Banorët e fshatit Çërrilë në Memaliaj protestojnë për mungesën e ujit të pijshëm. Prej 8 vitesh nuk rrjedh ujë në çezmat e tyre, e ndaj detyrohen të mbushin në burime natyrore apo lumë. E njëjta problematikë është dhe në fshatrat Bylysh, Miricë, Manaj ku jetojnë mbi 350 banorë.
"Mungesa e ujit ka provokuar protestë masive tek banorët e fshatit Çërrilë pjesë e Bashkisë Memaliaj. Të gjithë banorët janë grumbulluar tek depoja e fshatit e cila veçse ka mungesë uji, rezulton të jetë e paruajtur ku çdokush mund të hapi kapakun dhe të hedhë në të çdo gjë kësisoj duke rrezikuar jetën e konsumatorëve".
"Ujë duam ta gjejë zgjidhjen Bashkia se vjen ta kërkon taksa. Janë bërë depozituat këtu prej 15 vitesh por ujë në shtëpia nuk kemi", thanë banorët.
Kjo është një problematikë e mbartur që nga viti 2014 kur me ndarjen territoriale - administrative ish-komuna "Memaliaj-Fshat" u bë pjesë e Bashkisë. Drejtori i Ujësjellësit në Bashkinë e Memaliaj, Petrit Shahaj tha se rrjeti ujësjellës nuk është përfshirë në inventar për shkak të problematikave të konstatuara në investime. Rrjedhimisht këta banorë nuk rezultojnë konsumatorë dhe nuk furnizohen me ujë nga bashkia. Shahaj nuk pranoi të flasë për shkaqet, por burime jo zyrtare thanë për "Report TV" se ish-kryetarët e komunave që kanë drejtuar për 20 vite "Memaliaj-Fshat" kanë shpërdoruar fondet për shtrimin e rrjetit ujësjellës e ndaj Bashkia nuk ka marrë në dorëzim këto investime.