hartës dhe deri në kufirin jugor tek Gjiri i Pemës së Thatë, nuk përfshihet më në statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur rrugën investimeve turistike, por që ka shkaktuar shumë debate në Kuvend. 

Fondacioni për menaxhimin e Butrintit krijohet në partneritet me Fondacionin jo shtetëror Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe do të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Richard Hodges. Kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.

Komento

Komente

  • Haha: 31/07/2022 18:05

    Tedi rrushi i Met hajdutit spiunit..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?